“Zjarr dhe zjarr” novele nga Sazan Goliku
Kjo novelë, një konglomerat origjinal kristalesh letrare, reflekton rrymat e qarkullimit të ndërsjellë të gjakut të kulturës dhe të limfës së fismërisë ndërmjet qytetërimit ilir dhe atij grek, si dy struktura nga më komplekset, me profile origjinale gjuhësore dhe artkulturore të ngjizura më hershëm. Nëpër faqet e këtij rrëfimi shkrihen organikisht në një ind letrar të endur me mjeshtëri paradigmat vizionare që dëshmojnë artistikisht rolin e vetëtimave, të zjarrit të dijeve dhe të emocioneve në formatimin dhë riformatimin gjithnjë më progresiv të qytetërimeve, në rigjallërimin e shpirtit të demokracisë e të frymës së altruizmit, me thëngjinjtë e mizerabilitetit, të zënkave të paparimta, përgjithsisht asimetrike. Duke operuar me jehonën e ansambleve qytetërimore të lashtësisë si lëndë e parë, kjo novelë përditëson natyrshëm mesazhet artistike më të paqme, më fine për tejkalimin e kundërshtive të çdollojshme, për harmonizimin e marrëdhënieve si aspiratë e përhershme e popujve ballkanik, ndonëse nën dritë-hije tragjikomike. Ideja e zjarrit shkatërues, e zjarrit mendjendriçues dhe e zjarrit të pasionit gërshetohen në vetëdijen dhe modelet e sjelljeve të personazhit vetëmohues, Rukipeut, i cili udhëton në linjat e idealit dhe të lartësimit të dinjitetit.
Prof.Dr. Zyhdi Dervishi
Pandeli Koçi: Nuk kemi kritikë për të seleksionuar prurjen e madhe në letërsinë shqipe sot...
Pandeli Koçi: Nuk kemi
kritikë për të seleksionuar prurjen e madhe në letërsinë shqipe sot...
Letërsia sot
përballet me jo pak probleme, mes tyre mungon dhe ndihma për financimin e
botimeve me vlera letrare. Ky është një problem që ka vite në fushën e
letërsisë dhe autorët shqiptarë gjithmonë kanë kërkuar ndihmë nga
institucionet, ministritë për botimin e veprave letrare. Së fundmi në letërsinë
për fëmijë, erdhi Antologjia e Letërsisë “Lule për lulet”, e hartuar nga një
grup autorësh. Shkrimtari Pandeli Koçi, ndërsa flet për rëndësinë e këtij
botimi që prej vitesh ka munguar, thekson se nga Ministria e Kulturës duhet të
jetë më shumë vëmendje me projekte të ndryshme për të ndihmuar autorët. Në
intervistën dhënë për gazetën, shkrimtari Koçi flet jo vetëm për projektet në
ndihmë të autorëve shqiptarë, por thekson se në fushën e letërsisë ndihet jo
pak dhe mungesa e konkurseve letrare, që sipas tij duhet të jenë pjesë e
politikave të institucioneve.
Pak ditë ka që ka dalë në qarkullim Antologjia e Letërsisë për Fëmijë
(2000-2014) me titull “Lule për lulet”. Si shkrimtar dhe kryetar i grupit të
punës që hartoi këtë antologji, çfarë mund të na thoni mbi punën që është bërë
për këtë botim?
Prej shumë kohësh është ndjerë nevoja për një antologji të letërsisë për
fëmijë, kur dihet që nuk ka pasur një të tillë. Me përpjekjet e shumta për të
na përkrahur dhe botuar këtë antologji, edhe pse prej 4 vitesh MTKRS këtë nuk e
bëri, vetëm tani nga Ministria e Kulturës na u dha mbështetje për ta botuar
këtë vepër. Antologjia përfshin krijime të periudhës 2000-2014, që dëshmon
prurjet e reja e cilësore në këtë degë të rëndësishme të letërsisë shqipe. Në
grupin e punës kemi emra të njohur letërsisë për fëmijë si Gaip Bushati, Astrit
Bishqemi, Riza Braholli, Vasil Premçi, Fatmir Gjestila dhe Xhevat Syla nga
Kosova. Synimi ynë ishte çfarë të rejash ka letërsia në këtë periudhë,
2000-2014, çfarë të cilësish, hapat që ka bërë, në cilat drejtime shkrimtarët e
kësaj letërsie për fëmijë priren në këtë periudhë që po kalojmë, dhe se sa ata
i përgjigjen kërkesave të ditës në kushtet e reja që po kalon shoqëria
shqiptare dhe botërore. Në këtë botim janë përfshirë shkrimet e 87 autorëve, që
shkruajnë për fëmijë dhe të rinj. Autorët e kësaj antologjie janë nga të gjitha
trevat shqiptare, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e
Preshevës, si dhe nga diaspora.
Si do të shpërndahet ky botim?
Libri duhet të shpërndahet në shkolla, por me ndihmën e një qendre në
Shqipëri duhet të shkojë deri në bibliotekat e fshatrave më të largëta të
vendit, për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë librin. Të jemi realist, problemi
i librit për fëmijë ka të bëjë dhe me mundësitë ekonomike, sa kanë mundësi ta
blejnë librin. Duke mos pasur mundësi ta blejnë, duke e pasur në bibliotekën e
shkollës, do të ishte ndihmë që libri të lexohej dhe nga nxënësit e zonave më
të thella.
Ju pohuat mbështetjen që bëri MK për librin, a ka të tjera bashkëpunime për
këtë letërsi?
Ne kemi bërë një letër këto ditë dhe kemi kërkuar mbështetjen e MK dhe për
të bërë shpërndarjen e antologjisë në rrethe, por ministria duhet të bëjë një
bashkëpunim me shkrimtarët e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, për atë që quhet
nxitje përmes konkurseve letrare. Kjo është detyrë e ministrisë. Një konkurs
letrar do ta nxiste shumë letërsinë, do ishte përkrahje për të dalë në dritë
vlerat më të mira të vitit, por do nxiste dhe autorët. Kjo nuk është bërë dhe
ndaj ne kemi këmbëngulur që të ketë një konkurs të tillë. Por ne kemi bërë dhe
një tjetër përpjekje, që të kemi dhe një konkurs letrar me autorë të rinj që
shkruajnë letërsi për fëmijë. Pse ka dalë ky problem? Gjithmonë pyetet, sa
është mosha mesatare që shkruajnë letërsinë për fëmijë, është rreth 70 vjeç.
Bëhet pyetja, a ka autorë të rinj të letërsisë për fëmijë? Natyrisht që ka, por
nuk kanë mundësi që të botojnë libra, sepse dhe shtëpitë botuese kanë interesat
e tyre. Nuk kanë përkrahjen e duhur për t’u redaktuar që të pasqyrohen me
shkrimet e tyre më të mira. Pra për këto probleme, një konkurs letrar nga
Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, do të ishte ndihmë që autorët e rinj
të njihen dhe lançohen.
Po flisni për konkurset letrare, çfarë mund të na thoni mbi çmimet letrare
që ndau këtë vit Ministria e Kulturës, ishin dy të tillë?
Çmim për letërsinë për fëmijë nuk u dha në Panairin e Librit me pretendimin
absurd se nuk kishte prurje. Edhe Ministria e Kulturës këtë vit dha vetëm dy
çmime për letërsinë, një çmim për veprën letrare dhe një për përkthimin. Duket
se MK s’e ka pasur mundësi, por duhet që gjithmonë në Ministrinë e Kulturës të
jetë një çmim për letërsinë për fëmijë dhe të rinj. Më herët ka pasur dhe zëra nga
juri, që nuk ka pasur letërsi për fëmijë, një pretendim idiot, është gabim i
madh, është një shpërfillje, injorim që i bëhet një pjese të rëndësishme të
letërsisë shqipe, duke rënë në një “koncept tregtar”, që vetëm letërsi e huaj
është me vlera. Por botuesit duke pasur interesat e tyre, duke zgjedhur
ilustrimet e bukura, duke zgjedhur nga bota shkrimet më të mira, ata injorojnë
botimet e letërsisë shqipe. Kjo është fyese për letërsinë shqipe dhe mendoj se
kjo vjen dhe nga mosnjohja.
I njohur në botën e letërsisë për fëmijë, ju keni botuar dhe vepra në
letërsinë për të rritur. Çmimet Kombëtare të Letërsisë kanë për qëllim të
vlerësojnë titujt më të mirë të hapësirës mbarëkombëtare letrare, këtë vit
ishin dy çmime, më herët ishin disa vlerësime Penda e argjendtë, etj. Ju si e
shikoni këtë ndarje çmimesh, më mirë dy apo të jetë praktika si më herët?
Juritë janë juri, kanë dhe ato elementët e tyre, por ne nuk mund të
vlerësojmë sot, që ky libër ka vlerë apo jo, pasi kjo i takon kritikës letrare
dhe studimeve. Rëndësi ka që duhet të vazhdojë praktika që të jepen çmimet
letrare, qoftë si jepeshin çmimi i parë, i dytë, i tretë, etj, apo dhe çmime me
emrat e autorëve të njohur shqiptarë si çmimi Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci,
etj. Pavarësisht emërtimeve që ato kanë, për letërsinë shqipe është mirë që
tradita e çmimeve të vazhdojë. Gjithmonë ka pasur debate për çmimet letrare.
Është dhe subjektivizmi, që rrjedh nga vetë autorët, por dhe nga një frymë
klanore që mendohet se ekziston qoftë në krijimin e jurisë dhe me
subjektivizmin e pashmangshëm, që mund të ketë juria sado e specializuar të
jetë. Subjektivizma do ketë, por ama nuk mund të mohojë kush që përkthimi
“Orlandi i çmendun” i Ariostos që erdhi në shqip nga Guljem Deda nuk ishte
shumë lart. Të gjithë u kënaqën që mori çmimin një përkthyes i tillë për një
kryevepër botërore. Ju thashë që subjektivizmat do jenë gjithmonë, mund të ketë
dhe frymë klanore, por këto nuk është mirë të gjykohen pa lexuar veprat. Që të
gjykosh një juri, duhet të ketë juri tjetër që të gjykojë atë.
Më herët keni pohuar se Ministria e Kulturës duhet të nxisë dhe botimin e
veprave të autorëve të traditës në letërsinë shqipe. Çfarë kërkoni për këtë nga
projektet e ministrisë?
Ministria e Kulturës mund të inkurajojë dhe të nxisë autorët e letërsisë
përmes projekteve të ndryshme. Në Kosovë një shkrimtar me vlera nëse bën një
projekt dhe nuk ka para për botime, atij i jep një mundësi për botim ministria.
Edhe tek ne ajo, që duhet të bëjë jo vetëm Ministria e Kulturës por ndoshta dhe
Ministria e Arsimit, është që për kryeveprat e letërsisë shqipe të traditës
sonë të financojë. Ministria mund të ndihmojë botimin e Naim Frashërit për
fëmijë, të Ndre Mjedës, Fishtës, etj. Këto vepra të traditës po nuk u financuan
për botime nuk vijnë tek lexuesit. MAS mund të jetë ndihmesë për veprat nëpër
shkollat në orët letrare, dhe MK të nxisë botimin e tyre. Këta janë
autorë të traditës që nuk jetojnë më, atëherë duhet që ministritë të kenë
projekte që ta ringjallin këtë letërsi, duke nxjerrë vlerat që i qëndrojnë
kohës, duke nxitur ribotimin e veprave.
Letërsia shqipe ka zhvillimet e saj, por sipas jush ku janë prirjet e saj
sot?
Të flasësh për prirjet e letërsisë sot, tematike, ideore, artistike, është
e vështirë. Në kushtet tona të mungesës së studimeve të mirëfillta letrare për
letërsinë bashkëkohore ose të një mungese të një kritike letrare që ta ndjekë
me seriozitet zhvillimin e letërsisë, nuk mund të flitet. Unë mund të jap një
mendim por do jetë subjektiv, sepse kushtëzohet nga prirjet e mia, shijet e
mia, dhe nuk mund të flas për zhvillimet. Ne kemi prirjet tradicionale në
letërsi, në prozë, poezi, por kemi dhe prirjen të tjera që i kapërcyem moderne
dhe postmoderniste. Kjo liri që kanë autorët jep një larmi në letërsinë shqipe.
Problemi qëndron sa këto vepra lançohen nga kritika letrare, sa jepen këto
reale tek lexuesit. Shpeshherë njerëz që nuk kanë aftësi letrare por kanë
aftësi për të bërë reklamë të veprave të tyre lançohen dhe serviren si gjërat
më të bukura të shkruara. Nuk jam i pari që them se nuk kemi një kritikë të
mirëfilltë. Mungon ajo që quhet kritikë konstruktive e vazhdueshme nga njerëz
të specializuar për këtë fushë, nuk kemi kritikë për të bërë seleksionimin e
kësaj prurje të madhe në letërsinë shqipe sot. Nuk ekziston kritika dhe e kam
pohuar dhe më herët për arsye financiare, nuk paguhet.
Intervistoi: Julia Vrapi
Gazeta “Sot” 23 dhjetor 2014
Dy libra të rinj për fëmijë të Sazan Golikut
DY LIBRA TË RINJ PËR FËMIJË TË SAZAN GOLIKUT
Shkrimtari Sazan Goliku, krahas krijimeve letrare për
të rritur, kultivon edhe letërsinë për fëmijë. Nga viti 1972 deri më sot në
opusin e tij për fëmijë ka mbi njëzet libra, të vlerësuara edhe me çmime
letrare, si dhe është bashkautorë në tekste shkollore leximi.
Librat e tij të rinjë me vjersha “Keni parë e s’keni parë” dhe “Kupa
me kapak, kupa pa kapak”, botuar nga shtëpia botuese”Erik”,u adresohen
fëmijëve të moshave 8-10 vjeç.
Temat e motivet nga jeta e shkollës dhe asaj në
familje, të natyrës të marrëdhënieve të fëmijëve shpalosen nëpërmjet vargjesh
të rrjedhshëm, të thjeshtë, me figura e detaje jetësore dhe gjetje origjinale të motiveve..
Shoqërues i këtyre vjershave është
humori i shëndetshëm në përputhje me psikikën e kësaj moshe. Gjithashtu, këto
libra i pasuron elementi lojë, një risi që shfaqet në disa nga vjershat e
këtyre dy librave të këndshëm.
Trafikim (i) legal i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe
SAZAN
GOLIKU
Theksim
Trafikim
(i) legal i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe
Deri kur do të përdoret fjala “parlament” në vend të fjalës shqipe kushtetuese Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ose Kuvendi i Republikës së Kosovës?
Në Kuvendin e Republikës deputetët flasin
vetëm për “parlament”. Pra, po ta përkthenim nga italishtja (se në kohën e
pushtimit fashist organi më i lartë ligjvënës (sic!) në Tiranë quhej
parlament), do ta quajmë: vendi ku flasin ose llapin.
Është normale kur përdorim në përgjithësi
termat ndërkombëtarë parlament – parlamentar – parlamentarizëm, por kur flasim
ose shkruajmë konkretisht për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe të
Republikës së Kosovës duhet të kemi parasysh kushtetutat e dy shteteve
shqiptare.
Drejtues shteti, partish, institucionesh,
deputetë (me shkollë ose pa shkollë) në ligjëratat e tyre brenda në Kuvend,
para turmave, në mediat elektronike e të shkruara përdorin fjalën “lider” për drejtues ose kreu, ose udhëheqës.
Në gjuhën shqipe, pas krijimit të shtetit
modern shqiptar, në terminologjinë administrative, juridike, shkencore,
ushtarake etj. kanë hyrë terma të shumtë si rrjedhimi i krijimit e funksionimit
të institucionevetë reja politike, ekonomike, shoqërore etj., po dhe të objekteve
te reja të teknikave e teknologjive bashkëkohore. Për shembull, fjala projekt
tashmë ka zënë vend prej vitesh në shumë fusha të shtetit e të shoqërisë sonë.
Por befas, dikush futi në tekstet e legjislacionit fjalën “draft”, e cila është e barasvlershme, në të
gjithë foletë e saj, me fjalën projekt. Sa i padobishëm aq dhe i pakuptimtë është përdorimi i fjalëve të
njëjta, kur ngatërohemi me këmbët tona, kur flasim e shkruajmë për draft
projektligji, pra projekti i projektligjit.
Në shtyp, duke diskutuar për ndarjen e re administrative të Republikës
së Shqipërisë po përdoret rëndom fjala “rajon”. Më parë kemi pasur fjalët rreth e qark dhe tash qark,
bashki e komunë. Përse duhet të futet në përdorim e të miratohet qorazi
nga Kuvendi në ligj fjala rajon? Dihet se dhe më parë, kur po
diskutohej projekti i Kushtetutës së sotme, ishte synuar të futej kjo fjalë,
por së fundi u miratua fjala shqipe qark.
Tash po shkojmë drejt pastrimit logjik e
pasurimit të shqipes, apo po ecim si gaforrja, të nxitur nga snobizmi e padija?
A ka redaktor gjuhësor në administratën e
Presidentit të Republikës, të Kryeministrisë, pa përmendur ministritë, të cilat
hartojnë projektligjet dhe akte të tjera nënligjore? Kjo pyetje e ka përgjigjen
brenda, për derisa në aktet depërtojnë legalisht fjalë të huaja edhe kur ato i
kemi në shqip, pa harruar këtu gabimet drejtshkrimore e gjuhësore.
Në faqet e shtypit e të mediave
elektronike po lexojmë e po dëgjojmë se po përurohen “pedonale” në Tiranë,
Shkodër, Durrës, Berat...Ai që e shkroi së pari këtë fjalë (dhe gazetarët e
shumëfishuan), me siguri nuk e di se në shqip i thonë këmbësore ose shëtitore,
ashtu si “lungomare” mund të thuhet shqip buzëdetëse ose anëdetëse,
ose me një emër më të përshtatshëm të krijuar nga gjuhëtarët e fushës përkatëse,
leksikografët. Ka disa vite që fjalët “implementoj”
e “implementim”
pa asnjë arsye u kanë zënë karriget fjalëve realizoj e realizim,
tashmë të ngulitura në gjuhën tonë, për të mos përmendur fjalët shqip: jetësoj
e jetësim
me të njëjtin kuptim.
Mund të përligjen deridiku shtetarët,
pushtetarët, juristët, inxhinierët, mjekët etj. ngaqë nuk e kanë studiuar
lëndën e gjuhës shqipe në shkollat e mesme. Por gjuhëtarët, redaktorët e
gazetarët profesionistë (të cilët, kur kanë kryer fakultetin e gazetarisë, kanë marrë leksione dhe e kanë
studiuar gjuhën e drejtshkrimin e shqipes), pse nuk reagojnë, me të gjitha format,
ndaj këtyre ndërhyrjeve të papërgjegjshme në gjuhën tonë të shkruar e të folur?
SHKRIME NGA SAZAN GOLIKU
SAZAN GOLIKU
ËNDRRA ME BISHT
Djaloshi Mark L. nga fshati Gurlan iu
paskish qepur mendja te kali i bardhë i Lis Dodës. Dhe nuk kisht faj. Të
kullonin sytë kur e shihje kur ecte krenar kalldrëmeve të fshatit ose kur
vraponte e argalisej lëndinave teksa kulloste me kuajt e tjerë. Plaku Lis nuk e
ngarkonte asnjëherë atë bukurosh, veç ai i hipte kur shkonte në qytet dhe kur bënte vizita te miqtë e të
njohurit.
Dhe një mesnate të bardhë me hënë të
plotë, Marku doli nga shtëpia e tij dhe gati duke vrapuar shkoi drejt e te
kulla e Lis Dodës. Qentë e shtëpisë e njihnin, si çdo djalë fshati, dhe portat
e shtëpive në atë krahinë nuk ishte zakon të mbylleshin me çelës. I hodhi
shalën kalit, i vuri yzengjin dhe, ende pa dalë nga oborri, i hipi e kalëroi
sikur po fluturonte. Askush nuk mund ta ndiej atë ngazëllim që provoi Marku,
duke ngarë atë kalë nëpër fushën e dehur nga rrezet e hënës. Vetëm kur do t’i
jepte të dashurës së zemrës puthjen e parë do të kishte një shpirtdehje të
tillë. Ngau e ngau kalin, duke lëshuar nga gjoksi gurgurima gazmore e thirrje
përkëdhelëse për atë qenie të përsosur, kalëroi buzë liqenit deri te derdhja e
një lumi, u kthye mbrapsh dhe kur ndjeu të ftohtit e agut e zbardhëllimën e
qiellit nga lindja, u kthye në shtëpinë e tij. I fshiu mirë e mirë djersën
Mbretit, kështu e quante me vete bardhoshin, i hodhi sipër një velënxë të mos
ftohej, i dha tagji dhe çoi te kulla e Lis Dodës.
Në mbrëmje, të rrapi i madh në qendër të
fshatit, ishin mbledhur burrat e kuvendonin. Pasi torrën e torrën gojdhëna e
thashethemet më të reja të fshatit e të krahinës e më tej, e mori fjalën Lis
Doda.
-Kam parë mbrëmë një ëndërr të habitshme,
-foli duke shtyrë prapa qeleshen. –M’u shfaq një djalë e më tha: “Po të më japësh
kalin e bardhë t’i hipi e të kalëroj me të, do të të japë si shpërblim velënxën
më të mirë që kam.” Mirë , i thashë, po kujdes kryet se kalit i ha kurrizi dhe
s’di ku të vërvit kokangulthi! –Dhe ia dhshë kalin... Kur u zgjova sot në
mëngjes, shkova në haur, po ç’të shoh! Kali i bardhë ishte i mbuluar me një
velënxë!
Burrat e fshatit zunë të mërmërisnin dhe
të shinin syshqyer njëri-tjetrin dhe s’po u besonin veshëve. Rrena e kishte
bishtin kaq të gjatë, sa s’do ta bënte as rrenësi më i madh i fshatit, kurse
plakun Lis e njihnin dhe mbanin si një nga urtakët dhe njerëzit më të çiltër e
më të ndershëm në gjithë krahinën! Mos kishte lajthitur vallë?!
-Që nuk po më besoni, unë e kuptoj, -tha
plaku, -po ç’t’i bëj velënxës që më ka mbetur në shtëpi dhe nuk është e imja
dhe nuk di kujt t’ia kthej?
Nafora
Një anëtar i kryesisë së parties ZYX u largua (apo
e larguan?) për një detyrë tjetër të rëndësishme larg kyeqytetit, në
vendlindjen e tij. Ndërkohë që në mbledhjen e
ngutshme anëtarët e tjerë po kërkonin një emër të përshtatshëm për zëvendësimin
(kuptohet nga rrethi i të afërmve, i miqve e shokëve), kryetari ngriti zërin:
- Ecce homo! Skulptori, Afrim Stoli, i mrekullueshëm!
- Po, sipas statusit të partisë sonë, - ndërhyri me nënqeshje
domethënëse një anëtare, - duhet të jetë në komitet...
- E bën ai, e bën. Ai nuk flet. - Foli kryetari me
bindjen e njeriut që nuk mund të gabojë kurrë. - Kush e ka numrin e celularit
të tij që ta thërrasim që tash?
Të gjithëve iu duk e habitshme kjo tekë e
kryetarit, megjithëse nuk i befasonte më mençuria e tij kokëforte. Asnjëri prej
tyre nuk e dinte që ato ditë skulptori Afrim Stoli po gdhendte në mermer bustin
e kryetarit.
- Celularin? - Të gjithë ngritën supet me
keqardhje, kur në tërë rastet e miratimit të vendimeve ngrinin automatikisht
dorën.
- Thirrni sekretaren, - foli kryetari. - Ajo t’ia
njoftojë zotni Stolit se është zgjedhur unanimisht anëtar i kryesisë sonë.
Atë natë skulptori nuk vuri gjumë në sy. Ashtu si
peshku në tigan, ai përpëlitej e përsëriste:
“... Si mund të jem i djathtë, kur shoh se i dituri
e punëtori i vërtetë rropaten dhe numërojnë qindarkat dhe durojnë talljet e
fëmijëve të vet pse janë të tillë, kur pasunari batakçi dhe trashëgimtari i
kamur përtac gëzojnë gjithë të mirat e botës e të shkencës? Si mund të jem i
majtë, kur shoh të paaftët, parazitët, dembelët dinakë, polipë që thithin e
presin t’u vijnë drejt e në gojë llokumet nga shteti dhe qajnë e rënkojnë, po
edhe revoltohen, për të drejtat e njeriut? E si mund të jem i djathtë a i
majtë, kur shoh të majtët në fron që shndërrohen në të djathtë dhe të djathtët
në opozitë që revoltohen si të majtë? Më mirë lakuriq, pa kostume partish, me
përparësen e bardhë të njeriut të punës, që gjithsesi do të ndotet nga e keqja
e pashmangshme - politika? Po të ulem në atë karrige që më propozuan, do të
them ato që më thotë karrigia ose do të hesht... Por, kur duhet folur, nuk mund
të hesht... Por, po të shpreh ato që kam këtë në kokë dhe ato të puqen me ato
të partisë kundërshtare, do të më quajnë tradhtar. Këtë nofkë s’mund ta
gëlltis, ashtu siç nuk kam pranuar kurrë të jem spiun...
Në të gdhirë, ashtu me sytë e buhavitur nga
pagjumësia, Afrim Stoli shkoi në dhomën tjetër që e kishte përshtatur për
studio.
“Ja kush më paska propozuar, - u kujtua sa pa
bustin e kryetarit të Partisë së ZYX mbi stativ.
- Ti ma bëre këtë nder, për të më grabitur lirinë
time. Të falemnderit, mik i dashur!
Koka e bustit të kryetarit ishte
gati e përfunduar, vetëm pak spërdredhime duheshin te mustaqet. Mori daltën dhe
çekiçin dhe nisi të punojë…
Pas një ore i la mbi tryezë dhe bëri dy hapa mbrapa: koka ishte
shndërruar për mrekulli në trajtën e përsosur të një topi futbolli.
Askush nuk e dëgjoi të qeshurën e madhe e të zgjatur të skulptorit atje
brenda katër mureve të studios plot pirgje balte, trungje arre, etyde e skica
të pafundme, pa të cilat ai nuk do të ishte më ai.
... Pas dhjetë orë udhëtimi, skulptori ishte ulur në rrëzë të arrës së
lartë e të vjetër në kopshtin e shtëpisë së vet, në fshatin e largët, në
Pasmalas dhe thithte i qetë një cigare të dredhur nga të babait plak.
Subscribe to:
Posts (Atom)




.png)

