Pandeli Koçi: Ministria e Kulturës nuk e dëgjon zërin e shkrimtarëve/ Intervistë



Pandeli Koçi: Ministria e Kulturës nuk e dëgjon zërin e shkrimtarëve, të heqë dorë nga mbështetja selektive


Për shkrimtarët problemet vijojnë. Viti që shkoi u mbyll me jo pak vështirësi për krijimtarinë, por dhe këtë vit sipas tyre nëse nuk ndryshon mendësia që Ministria e Kulturës ka për autorin dhe librin shqip gjendja do të jetë e njëjtë. Në 75-vjetorin e tij shkrimtari Pandeli Koçi tregon se ndihma që jepet për autorët dhe krijimtarinë letrare është në minimumin e saj. Në intervistën e tij ai pohon se Ministria e Kulturës duhet të ndryshojë mendësinë, të jetë më pranë dhe ti ndihmojë më shumë autorët. Problem sipas shkrimtarit Pandeli Koçi mbetet dhe ajo që ai e cilëson si një përzgjedhje selektive të ministrisë kur flasim për autorët. Për të kjo përzgjedhje duhet të bëhet vetëm mbi bazë të vlerave. Pjesë e intervistës me shkrimtarin, i cili dje prezantoi dhe librin e tij më të fundit është dhe vëmendja për autorët e rinj, që sipas tij nuk vlerësohen sa duhet.

Si ka nisur ky vit për ju kur flasim për krijimtarinë tuaj letrare?

Një vit që kërkon shumë, pavarësisht gripit që ka rënë në gjithë vendin. Një vit, që unë pretendoj shumë që të punoj. Unë kam bërë një premtim, ato që nuk realizova gjatë vitit që lamë pas mendoj ti realizoj gjatë këtij viti. Por se sa do të realizohen, kjo varet dhe nga mosha që kam unë. Unë kam gati disa libra për të botuar. Një vëllim me poezi, një novelë për fëmijë, disa libra për letërsinë për fëmijë që janë gati për shtyp. Një vit që e shikoj me veprimtari, por ajo që unë dua të realizoj këtë vit janë dhe shkrimi i kujtimeve. Duke qenë 75 vjeçar, njeriu në këtë moshë fillon dhe kujton se çfarë do të thotë nga ato që të tjerët nuk e kanë përjetuar. Kjo do ishte një nga dëshirat e mia, që të shkruaj disa nga kujtimet e mia dhe të familjes sime.

 Në 75 vjetorin tuaj u bë dhe prezantimi i librit tuaj “Aksion në shkumën e vaskës”. Në tregimet e rrëfenjat tuaja vjen realiteti, si e përcjell te lexuesi?

Ky libër është në vazhdën e botimeve të tjera, që unë shkruaj me tregime dhe rrëfenja, parabola, mikrodialogje, të cilat synojnë që të pasqyrojnë këtë realitet kaos që ne e përjetojmë me dhimbje. Por sërish brenda këtij realiteti kaotik deri absurd që kemi, ne do ta gëzojmë jetën. Mjetet e mia artistike për ta pasqyruar këtë realitet janë alegoria, simbolet, janë paradokset dhe mbi të gjitha është ironia mjeti me të cilën unë e perceptoj, por dhe e shpreh këtë realitet që ne jetojmë. Në 75 vjetorin tim që u prezantua dhe libri im më i fundit mendova që të bënim dhe një diskutim kritik, jo një përurim libri.

Edhe më parë ju keni pohuar se mungojnë diskutimet kritike për librin. Kjo mungesë si ndikon në krijimtarinë letrare?

Ne zakonisht bëjmë promovime të librave, një festë të librit. Dikur bëheshin diskutime krijuese, por për mua janë diskutime letrare ose kritike, ku mblidhen shkrimtarë, studiues, artistë, emra që janë të kësaj fushe, të cilët japin mendimet e tyre, vërejtjet, sugjerimet. Kjo do të ishte shumë më produktive për librin dhe realiste për të përcaktuar vlerat e një libri të ri. Por në Shqipëri këto diskutime kritike mungojnë, ndaj unë librin tim e prezantova me këtë mënyrë, pra me një diskutim kritik. Në Shqipëri duke mos pasur një institucion siç ishte dikur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ne sot nuk kemi mundësi për librin. Sot ish godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve duhet ti kthehet sërish bashkësisë së shkrimtarëve dhe artistëve. Ajo të kthehet në atë që unë mendoj ta quajmë Shtëpia e Artit, dhe aty të kenë zyrat e tyre shoqatat e shkrimtarëve, artistëve, piktorëve. Nëse Shoqata e Shkrimtarëve për Fëmijë do kishte një zyrë, apo ajo e prozatorëve të rinj, kjo do të ishte shumë e mirë, ku ata do të bënin aktivitetet e tyre me një administrator i paguar nga ministria. Në këto salla në këtë institucion secila nga shoqatat që rrinë lart e poshtë për aktivitetet e tyre do ti ndihmonte shumë kjo gjë. Ajo është një godinë që po rri bosh dhe mendoj se duhet ta ketë Ministria e Kulturës ndërtesën e ish LSHA, dhe ajo të quhet Shtëpia e Artit. Unë këtë ia bëj si propozim edhe Ministrisë së Kulturës edhe kryeministrit, të jetë një vend ku të mblidhen shkrimtarët dhe artistët, të flasin dhe të diskutojnë për problemet, të diskutojnë për vlerat.

Jeni shprehur se dhe viti që kaloi i përballi me jo pak probleme autorët shqiptarë. Për ju si ka ndikuar kjo në krijimtari?

Shkrimtarët janë përballur me probleme të shumta. Një nga më shqetësueset ka qenë botimi i letërsisë origjinale shqiptare. Shtëpitë botuese gjithmonë kanë qenë hezituese dhe me të drejtë, duke qenë pjesë e biznesit ato shikojnë gjithmonë fitimin dhe nuk shikojnë atë kërkesë që e ka hedhur dikur dhe Faik Konica, që ne duhet të botojmë 50 përqind nga letërsia shqipe dhe pjesa tjetër letërsi e huaj. Krahas përfitimit të tyre, që është normale, shtëpitë botuese duhet të kenë dhe përparësi për letërsinë shqipe. Problem tjetër, vazhdon mungesa e kritikës letrare. Në organet e shtypit tonë duhet të hapen dhe faqe për librin. Mbi të gjitha autorët nuk kanë vëmendje, nuk ka ndihmë. E them këtë sepse neve na mungon hierarkia e vlerave. Kjo do të thotë që të lançohet, të nxirren në dritë vlerat reale të letërsisë, gjë që duhet ta bëjë një kritikë e specializuar. Ministria e Kulturës ndihmon autorët shqiptarë aq sa e ka horizontin e dijes dhe interesin për të lançuar vlerat.

Por sa ka qenë sipas jush ky interes nga ministria për të promovuar dhe lançuar vlerat letrare?

Nuk mund të them që i ka mohuar, sepse herë pas here ministria ka dhënë çmime, ka dhënë tituj, por këto janë gjithmonë brenda subjektivitetit të atyre që e drejtojnë Ministrinë e Kulturës. E them këtë sepse ministria nuk po merr një mendim më të gjerë të lexuesve apo shkrimtarëve. Ministria e Kulturës duhet të luftojë subjektivizmin në vlerësimin dhe ndihmën, që iu jep letërsisë dhe arteve.

Për çmimet kombëtare të letërsisë që ndan Ministria e Kulturës, zërat kritikë në organizimin e tyre nuk kanë munguar. Në gjykimin tuaj këto çmime?

Unë nuk diskutoj vlerësimet e jurive, që bëhen në çmimet kombëtare të letërsisë. Por unë gjykoj se cilët janë ata njerëz, që i caktojnë emrat në juri. Mendoj se duhet të gjenden rrugët, që njerëzit që do të bëjnë përzgjedhjen e emrave të jurisë, të jenë më cilësorët.

Ju folët për probleme që shoqëruan autorët në vitin që lamë pas. Çfarë prisni këtë vit?

Këtë vit dëshiroj që të botohet një antologji e autorëve të rinj, që shkruajnë për letërsinë, por para kësaj duhet të bëhet dhe një konkurs letrar. Mungojnë konkurset letrare me autorët e rinj deri në moshën 25 vjeçare që shkruajnë për fëmijë. Nëse do të kishte konkurse, në këtë mënyrë ne do të lançojmë dhe emrat e autorëve të rinj, për ti nxituar që të ecin përpara në krijimtarinë letrare. Ministria e Kulturës ka hapur fonde për letërsinë, por ajo që jepet nuk është e mjaftueshme. Po ti krahasojmë këto fonde që jepen në Maqedoni apo Kosovë për librin, në Shqipëri janë shumë të pakta. Me këto fonde Ministria e Kulturës jep minimumin për autorët shqiptarë në krijimtarinë letrare. Unë uroj për këtë vit që ka nisur të bëhet një përmbysje e mendësisë së Ministrisë së Kulturës për autorët shqiptarë, që të ketë më shumë kujdes dhe vëmendje në vlerat e letërsisë. Por dhe që të arrijmë 50 përqind botim të letërsisë shqiptare me atë të huaj. Të ndryshojë mendësia e ministrisë, sepse këto vite autorët janë ndihmuar, por në mënyrë selektive. Problemi qëndron se kush e bën këtë seleksionim të autorëve nga Ministria e Kulturës? Sa të hapur janë ata në ministri, sa transparentë janë, apo mbahen vetëm tek disa emra, kur ne presim që të lançohen sidomos autorët e rinj. Kjo është kryesorja, dhe që të ndihmohen duhet të njihen. Por si? Duke u botuar veprat e tyre. Ekzekutivi thotë gjithmonë gjëra pozitive për veten, por ministria nëse ka dëshirën duhet të reflektojë ndaj problemeve aktuale dhe zërit të shkrimtarëve. Më vjen keq që e pohoj, por nga Ministria e Kulturës nuk është dëgjuar sa duhet zëri i shkrimtarëve të njohur, pak të njohur dhe sidomos të autorëve të rinj.

 Intervistoi: Julia Vrapi
Agjensia e Lajmeve Sot News
7 janar 2017


Libri i ri i Sazan Golikut "Aksion në shkumën e vaskës" – tregime dhe rrëfenja

  Libri i ri i Sazan Golikut "Aksion në shkumën e vaskës" – tregime dhe rrëfenja

By | July 13, 2016 
 
pandilibriv 
 
Sazan Goliku është emri letrar i Pandel Koçit. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji, dega e gjuhë-letërsisë shqipe, në Tiranë. Ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar dhe redaktor letrar në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqipe në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar e botuar poezi e prozë dhe letërsi për fëmijë. Nga krijimtaria e tij janë përfshirë në disa antologji brenda dhe jashtë vendit. Në mjaft shkrime kritike i është vlerësuar pozitivisht krijimtaria artistike. Është marrë me studime e kritikë letrare, recensione dhe ese. Ka qenë përherë i pranishëm e aktiv në diskutime e debate letrare dhe në radio e televizione me biseda e intervista për probleme të letërsisë shqipe. Nga viti 2008 ka drejtuar Shoqatën e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe vendore.

* * *

Libra me prozë të autorit:
Pasqyra e thyer, 1972
Aventurat e lirisë, 1996
Komitët e Malit të Bardhë, 1999
Trekëndëshi i qiellit të zi, 2006
Zjarr e zjarr, 2015
Aksion në vaskën e banjës, 2016
sazani

Në shënimin e tij në kopertinën e kësaj përmbledhjeje të re me tregime e rëfenja, redaktori, Prof.Dr. Zyhdi Dervishi, ka shkruar: 

“Ky libër i Sazan Golikut përngjet me një abazhur kompleks artistiko-letrar të teknologjisë më të avancuar që me rreze valëshkurtëra rrëfenjash dhe me rreze valëmesme tregimesh rilevon profilet kryesore të shoqërisë shqiptare, mekanizmat psikokulturor të ndryshkur dhe modernizues të saj, të cilët bashkëfunksionojnë nëpërmjet ngërçeve dhe dhimbjeve të shumëfishta deri traumatizuese.
Ky vëllim me proza të shkurtra, i parashtruar me gjuhë artistike mjaft lakonike (çdo fjalë dhe figurë letrare është në vendin e vet të përllogaritur gati matematikisht me përvojën e pasur shumëvjeçare të autorit në fushë të shkrimtarisë) paraqet me logjikë simbolike artistike e shoqërizuese të tjetërsuar dhe tjetërsuese fatet e shqiptarëve të përhumbur në shtjellën e kontradiktave të shumëllojshme dhe mjaft virulente që veprojnë brenda një amplitude të gjerë: ngjarjet tragjike përthyhen në një tis ironie, e rëndomta pluskon të ngrihet në kuotat e të mbizakonshmes, realja dhe fantastikja kërleshen dhe ndërrojnë vend me njëra-tjetrën, qesharakja vërtitet rreth një boshti serioziteti disi fluid etj.

Mbi krijimtarinë e Sazan Golikut- nga Prof. dr. Klara Kodra

KONCIZITETI DHE URTËSIA FILOZOFIKE E NJË AUTORI
 


Nga Prof. dr. KLARA KODRA

Pandeli Koçi, me emrin letrar Sazan Goliku, është nga ata autorë shqiptarë që patën fatin e mirë a të keq të rrokin me krijimtarinë e vet dy periudha letrare, periudhën e realizmit socialist, një drejtim letrar ky me program estetik të imponuar nga lart dhe periudhën që mund të quhet si e pluralizmit të drejtimeve, që koincidon me periudhën e pasdiktaturës ku kryqëzohen modernizmi, pasmodernizmi dhe një lloj i veçantë realizmi, pra dy periudha antitetike, një periudhë rregullash strikte gati mbytëse dhe një periudhë lirie të skajshme.
Ky autor i përket brezit letrar të pasluftës që nuk njohu drejtim tjetër veç realizmit socialist, po më të  talentuarit e të cilit u përpoqën me ngulm për të gjetur të çara në koracën e hekurt të rregullave të një drejtimi estetik, realist vetëm nga emri, në  realitet një  lloj i ri i neoklasicizmit asfiksues që  ishte në kundërshtim si me realizmin kritik tradicional ashtu edhe me romantizmin dhe  modernizmin. Ky drejtim, realizmi socialist, pretendonte të ishte një lloj më i lartë realizmi i shkrirë me romantikën e së ardhmes, po degjeneroi nëpërmjet ideologjizimit të skajshëm.
Avangarda e viteve 60-të e formuar nga treshja e njohur Kadare-Agolli-Arapi kishte arritur ta sfidonte këtë drejtim duke futur në të në mënyrë të fshehtë elemente të realizmit dhe të modernizmit. Brezi i mëvonshëm e vazhdoi këtë luftë me censurën dhe vetëcensurën, duke fituar disa herë dhe herë të tjera duke u mposhtur.
Ky brez e luftoi  në mënyrë tjetër retorikën pompoze të letërsisë zyrtare, nëpërmjet një lloj  neoromantizmi me prirje lirike duke u kënduar temave të përjetshme të dashurisë dhe të natyrës, duke krijuar një lloj kulti të fëmijërisë, pafajësia e së cilës himnizohej pikërisht se ishte në vetvete antiteza e butaforizmit zyrtar dhe duke luftuar ashpërsisht me redaktorët konformistë.
Në fillimet e veta Pandeli Koçi, përfaqësues i këtij brezi, shkruante proza poetike të përshkuara  nga një lirizëm fin.
E veçantë në rrugën e tij krijuese është dukuria e kalimit nga proza në poezi në kundërshtim me rrugën e shumicës së autorëve nga poezia në prozë. Që nga koha e sprovave të para Pandeli Koçi ka ecur gjatë duke u shtrirë edhe në krijimtarinë për fëmijë. Ka botuar vëllime me skica dhe proza poetike për të rritur, vëllime me lirika dhe krijime në prozë dhe në poezi për fëmijë që rrokin dy periudhat karakteristike e përmendura më lart dhe dëshmojnë për një evolucion drejt pjekurisë  kur lirizmi bëhet më i përmbajtur dhe konciz.
Pandeliu është nga ata autorë që këndojnë me zërin e vet si porosit liriku i ëmbël Esenin, të atyre  autorëve që, edhe nëse nuk arrijnë të bëhen bilbila, pranojnë  të këndojnë si mëllenja, si  gushëkuqë, madje edhe si bretkosë, po të parafrazojmë prapë Eseninin, që këndojnë “natyrshëm”, si porosit poeti tjetër lirik, latini Horac.
Fakti që Pandeli Koçi shkëlqen në mënyrë të veçantë në llojin e shkurtër, si në prozë ashtu edhe në poezi, lidhet me vetvetishmërinë dhe çiltërsinë e këtij autori dhe me vlerën që ai i jep fjalës. Pandeliu është nga ato autorë që kanë pasur nga natyra shkëndijën e talentit dhe ka ditur ta shndërrojë në flakë, pavarësisht sa lart është ngritur kjo flakë dhe në ç’hapësirë është shtrirë.
Është një nga autorët që shkruajnë vetëm kur kanë diçka për të thënë dhe kjo e ka ruajtur nga inflacioni i fjalës.
Në vëllimet e tij poetike të viteve të fundit të bëjnë veçanërisht për vete përmbledhjet me poezi “Petale të rëna” dhe “Turbull”. Në këtë vëllim të fundit, Pandeliu ka zbuluar një lloj të veçantë  strofe treshe që s’është as tercinë, as haiku, s’ka emër të përcaktuar, po mbetet origjinale.
Në këto vjersha ndeshim aforizma dhe paradokse, konçizitet dhe urtësi filozofike. Lirizmi, ky tipar i përhershëm i poezisë së autorit, rrjedh si rrymë e nëndheshme në thellësi.
Poeti vizaton edhe vija, edhe vizatime gjeometrike që çuditërisht ngjyrosen erotikisht: “Harkut të hollë të hënës/ harkut të buzës sate/ rri varur rrëzimi dhe ngritja ime”. “Kryet e ftohtë të zgjatushit/ kujtojnë me ofshamë/ pyjet e dendur të Afërditës”. Në këto vëllime individualiteti  krijues i Pandeliut njeh një shpalosje më të qartë e të thellë, një pasurim, po tek ai vazhdon të ziejë vera e entuziazmit poetik që, duke u vjetëruar, është bërë më e shijshme. Autori ka ruajtur rininë e shpirtit, thesarin e çmuar të frymëzimit. Pa dashur të idealizojmë si romantikët poetët dhe shkrimtarët, jemi të bindur që një shkrimtar ka moshën e frymëzimit të tij. Prandaj ky autor  shtatëdhjetëvjeçar ka zjarrin e pasioneve të një  njëzetvjeçari në poezinë e tij dhe shpresojmë që ai  të ecë më tej në rrugën e vet krijuese me pjekurinë e viteve dhe flakën rinore të frymëzimit.
 

Poezi për Arbërin tim - nga Sazan Goliku

POEZI PËR ARBËRIN TIM...
Nga SAZAN GOLIKU


TRIPTIK

Ngazëllim

Arbëri im
ende nuk ka mbushur një javë
që ka çelur në këtë botë të vjetër dhe
shurrën e hedh përpjetë,
pi pa paguar faturë me TVSH dhe
fle seriozisht, shpërfillës ndaj reformës në drejtësi.
Mami dhe dy gjyshet i bëjnë roje gjumit dhe ëndrrave të tij.
(Thuhet fle me engjëjt se dhe vetë është ëngjëll)

Ia shohim fytyrën si një mrekulli të botës. Në të vërtetë
rrekemi të shohim tek ai fytyrën tonë të plakur
Fytyra e tij fluturake –
aq e ngjashme  dhe aq e ndryshme nga jona.

Arbëri im
nuk e di që e quajnë Arbër dhe pse është i tillë.
  

Ëndërrim

Arbëri im – pëllumb i bukur,
filiz i brishtë i trungut rrënjëthellë.
Mbyll sytë. Vigan të imagjinoj…
Rekesh e përpëlitesh, ndeshesh e përleshesh mes
xhunglës së librave elektronikë,
rrjetave të pazbërthyeshme të formuleve,
shifrave marramendëse,
termave të panjohura për ne sot,
simboleve enigmatike…
Fluturon pa flatra, vrapon si Muku i vogël, noton si delfin
 – dritëdhënës i gjallë
me prush ambicioni, me hekur vullneti, me zemër Njeriu.
Hap sytë. Më duket sikur ti
më shkel synë e nënqesh Arbëri im
pëllumb i bukur me krah drite.


Besim

Arbëri im,
unë s’jam falltar
(fatkeqësisht nuk besoj në profeci), po e di
udha jote s’do të jetë e shtruar me lule e margaritarë.
Gjembat e ngulur në shputat e këmbëve
vetë do t’i heqësh,
kallot në thembra do të nxisin të ecësh më shpejt
mbi akull e mbi gurë, mbi rërë e mbi llucë.
Malet e fushat, detet e qiejt me zemrën tënde
do t’i ngjitësh e rrahësh pa u penduar.
Fytyrat e gjyshërve në foto
do t’i vëresh krenar,
për të parë tek ata
veten.

28.6.2015