Profili letrar i Sazan Golikut



Profili letrar i Sazan Golikut
Kur në çdo varg e rresht rreh pulsi i gjallë i botës shqiptare
Pandeli Koçi

Nga Hyqmet Hasko

Kur i qasesh një profili krijues, për të ndërtuar ato ura që e lidhin atë me kohën dhe bashkëkohësin, vështirësia e parë qëndron në faktin se sa më shumë kërkon të gjesh gjurmë dhe të sjellësh përvoja njerëzore e letrare, që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi me këtë individualitet, aq më shumë qasja dhe kërkimi shkojnë drejt të pamundurës. Kjo ndodh pasi jeta krijuese, ashtu si jeta njerëzore, janë komplekse dhe sapo tenton të rrokësh një vektor të tyre, të dalin e të parakalojnë vrullshëm vektorë të tjerë, grimca kohe e kujtese që enden në një soj mjegulle e misteri.
Ky imazh po më shoqëronte në formën e një ideje të shumëfishuar, teksa sillja ndërmend gjurmët e Sazan Golikut, (Pandeli Koçit) në analet e letrave tona kombëtare, në një shtrirje të gjatë kohore, prej rreth pesëdhjetë vitesh.
Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) njihet gjerësisht nga lexuesi shqiptar, që në fillim të viteve ’70, kur nis karriera e tij letrare e në vijim, deri në ditët tona, kur temporitmi i krijimtarisë së tij, në prozë, poezi, publicistikë, studime e kritika letrare, në letrat për të rritur dhe fëmijë, ka ardhur gjithnjë në rritje, qoftë si prurje sasiore, qoftë si cilësi estetike.
Në prozën dhe poezinë e tij gjallon dhe rreh pulsi i jetës shqiptare, e ndodhura, historia dhe fiksioni shkrihen në një realitet estetik, kurbat e të cilit kanë ardhur gjithnjë në ngritje, duke bërë që ky autor të merret shumë seriozisht nga lexuesi shqiptar, i të gjitha moshave dhe niveleve kulturologjike.
Sazan Goliku, (emri letrar i Pandeli Koçit) ka lindur në Vlorë më 1942 dhe ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë, pas të cilit ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Ka botuar 12 libra për të rritur dhe 31 libra për fëmijë. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë dhe kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj që nga viti 2008.
-Nga viti 1960 dhe në vazhdim ka botuar studime, kritika e recensione letrare në organe të shtypit, letrar e shkencor si Zëri i Rinisë, Drita, Zëri i Popullit, Nëntori, Studime Filologjike, Dardania Sacra, Fjala, Jeta e Re, Jehona, Mehr Licht, Poeteka, Zëri, Albania, Shqip, Shekulli, Telegraf, Obelisk, Nacional, Sot etj. etj. në Tiranë, Prishtinë e Shkup.
-Ka pasur veprimtari të dendur me emisione, biseda e intervista në radio e televizione të ndryshëm, si dhe ka ligjëruar në konferenca letrare e shkencore që nga viti 1960. Ai Ka fituar disa çmime letrare kombëtare e vendore, ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1969, ka qenë bashkëredaktor (me Prof. Dr. Emil Lafen) i Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë (1998), ka qenë zëvendëskryeredaktor i revistës shkencore juridike-sociologjike “Pajtimi”, redaktor i revistës “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore” dhe i revistës “Lente sociologjike”.\
-Që nga viti 2008 është Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj dhe ka zë në “Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë” të Hasan Hasanit, në “Leksikonin e shkrimtarëve për fëmijë” të Odise Grillos, në “Leksikonin e gazetarëve shqiptarë” të Hamit Boriçit dhe trajtohet gjerë në “Histori e letërsisë shqipe për fëmijë” të Astrit Bishqemit etj.
Ndër botimet e tij për të rritur mund të përmendim: Pasqyra e thyer (1972), Lule drite (1977), Grusht (1981), Intimitet, (1987), Aventurat e lirisë (1995), Epidemi kozmike (1996), Ëndërr dashurie (1996), Petalet e rëna (2001), Trekëndëshi i qiellit të zi (2006), Turbull (2007) Shpirtdehje (2011), Unë jam unë (2012), nga titujt e librave të tij për fëmijë mund të përmendim: Unë pionieri (1971), Rreze mbi valë (1973), Dritaret e shkollës (1974), Ata ishin partizanë (1976), Trimëritë e Ujkan Gjonit (1977), Shigjetat e zjarrta (1978, 2001), Dhembët e çeliktë (1980), Ti më je si lulëkuqe (1980), Komitët e Malit të Bardhë (1999, 2011), Mjalti i hidhur (2001, 2006, 2007), Aventurat e një mëngjesi (2003), Arap maçoku dhe Verdha, bukuroshe (2004), Trimi i rrallë dhe mbreti burracak (2004), Pasqyra që flet (2005), Djemtë e detit (2006), Gabimi i Markut (2006), Bariu i vogël, ujku e bora (2006), Grenzat dhe mjalti (2006), Mos harro se je Njeri (2009), Ujku pa dhëmb (2010), Kemi parë e s’keni parë (2011), Faleminderit, Abetare (2012), 10 përralla (2013), Kupa me kapak – kupa pa kapak (2014), Përbindëshi i fshatit kobzi (2014).
Poezia është një nga lëvrimet e tij më të suksesshme, pasi në vargun e tij gjejmë mishërimin e traditës më të mirë të poezisë shqipe, por të pasuruar në elementë modernë e modernistë, gjithmonë në përputhje me dhuntitë vetjake të poetit, i cili në poezinë e tij ka si mishërim kryesor sendërtimin e një nacionalizmi poetik, jo si produkt shtampë, siç ndodh rëndom me artin deklamativ e retorik, por si një risi e përdorimit të një teknologjie modern të procedimit estetik.
Nëse iu hedhim një sy poezive të tij, do të vërejmë se poezia është për poetin një akt shenjtërimi, pasi me të ai lidh jo vetëm kujtesën, historinë, çastin, përditshmërinë, flirtin, ndjeshmërinë e hollë, uninin e tij shëtitës dhe kredot që e motivojnë, por tenton të zbulojë dimensione të reja të minibotës që bën objekt shqyrtimi poetik.
Thelbi substancial i poezisë së Golikut është moderniteti lirik, rrekja për të thënë sa më shumë gjëra me sa më pak fjalë e vargje, duke e kondensuar mendimin dhe emocionin në ngarkesa të forta estetike. Poezia si ndjesi e epërme e qenies dhe shpirtit, që vjen nga e panjohura dhe ëndrra e kulluar, si një kumt fatbardhë, për të përndezur majat e pasionit dhe për të dëshmuar një ekzistencë tjetër, përtej asaj të zakonshmes, dëshmohet në aktin krijues të Golikut si një etni tjetër, etnia e dashurisë dhe filozofisë së mbijetesës kombëtare, nëpërmjet unit poetik të grimcuar në mesazhe.
Poeti vjen në rrugën e poezisë me një akt të plotë poetik, pasi sipas mënyrës së saj, iu shkon deri në fund të vërtetave të unit dhe të jashtësisë, në një tentativë për të rrokur dimensione eterike të realitetit që e rrethon në përditshmërinë e tij dhe të bashkëkohësve. Ai rrok tema të ditës, por dhe raporte mitike e trandenshente, vozitet në tokën e lirë të ëndrrave të kulluara dhe sjell me vete aromën e një jete të ngarkuar me mbresa e përjetime të forta, të cilat na i përcjell me një kamer poetike të fuqishme dhe pa ekuivoke e keqkuptime. Gjeografia e tij poetike është një gjeografi e thyer dhe e pasur me territore nga më ta larmishmet, me fusha, male, lumenj, pyje, ndjenja fisnike, mall, idil, dhimbje, ankth, kërkim në botën e dashurisë, zhgënjim dhe trazim, një botë komplekse në lëvizje, që të joshë e të befason me larminë dhe freskinë e gjendjes dhe të imazhit poetik. Udhëtimi përgjatë poezisë së Golikut është një udhëtim shqyrtues, ballafaques, kërkues e krahasues, pasi në vargjet e tij të ndjera, me figura të pastërta e të gjalla, plot ndjeshmëri dhe emocion, na jepet një botë e thyer, lufta mes midis unit dhe jashtësisë së tij, koha dhe bashkëkohësi, me problematikat e mprehta ekzistenciale, etike, filozofike e humane. Botëvështrimi mbi njeriun modern, mbi njeriun shqiptar, që përpiqet në një luftë sizifiane për të gjetur vetveten dhe për të kapur kohën historike të humbur, është një nga mesazhet më kuptimplotë të poetit.
Në thelb jo vetëm poezia, por dhe proza, shkrimet dhe kontributet eseistike e kulturologjike të Sazan Golikut janë pjesë e vektorit kombëtar të letrave dhe kulturës sonë të ridimensionuar kombëtare, për të cilat ai ndihet i obliguar dhe i përkushtuar me artin e fjalës së bukur dhe veprimin e një atdhetari plot pasion.
Sazan Goliku ka një veprimtari të gjerë në fushën e krijimtarisë letrare, por ai spikat dhe në krijimtarinë për fëmijë, ku mund të themi me plot gojën se është një nga autorët me profilin më të plotë e më të adhuruar nga bota fëminore. Mesazhet e kësaj krijimtarie lidhen me një edukim estetik atdhetar të të vegjëlve, edukim ky mjaft i nevojshëm, në një kohë si kjo që po përjetojmë, kur globalizmi po tenton të rrënojë të gjitha urat e veçantësive kombëtare.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë Sazan Goliku (Pandeli Koçi) për njohjen e letërsisë së Kosovës në Shqipëri, në një kohë kur Kosova ishte “mollë e ndaluar” dhe të flisje për të –më e pakta që mund të themi-është se nuk shikoheshe me sy të mirë nga regjimi. Me kurajo qytetare dhe krijuese, me atdhedashurinë për çdo pëllëmbë tokë të këtij kombi, të cilën ai e ka mbartur me vete në çdo varg e rresht të krijimtarisë së tij, Pandeli Koçi ka ndikuar personalisht që kjo letërsi të mos jetë “e humbur”, por të gjejë lexuesit e saj në trungun amë.
Pas kësaj qasje vertikale, për një personalitet letrar me një zë krejt të veçantë në letrat tona kombëtare, mund të themi me dy fjalë, si përfundim, se Sazan Goliku, (emri letrar i Pandeli Koçit) është një shkrimtar, publicist dhe studiues me një individualitet të thekur, me emrin e të cilit lidhet poezia, proza, letërsia për të rritur e fëmijë, kritika letrare dhe muzikologjia (si autor tekstesh), kontributet atdhetare për afrimin e letërsisë kosovare në të gjitha trojet shqiptare, si një mundësi për një komunikim të ri shpirtëror të shqiptarëve në të gjithë hapësirën e shtrirjes së tyre, pa mure dhe dogana shpirtërore.

Tirane Observer,  9 tetor  2014

Refleksione për “Unë jam unë” të Sazan Golikut- nga Zejnepe Alili-Rexhepi

 IMPULSE ATDHETARE NGA PENA E NJE POETI
 
-Refleksione për “Unë jam unë” të Sazan Golikut-

 

Shkruar nga  Zejnepe Alili – Rexhepi
 
     Nën plazmimin e begatshëm të imazheve të historive kombëtare përvijohet portretizimi intelektual dhe krijues i Pandeli Koçit, që e ka nismën në qytetin e Vlorës, nën edukimin e një familjeje me tradita atdhetare nga Tepelena. Ky edukim, gjithsesi ka ndikuar në formimin e veçantë të personalitetit të tij, si dhe prirjen drejt njohjeve të aktualitetit. Përmes një bote të ndjeshme, edhe në krijimtari kërkon ide që t’i hedh në një shtrat realizimi, të absorbuara si mbresa, përjetime a ndjesi, që vijnë e shpërthejnë vrullshëm me hovet e mjeshtrit të fjalës, plot dell artistik. Sot, Pandeli Koçi është kryetar i Shoqatës së Letërsisë për Fëmijë e të Rinj.
Filozofia e formësimit të arsyes te ky shkrimtar, bëhet domosdoshmëri e unit individual e kombëtar, për të deklaruar “Unë jam unë” dhe jo për ta përshkruar botën e mbushur me mrekulli të pazakonta, por ta skicojë realitetin e ngjarjeve të së kaluarës dhe filozofitë jetësore që e përshkojnë fatin e shqiptarit, ndër shekuj. Me syrin kritik mbi të vërtetën dhe dashurinë mbi idealin atdhetar, përmes arkitekturës së mendjes, reflekton porosi konkrete, për heronjtë që i sjellin lavdi kombit. Me anë strukturimesh të ndryshme formash poetike, përkapim ide e mesazhe brenda historive tona kombëtare. Në vëllimin poetik “Unë jam Unë”, botuar në Tiranë (2012), Pandeli Koçi bëhet udhërrëfyes i trajektores kombëtare.
Në letërsinë shqipe, prej kohësh, njihet si Sazan Goliku. Me këtë pseudonim, ai dëshmohet si autor i një morie veprash letrare: “Pasqyra e thyer” (1972), “Lule drite” (1977), “Grusht” (1981), “Intimitet” (1987), “Aventurat e lirisë” (1995), “Epidemi kozmike” (1996), “Ëndërr dashurie” (1996), “Komitët e Malit të Bardhë” (1999, 2011), “Petalet e rëna” (2001), “Trekëndëshi i qiellit të zi” (2006), “Turbull” (2007), “Shpirtdehje” (2011), “Unë jam unë” (2012) dhe antologjia e sapo botuar “Antologji e letërsisë për fëmijë” (2014). Pra, ky shkrimtar, pa trumbetime të mëdha, mjeshtërisht sjell ngjarje të mëdha. Si një udhëtar i përhershëm mbi brengat e Atdheut, shtron telajon e artit të fjalës për të pikturuar me fjalët më goditëse pamje nga më të bukurat e më të dhembshurat.
Me leximin e vëllimit “Unë jam unë”, e kupton përkushtimin shpirtëror të poetit, si synim për të përmbushur një botë të tërë me mrekulli fjalësh e ndjesish, ndonëse poezia jonë atdhetare, seç ka një frymëzim epiko - tragjik, gjë që jo vetëm ndihet në frymën krijuese, por është dhe mbizotëruese në tërë veprën. Poezitë janë shpërthim ndjesor, në të cilin ndihet ndërhyrja mjeshtërore e poetit, tok me arsyen si argument i rëndësishëm i aktit krijues.
Frymëzimi i poetit, i shprehur në formë mbresash vetanake, është edhe përcaktues i natyrës së poezisë, ku atdhetarizmi nuk vjen si perëndim i vagëlluar ndjesor, por si himn krenarie për rëndësinë e historive kombëtare, të përshkruara me nota kumbuese artistike, ku vihet në pah sa dëshpërimi, po aq edhe ngazëllimi i poetit. Poezitë, përmbajnë kthjelltësi përçuese, mbi shtresime kuptimësish të plota, pothuajse duke skalitur çaste dramatike të jetës dhe heronj shqiptarë, të cilët bëhen credoja e penës së Golikut.
 Kur nisma e vargëzimit është përshkrimi drejt “Rrënjëve të gjalla” (7), aty ku me shekuj është derdhur “Gjaku ynë... o gjaku ynë” së cilës i paraprin shënimi përkushtues: “Baba Koços, për shpirtin atdhetar që më dhuroi”, mund të flasim për lidhjen e pashkëputur, jo vetëm të brezave të afërt, por edhe në kapërcime të gjata gjakimesh shekullore për shpirtin atdhetar, sepse “Gjaku, jo nuk bëhet ujë;/ shekujve s’u shkri në kujë” (7). Këtë padrejtësi nuk e rregullon dot as Hyjnesha e Drejtësisë, sado që kërkon parreshtur të vë në peshore emra dhe vlera, por vlerat atdhetare, sipas poezisë, njohin vetëm dy emra që barazohen edhe në peshoren e Hyjneshës: Adem Jashari = Liria. Janë emra me barazvlerë të plotë.
Në tërë librin, mjaft qartë, vjen në shprehje pohimi i Un-it me përkatësi kombëtare, që nënkupton se shkrimtari, monologon me unin e tij, sa herë që s’i duron pabarazitë. Ky është shërbimi shpirtëror që e përkthen thelbin kombëtar para sfidave të jetës, përderisa nuk e zgjedh heshtjen që të mund të nxjerrë në pah një ëndërr, një brengë a dëshpërim. E njëjta gjë është e njohur edhe në përvojën krijuese të F. Kafkës, se: “ai hyri në letërsi qyshkur mundi të zëvendësojë ai me unë...”. Duke i qëndruar bindjes se gjërat e bukura të jetës jetohen me zemër, nuk kanë nevojë për shumë filozofi. Madhështia e tyre është thjeshtësia.
E vërteta e rrëfyer nga poeti, përmes aureolës së emocioneve, dëshiron që përjetimin, krenarinë kombëtare, idealin e heronjëve, ta kthejë në përshkrim të hollësishëm. Kujtesa e mbushur me ironi dhe krenari, oscilon përmes vargjesh në poezinë “Kujtesë”, ku personifikimi i korbit dhe shqiponjës është përshkrimi më i bukur për rikujtesën e brezave. Në to përvijohet kujtesa e gjatë, ngjarjet shqiptare, të imponuara nga ato sllave, sepse janë realitete që dalin nga përvoja e hidhur e ngjarjeve të trishtueshme, si shtrëngime oktapodësh nga ligësia sllave.
     E trajton dilemën e vazhdueshme se, kush rëndon më shumë, heronjtë apo Liria?!
     Pa pasur nevojë për ngritje altaresh a mitizime emrash, poeti e mban të zgjuar kërshërinë e brezit të ri, duke përshkuar në vargje heroizmin, atdhetarizmin përmes vargjesh që transmetojnë emra, si: Vëllezërve Gërvalla, Ukshin Hotit, Vëllezërve Jasharaj, Mustafa Matohitit, Sali Nivicës, Mehmet Shpendit, Isa Boletinit, Hasan Prishtinës, Idriz Seferit, Said Najden Dibranit, Gjin Bua Shpatës, e sa e sa emra që s’guxon t’i shlyejë ndonjëherë historia. Ata do të qëndrojnë edhe kur “Të përplasen erërat,/ dielli le të ndizet.../ Lulet do të çelin,/ koha s’mund të vritet” (23), pasi janë heronj që i përshkon qëndresa dhe flijimi Prometheik.
Poeti këndon me zërin e njëjtë të krenarisë e dhembjes edhe për heroinën shqiptare, si: Qeriba Derajn, Shote Galicën, Zylë komiten, Mbretëreshën Teutë, e të tjera që u flijuan për të njëjtin Atdhe..., Atdhenë e bukur, megjithëse të vrara i ka pranverat, kur: “Shpirtërat tanë fluturojnë mbi plumba,/ nga plumbat kalben trupat tanë./ O plagë e kombit të pafat/ kullon e rrjedh veç vrer e gjak” (69).
Nën ca ritme valësh të brendshme, poeti nuk nguron asnjë çast, të zërë vrapin e frymëmarrjes, ashtu çiltër pa sajesa paradoksesh, as vello jetësh e veprash të padukshme. E dëgjon vëmendshëm vetëm zërin që e shtyn të mendojë për tablotë e shumta të arenave politike, sociale..., ku atdhetarizmi shtrin dhembjen për kohët e trazuara, e krejt kjo është si një shkëputje shpirtërore nga dhembja e përbotshme shqiptare. Me ndërgjegjen e intelektualit dhe Un-in poetik, me sytë që e shohin krimin, djegien e shkatërrimin, fton në rikujtesë për “Masakrën e Hormovës” si dhe “Brezin ’81), sepse “Nëse harrojmë ne,/ ne gurët na kujtojnë,/ nëse ne heshtim sot/ oh, varret e përbashkëta/ dhe gjakun na mohojnë” (54). Pastaj, me krenari pohon: “Ta dish,/ liria ka krahë e zemër shqiponje/... ta dish:/ se jemi shqiptarë” (86). Me një arkitekturë të shumëtrajtshme formësore, përmes figuracionit të pasur, formësohet estetika e vargut, që nxjerr në pah ëndrrën e qëllimin e fisnikëruar të një brezi të tërë, ndonëse periudhash të ndryshme, të cilët bënë vepra të guximshme, meqë joshja e tyre e vetme qe LIRIA.
Poeti vëmendshëm e përmbush aktin krijues duke njohur mirë sfondin e hartës së Atdheut, edhe aty ku ndihet zhurma e mbytur e dhembjes: “U thye shpata e fundit labe në kështjellë./ U var lulja e përgjakur e diellit tej maleve,/ ndërsa osmanët prenë kokat/ e të gjallëve/ e të vrarëve” (Legjenda e qytetit tim, 74-75), si dhe aty ku ngrihet jehona e fitores: “Ndaj gëzoj, gëzoj, gëzoj…/ larg me ëndrrën fluturoj…” (82). Ai frymëzohet në burime të padiferencuara të shpirtit, për të gjithë shqiptarët njësoj, edhe ata të tokës Mëmë, edhe për Kosovën e tij të dashur, edhe ata që padrejtësisht i degdisën hartave të huaja…, si frymëzime paralele që e trazojnë shpirtin e poetit. Me këtë, aludon te “Shqipëri e Skënderbeut” (70), aty më së bukuri e gjen ngjashmërinë dhe përshtashmërinë e idesë së një ideali të vetëm kombëtar.
     Frymëzimi zotërues është pikërisht kjo formë vargëzimi, që e homogjenizon tërë trajtesën tematike. Të bëhet prioritet i analizës, ai çast kur vargjet flasin me gjuhën e transparencës: “Dielli lind nga Shqipëria -/ gjysh stërgjyshi është thënë,/ ndaj dhe në grahmat më të fundme/ do shqiptojmë: Nënë... o Nënë!...” (71). Poezitë e këtij motivi, në fakt krijojnë një poemë që të degdisin larg te “Këngë për sot e për nesër” (83). Në vëllimin “Unë jam unë”, poeti sikur kërkon të çmitizojë ca histori dhe poezinë atdhetare ta ngrejë në një univers tjetër kuptimesh, duke dashur që lexuesit t’i hapë një tjetër mënyrë studimi. Pa dyshim, lexuesit ia ofron pikat lidhëse, deshifrimet simbolike, përmes të cilave dalin në pah edhe ëndrrat e disa brezave.
     Sazan Goliku, nuk dëshiron që ta transformojë vullnetin dhe këndvështrimin e lexuesit as të krijuesit bashkëkohas, thjesht e zbraz shpirtin artistik të brumosur me këtë ndjenjë, në përputhje me të vërtetën historike të kombit, me dhembjet e përkapura brenda individualitetit dhe universalizmit krijues. Poezia e tij nuk është imagjinatë, por lëndë jetësore, megjithëse tërë frymëzimi e ka për trajtesë Atdheun përballë sfinksash.
“Unë jam unë”, mjeshtërisht përçon impulse universale të jetës, të historisë kombëtare, ku e reflekton tërë botën e brendshme të poetit. E shfaq shpirtëroren aq bukur me origjinalitetin e ngjarjeve, e forca shpërthyese e tyre bëhet credo-ja e pashtershme poetike, jo vetëm pas njëqind vjetësh Pavarësi të Shqipërisë, por edhe mijëra vjet më pas ajo do të përçojë po ato impulse të atdhedashurisë, pavarësisht çasteve të ndonjë dualiteti të mundshëm jetësor.

“Zjarr dhe zjarr” novele nga Sazan Goliku


Kjo novelë, një konglomerat origjinal kristalesh letrare, reflekton rrymat e qarkullimit të ndërsjellë të gjakut të kulturës dhe të limfës së fismërisë ndërmjet qytetërimit ilir dhe atij grek, si dy struktura nga më komplekset, me profile origjinale gjuhësore dhe artkulturore të ngjizura më hershëm. Nëpër faqet e këtij rrëfimi shkrihen organikisht në një ind letrar të endur me mjeshtëri paradigmat vizionare që dëshmojnë artistikisht rolin e vetëtimave, të zjarrit të dijeve dhe të emocioneve në formatimin dhë riformatimin gjithnjë më progresiv të qytetërimeve, në rigjallërimin e shpirtit të demokracisë e të frymës së altruizmit, me thëngjinjtë e mizerabilitetit, të zënkave të paparimta, përgjithsisht asimetrike. Duke operuar me jehonën e ansambleve qytetërimore të lashtësisë si lëndë e parë, kjo novelë përditëson natyrshëm mesazhet artistike më të paqme, më fine për tejkalimin e kundërshtive të çdollojshme, për harmonizimin e marrëdhënieve si aspiratë e përhershme e popujve ballkanik, ndonëse nën dritë-hije tragjikomike. Ideja e zjarrit shkatërues, e zjarrit mendjendriçues dhe e zjarrit të pasionit gërshetohen në vetëdijen dhe modelet e sjelljeve të personazhit vetëmohues, Rukipeut, i cili udhëton në linjat e idealit dhe të lartësimit të dinjitetit.

Prof.Dr. Zyhdi Dervishi

Pandeli Koçi: Nuk kemi kritikë për të seleksionuar prurjen e madhe në letërsinë shqipe sot...



Pandeli Koçi: Nuk kemi kritikë për të seleksionuar prurjen e madhe në letërsinë shqipe sot...


Letërsia sot përballet me jo pak probleme, mes tyre mungon dhe ndihma për financimin e botimeve me vlera letrare. Ky është një problem që ka vite në fushën e letërsisë dhe autorët shqiptarë gjithmonë kanë kërkuar ndihmë nga institucionet, ministritë për botimin e veprave letrare. Së fundmi në letërsinë për fëmijë, erdhi Antologjia e Letërsisë “Lule për lulet”, e hartuar nga një grup autorësh. Shkrimtari Pandeli Koçi, ndërsa flet për rëndësinë e këtij botimi që prej vitesh ka munguar, thekson se nga Ministria e Kulturës duhet të jetë më shumë vëmendje me projekte të ndryshme për të ndihmuar autorët. Në intervistën dhënë për gazetën, shkrimtari Koçi flet jo vetëm për projektet në ndihmë të autorëve shqiptarë, por thekson se në fushën e letërsisë ndihet jo pak dhe mungesa e konkurseve letrare, që sipas tij duhet të jenë pjesë e politikave të institucioneve.

Pak ditë ka që ka dalë në qarkullim Antologjia e Letërsisë për Fëmijë (2000-2014) me titull “Lule për lulet”. Si shkrimtar dhe kryetar i grupit të punës që hartoi këtë antologji, çfarë mund të na thoni mbi punën që është bërë për këtë botim?

Prej shumë kohësh është ndjerë nevoja për një antologji të letërsisë për fëmijë, kur dihet që nuk ka pasur një të tillë. Me përpjekjet e shumta për të na përkrahur dhe botuar këtë antologji, edhe pse prej 4 vitesh MTKRS këtë nuk e bëri, vetëm tani nga Ministria e Kulturës na u dha mbështetje për ta botuar këtë vepër. Antologjia përfshin krijime të periudhës 2000-2014, që dëshmon prurjet e reja e cilësore në këtë degë të rëndësishme të letërsisë shqipe. Në grupin e punës kemi emra të njohur letërsisë për fëmijë si Gaip Bushati, Astrit Bishqemi, Riza Braholli, Vasil Premçi, Fatmir Gjestila dhe Xhevat Syla nga Kosova. Synimi ynë ishte çfarë të rejash ka letërsia në këtë periudhë, 2000-2014, çfarë të cilësish, hapat që ka bërë, në cilat drejtime shkrimtarët e kësaj letërsie për fëmijë priren në këtë periudhë që po kalojmë, dhe se sa ata i përgjigjen kërkesave të ditës në kushtet e reja që po kalon shoqëria shqiptare dhe botërore. Në këtë botim janë përfshirë shkrimet e 87 autorëve, që shkruajnë për fëmijë dhe të rinj. Autorët e kësaj antologjie janë nga të gjitha trevat shqiptare, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si dhe nga diaspora.

Si do të shpërndahet ky botim?

Libri duhet të shpërndahet në shkolla, por me ndihmën e një qendre në Shqipëri duhet të shkojë deri në bibliotekat e fshatrave më të largëta të vendit, për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë librin. Të jemi realist, problemi i librit për fëmijë ka të bëjë dhe me mundësitë ekonomike, sa kanë mundësi ta blejnë librin. Duke mos pasur mundësi ta blejnë, duke e pasur në bibliotekën e shkollës, do të ishte ndihmë që libri të lexohej dhe nga nxënësit e zonave më të thella.

Ju pohuat mbështetjen që bëri MK për librin, a ka të tjera bashkëpunime për këtë letërsi?

Ne kemi bërë një letër këto ditë dhe kemi kërkuar mbështetjen e MK dhe për të bërë shpërndarjen e antologjisë në rrethe, por ministria duhet të bëjë një bashkëpunim me shkrimtarët e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, për atë që quhet nxitje përmes konkurseve letrare. Kjo është detyrë e ministrisë. Një konkurs letrar do ta nxiste shumë letërsinë, do ishte përkrahje për të dalë në dritë vlerat më të mira të vitit, por do nxiste dhe autorët. Kjo nuk është bërë dhe ndaj ne kemi këmbëngulur që të ketë një konkurs të tillë. Por ne kemi bërë dhe një tjetër përpjekje, që të kemi dhe një konkurs letrar me autorë të rinj që shkruajnë letërsi për fëmijë. Pse ka dalë ky problem? Gjithmonë pyetet, sa është mosha mesatare që shkruajnë letërsinë për fëmijë, është rreth 70 vjeç. Bëhet pyetja, a ka autorë të rinj të letërsisë për fëmijë? Natyrisht që ka, por nuk kanë mundësi që të botojnë libra, sepse dhe shtëpitë botuese kanë interesat e tyre. Nuk kanë përkrahjen e duhur për t’u redaktuar që të pasqyrohen me shkrimet e tyre më të mira. Pra për këto probleme, një konkurs letrar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, do të ishte ndihmë që autorët e rinj të njihen dhe lançohen.  

Po flisni për konkurset letrare, çfarë mund të na thoni mbi çmimet letrare që ndau këtë vit Ministria e Kulturës, ishin dy të tillë?

Çmim për letërsinë për fëmijë nuk u dha në Panairin e Librit me pretendimin absurd se nuk kishte prurje. Edhe Ministria e Kulturës këtë vit dha vetëm dy çmime për letërsinë, një çmim për veprën letrare dhe një për përkthimin. Duket se MK s’e ka pasur mundësi, por duhet që gjithmonë në Ministrinë e Kulturës të jetë një çmim për letërsinë për fëmijë dhe të rinj. Më herët ka pasur dhe zëra nga juri, që nuk ka pasur letërsi për fëmijë, një pretendim idiot, është gabim i madh, është një shpërfillje, injorim që i bëhet një pjese të rëndësishme të letërsisë shqipe, duke rënë në një “koncept tregtar”, që vetëm letërsi e huaj është me vlera. Por botuesit duke pasur interesat e tyre, duke zgjedhur ilustrimet e bukura, duke zgjedhur nga bota shkrimet më të mira, ata injorojnë botimet e letërsisë shqipe. Kjo është fyese për letërsinë shqipe dhe mendoj se kjo vjen dhe nga mosnjohja. 

I njohur në botën e letërsisë për fëmijë, ju keni botuar dhe vepra në letërsinë për të rritur. Çmimet Kombëtare të Letërsisë kanë për qëllim të vlerësojnë titujt më të mirë të hapësirës mbarëkombëtare letrare, këtë vit ishin dy çmime, më herët ishin disa vlerësime Penda e argjendtë, etj. Ju si e shikoni këtë ndarje çmimesh, më mirë dy apo të jetë praktika si më herët? 

Juritë janë juri, kanë dhe ato elementët e tyre, por ne nuk mund të vlerësojmë sot, që ky libër ka vlerë apo jo, pasi kjo i takon kritikës letrare dhe studimeve. Rëndësi ka që duhet të vazhdojë praktika që të jepen çmimet letrare, qoftë si jepeshin çmimi i parë, i dytë, i tretë, etj, apo dhe çmime me emrat e autorëve të njohur shqiptarë si çmimi Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, etj. Pavarësisht emërtimeve që ato kanë, për letërsinë shqipe është mirë që tradita e çmimeve të vazhdojë. Gjithmonë ka pasur debate për çmimet letrare. Është dhe subjektivizmi, që rrjedh nga vetë autorët, por dhe nga një frymë klanore që mendohet se ekziston qoftë në krijimin e jurisë dhe me subjektivizmin e pashmangshëm, që mund të ketë juria sado e specializuar të jetë. Subjektivizma do ketë, por ama nuk mund të mohojë kush që përkthimi “Orlandi i çmendun” i Ariostos që erdhi në shqip nga Guljem Deda nuk ishte shumë lart. Të gjithë u kënaqën që mori çmimin një përkthyes i tillë për një kryevepër botërore. Ju thashë që subjektivizmat do jenë gjithmonë, mund të ketë dhe frymë klanore, por këto nuk është mirë të gjykohen pa lexuar veprat. Që të gjykosh një juri, duhet të ketë juri tjetër që të gjykojë atë.

Më herët keni pohuar se Ministria e Kulturës duhet të nxisë dhe botimin e veprave të autorëve të traditës në letërsinë shqipe. Çfarë kërkoni për këtë nga projektet e ministrisë?

Ministria e Kulturës mund të inkurajojë dhe të nxisë autorët e letërsisë përmes projekteve të ndryshme. Në Kosovë një shkrimtar me vlera nëse bën një projekt dhe nuk ka para për botime, atij i jep një mundësi për botim ministria. Edhe tek ne ajo, që duhet të bëjë jo vetëm Ministria e Kulturës por ndoshta dhe Ministria e Arsimit, është që për kryeveprat e letërsisë shqipe të traditës sonë të financojë. Ministria mund të ndihmojë botimin e Naim Frashërit për fëmijë, të Ndre Mjedës, Fishtës, etj. Këto vepra të traditës po nuk u financuan për botime nuk vijnë tek lexuesit. MAS mund të jetë ndihmesë për veprat nëpër shkollat në orët letrare, dhe MK të nxisë botimin e tyre.  Këta janë autorë të traditës që nuk jetojnë më, atëherë duhet që ministritë të kenë projekte që ta ringjallin këtë letërsi, duke nxjerrë vlerat që i qëndrojnë kohës, duke nxitur ribotimin e veprave.  

Letërsia shqipe ka zhvillimet e saj, por sipas jush ku janë prirjet e saj sot?

Të flasësh për prirjet e letërsisë sot, tematike, ideore, artistike, është e vështirë. Në kushtet tona të mungesës së studimeve të mirëfillta letrare për letërsinë bashkëkohore ose të një mungese të një kritike letrare që ta ndjekë me seriozitet zhvillimin e letërsisë, nuk mund të flitet. Unë mund të jap një mendim por do jetë subjektiv, sepse kushtëzohet nga prirjet e mia, shijet e mia, dhe nuk mund të flas për zhvillimet. Ne kemi prirjet tradicionale në letërsi, në prozë, poezi, por kemi dhe prirjen të tjera që i kapërcyem moderne dhe postmoderniste. Kjo liri që kanë autorët jep një larmi në letërsinë shqipe. Problemi qëndron sa këto vepra lançohen nga kritika letrare, sa jepen këto reale tek lexuesit. Shpeshherë njerëz që nuk kanë aftësi letrare por kanë aftësi për të bërë reklamë të veprave të tyre lançohen dhe serviren si gjërat më të bukura të shkruara. Nuk jam i pari që them se nuk kemi një kritikë të mirëfilltë. Mungon ajo që quhet kritikë konstruktive e vazhdueshme nga njerëz të specializuar për këtë fushë, nuk kemi kritikë për të bërë seleksionimin e kësaj prurje të madhe në letërsinë shqipe sot. Nuk ekziston kritika dhe e kam pohuar dhe më herët për arsye financiare, nuk paguhet.

Intervistoi: Julia Vrapi
Gazeta “Sot” 23 dhjetor 2014