"Pas heshtjes", vëllim me tregime dhe rrëfenja nga Sazan Goliku


Doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim libri i ri më tregime dhe rrëfenja i shkrimtarit Sazan Goliku "Pas heshtjes".


Kritika e heshtjes - nga Sazan Goliku


KRITIKA E HESHTJES
Kritika e heshtjes është e qëllimtë, me pikësynime të caktuara dhe kushtëzohet nga disa faktorë pengues subjektivë e objektivë

Nga SAZAN GOLIKU

Ka vite që në hapësirat shqiptare, në kritikat për kritikën letrare e artistike jepen konsiderata, shprehen opinione nga më të skajshmet, analizohen probleme reale ose ireale, po vetë këta specialistët nuk angazhohen, nuk ulen të japin ndihmesën e tyre konkrete për veprat letrare ose artistike me bukë, pra me vlera të mirëfillta ose për “sëmundje” të ndryshme të mjeshtërisë.
Të flasësh e të shkruash “ex catedra” është pozicioni më komod për një të shkolluar ose të titulluar, ose të graduar, edhe pse ky lloji angazhim mund të quhet ndihmesë. Pse një pjesë e konsiderueshme e këtyre të diturve nuk japin ndihmesën e tyre konkrete në gjallërimin, pasurimin e institucionalizimin e kritikës si e tillë, por fshihen pas diplomave, monografive të sirtarëve me objekt vetëm historinë e letërsisë e të arteve, kur dihet që letërsia e artet janë procese të gjalla dinamike, me vijueshmëri, me rënie e ngritje të kushtëzuara e të pakushtëzuara nga zhvillimet shoqërore, politike dhe ekonomike, aq më tepër pas përmbysjeve të shekullit të kaluar te ne. Është e shpjegueshme heshtja e kritikës dhe përligjet për mosmarrjen në konsideratë të krijimeve mediokre, komerciale e banale. Por të heshtet për vepra të reja, për autorë me emër dhe të rinj të talentuar, që duhen zbuluar e nxitur, do të thotë të mbashë qëndrim injorues e nihilist.
Janë botuar libra me vlera nga Mehmet Kraja, Agim Gjakova, Koço Kosta, Zejnulla Rrahmani, Zija Çela, Kim Mehmeti, Nasi Lera, Ibrahim Kadriu, Anton Papleka, Skënder Buçpapaj, Abdulla Tafa, Agim Mato, Viron Graçe, Moikom Zeqo, Vasil Premçi, Petraq Risto, Kolec Traboini, Faruk Myrto, Zimo Krutaj, Krenar Zejno, Musa Ramadani, Riza Braholli, Faslli Haliti, Sadik Bejko, Luljeta Lleshanaku, Arif Demolli, Piro Loli, Azem Qazimi etj. etj., po pak ose aspak është shkruar për ta, për ecurinë e krijimtarisë së tyre, për veçoritë e tyre stilistike, për profilet e individualitetet e tyre artistike.
Janë botuar libra me përmbledhje artikujsh kritikë dhe monografi për autorë të veçantë që kanë spikatur nga kritikë të mirënjohur si Ramadan Musliu, Mexhit Prençi, Nehas Sopaj, Luan Topçiu, Behar Gjoka, Anton Berisha, Agim Vinca, Astrit Bishqemi, Preng Buzhala, Faik Shkodra, Anton Gojçaj, Ahmet Selmani, Zejnepe Alili Rexhepi, Remzi Salihu etj., por heshtja ndaj librave të tyre ka qenë e dukshme edhe pse kemi kaq pak libra me kritika. Pse ndodh kjo dukuri negative që mund ta quajmë kritika e heshtjes?
Duke përjashtuar subjektivizmin e natyrshëm e të pashmangshëm që buron nga shijet vetjake estetike dhe shkalla e njohjes teorike dhe e aftësive profesionale, mund të flasim hapur për egocentrizëm, prirje zilare, interesa të ngushtë profesionalë e materialë. Është e kuptueshme që një kritik letrar ose studiues nuk mund të lexojë gjithçka që botohet, por mund të informohet dhe të reagojë ndaj veprave me nivele të konsiderueshme e novatore, si dhe ndaj atyre që ngrihen lart nga recensionet e shtëpive botuese, ose nga artikuj me superlativa të miqve e klaneve të organizuara e të saturuara paq.
Kritika e heshtjes është e qëllimtë, me pikësynime të caktuara dhe nuk ka të bëjë me heshtjen e kritikës që, në shumicën e rasteve, kushtëzohet nga disa faktorë pengues subjektivë e objektivë. Nga ky rreth vicioz mund të dalim vetëm duke freskuar e sensibilizuar institucionet e fushave përkatëse, duke thyer klanizmin, duke përgatitur brenda dhe jashtë vendit breza të rinj kritikësh e studiuesish me koncepte, teori e mendësi perëndimore e bashkëkohore.

Gazeta "Telegraf"

Pandeli Koçi: Ministria e Kulturës nuk e dëgjon zërin e shkrimtarëve/ Intervistë



Pandeli Koçi: Ministria e Kulturës nuk e dëgjon zërin e shkrimtarëve, të heqë dorë nga mbështetja selektive


Për shkrimtarët problemet vijojnë. Viti që shkoi u mbyll me jo pak vështirësi për krijimtarinë, por dhe këtë vit sipas tyre nëse nuk ndryshon mendësia që Ministria e Kulturës ka për autorin dhe librin shqip gjendja do të jetë e njëjtë. Në 75-vjetorin e tij shkrimtari Pandeli Koçi tregon se ndihma që jepet për autorët dhe krijimtarinë letrare është në minimumin e saj. Në intervistën e tij ai pohon se Ministria e Kulturës duhet të ndryshojë mendësinë, të jetë më pranë dhe ti ndihmojë më shumë autorët. Problem sipas shkrimtarit Pandeli Koçi mbetet dhe ajo që ai e cilëson si një përzgjedhje selektive të ministrisë kur flasim për autorët. Për të kjo përzgjedhje duhet të bëhet vetëm mbi bazë të vlerave. Pjesë e intervistës me shkrimtarin, i cili dje prezantoi dhe librin e tij më të fundit është dhe vëmendja për autorët e rinj, që sipas tij nuk vlerësohen sa duhet.

Si ka nisur ky vit për ju kur flasim për krijimtarinë tuaj letrare?

Një vit që kërkon shumë, pavarësisht gripit që ka rënë në gjithë vendin. Një vit, që unë pretendoj shumë që të punoj. Unë kam bërë një premtim, ato që nuk realizova gjatë vitit që lamë pas mendoj ti realizoj gjatë këtij viti. Por se sa do të realizohen, kjo varet dhe nga mosha që kam unë. Unë kam gati disa libra për të botuar. Një vëllim me poezi, një novelë për fëmijë, disa libra për letërsinë për fëmijë që janë gati për shtyp. Një vit që e shikoj me veprimtari, por ajo që unë dua të realizoj këtë vit janë dhe shkrimi i kujtimeve. Duke qenë 75 vjeçar, njeriu në këtë moshë fillon dhe kujton se çfarë do të thotë nga ato që të tjerët nuk e kanë përjetuar. Kjo do ishte një nga dëshirat e mia, që të shkruaj disa nga kujtimet e mia dhe të familjes sime.

 Në 75 vjetorin tuaj u bë dhe prezantimi i librit tuaj “Aksion në shkumën e vaskës”. Në tregimet e rrëfenjat tuaja vjen realiteti, si e përcjell te lexuesi?

Ky libër është në vazhdën e botimeve të tjera, që unë shkruaj me tregime dhe rrëfenja, parabola, mikrodialogje, të cilat synojnë që të pasqyrojnë këtë realitet kaos që ne e përjetojmë me dhimbje. Por sërish brenda këtij realiteti kaotik deri absurd që kemi, ne do ta gëzojmë jetën. Mjetet e mia artistike për ta pasqyruar këtë realitet janë alegoria, simbolet, janë paradokset dhe mbi të gjitha është ironia mjeti me të cilën unë e perceptoj, por dhe e shpreh këtë realitet që ne jetojmë. Në 75 vjetorin tim që u prezantua dhe libri im më i fundit mendova që të bënim dhe një diskutim kritik, jo një përurim libri.

Edhe më parë ju keni pohuar se mungojnë diskutimet kritike për librin. Kjo mungesë si ndikon në krijimtarinë letrare?

Ne zakonisht bëjmë promovime të librave, një festë të librit. Dikur bëheshin diskutime krijuese, por për mua janë diskutime letrare ose kritike, ku mblidhen shkrimtarë, studiues, artistë, emra që janë të kësaj fushe, të cilët japin mendimet e tyre, vërejtjet, sugjerimet. Kjo do të ishte shumë më produktive për librin dhe realiste për të përcaktuar vlerat e një libri të ri. Por në Shqipëri këto diskutime kritike mungojnë, ndaj unë librin tim e prezantova me këtë mënyrë, pra me një diskutim kritik. Në Shqipëri duke mos pasur një institucion siç ishte dikur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ne sot nuk kemi mundësi për librin. Sot ish godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve duhet ti kthehet sërish bashkësisë së shkrimtarëve dhe artistëve. Ajo të kthehet në atë që unë mendoj ta quajmë Shtëpia e Artit, dhe aty të kenë zyrat e tyre shoqatat e shkrimtarëve, artistëve, piktorëve. Nëse Shoqata e Shkrimtarëve për Fëmijë do kishte një zyrë, apo ajo e prozatorëve të rinj, kjo do të ishte shumë e mirë, ku ata do të bënin aktivitetet e tyre me një administrator i paguar nga ministria. Në këto salla në këtë institucion secila nga shoqatat që rrinë lart e poshtë për aktivitetet e tyre do ti ndihmonte shumë kjo gjë. Ajo është një godinë që po rri bosh dhe mendoj se duhet ta ketë Ministria e Kulturës ndërtesën e ish LSHA, dhe ajo të quhet Shtëpia e Artit. Unë këtë ia bëj si propozim edhe Ministrisë së Kulturës edhe kryeministrit, të jetë një vend ku të mblidhen shkrimtarët dhe artistët, të flasin dhe të diskutojnë për problemet, të diskutojnë për vlerat.

Jeni shprehur se dhe viti që kaloi i përballi me jo pak probleme autorët shqiptarë. Për ju si ka ndikuar kjo në krijimtari?

Shkrimtarët janë përballur me probleme të shumta. Një nga më shqetësueset ka qenë botimi i letërsisë origjinale shqiptare. Shtëpitë botuese gjithmonë kanë qenë hezituese dhe me të drejtë, duke qenë pjesë e biznesit ato shikojnë gjithmonë fitimin dhe nuk shikojnë atë kërkesë që e ka hedhur dikur dhe Faik Konica, që ne duhet të botojmë 50 përqind nga letërsia shqipe dhe pjesa tjetër letërsi e huaj. Krahas përfitimit të tyre, që është normale, shtëpitë botuese duhet të kenë dhe përparësi për letërsinë shqipe. Problem tjetër, vazhdon mungesa e kritikës letrare. Në organet e shtypit tonë duhet të hapen dhe faqe për librin. Mbi të gjitha autorët nuk kanë vëmendje, nuk ka ndihmë. E them këtë sepse neve na mungon hierarkia e vlerave. Kjo do të thotë që të lançohet, të nxirren në dritë vlerat reale të letërsisë, gjë që duhet ta bëjë një kritikë e specializuar. Ministria e Kulturës ndihmon autorët shqiptarë aq sa e ka horizontin e dijes dhe interesin për të lançuar vlerat.

Por sa ka qenë sipas jush ky interes nga ministria për të promovuar dhe lançuar vlerat letrare?

Nuk mund të them që i ka mohuar, sepse herë pas here ministria ka dhënë çmime, ka dhënë tituj, por këto janë gjithmonë brenda subjektivitetit të atyre që e drejtojnë Ministrinë e Kulturës. E them këtë sepse ministria nuk po merr një mendim më të gjerë të lexuesve apo shkrimtarëve. Ministria e Kulturës duhet të luftojë subjektivizmin në vlerësimin dhe ndihmën, që iu jep letërsisë dhe arteve.

Për çmimet kombëtare të letërsisë që ndan Ministria e Kulturës, zërat kritikë në organizimin e tyre nuk kanë munguar. Në gjykimin tuaj këto çmime?

Unë nuk diskutoj vlerësimet e jurive, që bëhen në çmimet kombëtare të letërsisë. Por unë gjykoj se cilët janë ata njerëz, që i caktojnë emrat në juri. Mendoj se duhet të gjenden rrugët, që njerëzit që do të bëjnë përzgjedhjen e emrave të jurisë, të jenë më cilësorët.

Ju folët për probleme që shoqëruan autorët në vitin që lamë pas. Çfarë prisni këtë vit?

Këtë vit dëshiroj që të botohet një antologji e autorëve të rinj, që shkruajnë për letërsinë, por para kësaj duhet të bëhet dhe një konkurs letrar. Mungojnë konkurset letrare me autorët e rinj deri në moshën 25 vjeçare që shkruajnë për fëmijë. Nëse do të kishte konkurse, në këtë mënyrë ne do të lançojmë dhe emrat e autorëve të rinj, për ti nxituar që të ecin përpara në krijimtarinë letrare. Ministria e Kulturës ka hapur fonde për letërsinë, por ajo që jepet nuk është e mjaftueshme. Po ti krahasojmë këto fonde që jepen në Maqedoni apo Kosovë për librin, në Shqipëri janë shumë të pakta. Me këto fonde Ministria e Kulturës jep minimumin për autorët shqiptarë në krijimtarinë letrare. Unë uroj për këtë vit që ka nisur të bëhet një përmbysje e mendësisë së Ministrisë së Kulturës për autorët shqiptarë, që të ketë më shumë kujdes dhe vëmendje në vlerat e letërsisë. Por dhe që të arrijmë 50 përqind botim të letërsisë shqiptare me atë të huaj. Të ndryshojë mendësia e ministrisë, sepse këto vite autorët janë ndihmuar, por në mënyrë selektive. Problemi qëndron se kush e bën këtë seleksionim të autorëve nga Ministria e Kulturës? Sa të hapur janë ata në ministri, sa transparentë janë, apo mbahen vetëm tek disa emra, kur ne presim që të lançohen sidomos autorët e rinj. Kjo është kryesorja, dhe që të ndihmohen duhet të njihen. Por si? Duke u botuar veprat e tyre. Ekzekutivi thotë gjithmonë gjëra pozitive për veten, por ministria nëse ka dëshirën duhet të reflektojë ndaj problemeve aktuale dhe zërit të shkrimtarëve. Më vjen keq që e pohoj, por nga Ministria e Kulturës nuk është dëgjuar sa duhet zëri i shkrimtarëve të njohur, pak të njohur dhe sidomos të autorëve të rinj.

 Intervistoi: Julia Vrapi
Agjensia e Lajmeve Sot News
7 janar 2017