Sfidë - poezi nga Sazan Goliku



 S F I D Ë
 
Nga Sazan Goliku


Mes një trafiku të çmendur
një plak i paplakur pedalon mbi biçikletë,
por më besoni, nuk është i lajthitur.

Përbuz vdekjen dhe ka frikë nga jeta e fjetur.
Një aksident vdekjeprurës është për të
një dhuratë nga një rrotë mbi rrota.
Një aksident uloklënës është për të – një mallkim.

Një plak i krisur pedalon mbi biçikletë,
Po nuk guxon ta kthej kokën as majtas as djathtas
me u kënaq duke parë trotuarëve
bukurinë e njomështinë e vajzave të reja.

Një plak sportiv pedalon mbi biçikletë dhe
as do t’ia dijë që zonja vdekje qëndron pas tij në zgarë
buzagaz.

Një plak skelet fluturon me biçikletë,
por askush nuk e vëren mespërmes brumbujve të makinave.
Është fantazma e së ardhmes.

9.12.2019

No comments: