Pandeli Koçi (emri letrar Sazan Goliku)
ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në
Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar
në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me
botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij
krahu të letërsisë shqiptare në UT. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar në sektorin
e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë e letërsi për
fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me studime e kritikë letrare, recensione
dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë. Ka qenë
bashkëredaktor i Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë (1998). Nga viti 2008
është Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj.
“Mali i Hotit në Letërsinë shqipe”
Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin
Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar,
si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë
aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qënë
ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës. Nga
viti 1981 – 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të
Republikës. Ka qenë redaktor e bashkëpunëtor i disa revistave shkencore. Ka
shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh. Është marrë
me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Ka botuar 12 libra për të
rritur dhe 31 libra për fëmijë. Është fitues i disa çmimeve kombëtare dhe
vendore. Është kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e
të Rinj që nga viti 2008.
Sazan Goliku
MALI I HOTIT NË LETËRSINË
ARTISTIKE SHQIPE
(kumtesë)
Si pjesë e pandarë dhe e pandashme e tokës dhe e kombit shqiptar, edhe
krahina e Hotit është dalluar ndër shekuj për vlerat e larta morale, luftarake
e kulturore.
Vetë populli i ka përjetësuar në këngë periudhat e çastet historike,
ekzistenciale e fatale të kombit tonë, por edhe poetët tanë e kanë ngjyer penën
në heroizmin shoqëror e individual në luftërat për liri, identitet e përparim,
duke na lënë vepra të denja për të shkuarën, të tashmen e të ardhmen; vepra që
frymëzojnë brezat me ndjenjat e trashëguara të atdhedashurisë, të shpirtit të
lirë, të krenarisë shqiptare.
Nga hulumtimet tona në historitë e letërsisë shqipe, në bibliografitë, në
libra, gazeta e revista kemi vërejtur se krijimet letrare që kanë për motive,
subjekte e problematikë krahinën e Hotit nisin që në dhjetëvjeçarët e fundit të
shekullit XlX dhe vijon deri në ditët tona. E gjithë kjo krijimtari, duke qenë
shkruar nga autorë të ndryshëm, të njohur e pak të njohur, në kohë e rrethana e
vende të ndryshme, si dhe me stilet ndryshme, krijon një mozaik ku mbizotërojnë
ngjyrat e lirisë, të dashurisë e të mallit për atdheun.
Nuk është rastësi që At Gjergj Fishta (1871-1940),
princ i i epikës shqiptare, u ka kënduar gjerësisht Hotit e hotjanëve në
kryeveprën e tij “Lahuta e Malcis” në pesë këngë: “Lidhja e Prizrenit”(IX),
“Marash Uci”(XII), ‘Te kish e Shën Gjonit”(XIII), “Te ura e Rrzhanicës”(XIV),
“Dedë Gjon Luli”(XXVIII), në tridhjetë këngë që ka gjithsej kjo vepër. Edhe pse
është një poemë epope me shtrirje mbarëkombëtare, poeti i jep një hapësirë
relativisht të gjerë përshkrimit të heronjve, ngjarjeve historike, betejave të
krahinës së Hotit. Këtu nuk kemi të
bëjmë me parapëlqim të veçantë të poetit ose me doza të pashpjegueshme
subjektivizmi. Roli historik i kësaj krahine shqiptare, në kuadrin e
përgjithshëm të luftërave dhe
përpjekjeve për liri e pavarësi të popullit tonë, ishte tepër i dukshëm,
nismëtar dhe përcaktues në disa momente kyçe e fatale të lëvizjes shqiptare
kundër armiqve shekullorë, por edhe kundër “miqve” të djeshëm, që ishin dhe
mbetën armiq të rrezikshëm grabitqarë,
të cilët ditën dhe mundën, edhe me ndihmën e fuqive të huaja, të përfitonin nga
dobësitë tona.
Vlerat shpirtërore e morale të hotjanit
shpalosen bindshëm në këngën XII të ”Lahutës së Malcis” nëpërmjet figurës së
Marash Ucit, i cili përshkruhet si një
trim i rrallë dhe si këshillues dhe edukator sui generis i brezit të ri, që përvojën e urtësinë e vet e jep
bashkë me traditat popullore të vendit: “Prore Mashi djemve t’Hotit/ U
kallëzonte punët e motit,/ Punët e motit, punë trimnie,/ Si shqiptari mbas lirie/ E mbas
besës e s’bardhës fe/ Bante vdekjen si me le/... E dëgjojshin fjalët e tia/ Si
kah pushka, ashtu kah urtia.”1)
“Te
kisha e Shën Gjonit” (kënga XIII) bajraktari Çun Mula, i bën thirrje
ndjeshmërisë atdhetare të krerëve të Hotit: “Pra, le t’çohet n’kambë djemnia,/
Oret çuet pse e ka Shqipnia;/ Me të vetë
asht Perëndia./ S’e ngul knjazi n’Hot bajrakun,/ S’e rrit m’ne, jo, Karadakun,/
Pasha armët që m’i la baba!/ Po na vjen kortarë mbi kërraba./... T’rrahim benë
si t’na japë feja,/ (Kush e theftë, atë
e vraftë beja!),/ Se qëndrojm’, eh, gjofti rr’feja!/ Porsi t’parët na pa’n qëndrue/
T’cilët për t’gjallë s’kanë me u harrue.” 2)
Krerët e Hotit të frymëzuar e të bashkuar me kushtrimin “Prej shtatë vjetsh e
n’shtatëdhjetë vjet” u sulën t’i delnin përpara armikut. “...Kur ushtria
malazeze kaloi kufirin e vjetër, tek
ura e Rrzhanicës dhe në një varg pikash
të tjera, u ndesh me pararojat shqiptare. Pas një shkëmbim zjarri, në të cilën
të dy palët lanë të vrarë e të plagosur, ushtria malazeze u tërhoq në Podgoricë.”
3) Pikërisht te kënga XIV “Te ura e Rrzhanicës”
Fishta përshkruan këtë betejë e fitoren
e malësorëve shqiptarë. Ai shpreh qartë aspiratat e luftëtarëve: “Mos t’korisim
Gjergj Kastriotin,/ Mos t’korisim ne sot Hotin,/ Marre vetit mos t’i lamë./ Mbarë
Evropa asht çue n’kambë/ ...Si luftojnë shqiptar e shkja./ Ma mirë vdekë nën
dhe me u qa/ Se për t’ligshtë ne me na sha!/ Se për t’gjallë me ndejë nën
shkja!” 4).
Notat heroike
të vargjeve të Fishtës vijnë duke u ngritur në kreshento në këngën “Dedë
Gjon Luli”. Naracioni i vrullshëm në pasqyrimin e kryengritjes kundërosmane
shoqërohet me portretizimin e
luftëtarëve shqiptarë e të akteve të tyre heroike. Figura e Dedë Gjon Lulit
karakterizohet me penelata të dukshme për guximin e urtësinë e tij: “N’atë
Malci, n’atë Rapshë të Hotit/ Dedë Gjon Luli, burrë si motit,/ Me ‘i çetë Lekë,
bisha shkorretit,/ Ka nisë pushkën n’asqer të mbretit!/ Dedë Gjon Luli ‘i shpatë
e gjallë,/ Shtrembnon kësulën, del në shkallë,/ Bedri Pashës po i çon ai
fjalë...” 5). Vargjet “Na asht
rreshkë shtati n’flakë t’barotit,/ Tue u
gri e tue u vra/ Herë me turk e herë me shkja” të trandin me vërtetësinë që
mishërojnë. Ato janë një sintezë kuptimplote e brendisë dhe ideve të “Lahutës
së Malcis”.
Është domethënës fakti që edhe poeti i shquar
Dom Ndre Mjedja në poemën e njohur sintetike “Liria”, një nga kryeveprat e
poezisë shqipe, ngre një himn për lavdinë e trimërisë hotjane: “E këqyrë: ndër
male po përhapet shkëndija / E lirimit t’Atdheut; mbshehtas shëtiti/ kësollë për kësollë rreth bunave e soditi/
frymë të re tui shprazun për gjithkahna,
hija/ e Skanderbegut. Që ndër djepa rrisin/ nanat e Hotit djelmënin ushtore,/ e
idhnim n’anmikun nëpër gji iu qisin.” 6).
Këtë ide Mjedja e përforcon me një metonimi të goditur edhe te poezia “Gjuha
shqype”, kushtuar albanologut Gustav Meyer, çka flet për jehonën e emrit të
Hotit në mjediset shqiptare e më larg: “Prej Tivarit e n’Prevezë/ nji a gjuha e
kombi nji,/ ku lëshon dielli njato rreze,/ qi veç toka e jote i di./ Ku n’breg
t’Cemit rritet trimi/ me zbardhë, Shqype, zanin tand,/ e ku Drini a burimi/
qi shpërndahet kand e kand.” 7)
Shumë poetë e prozatorë si Luigj Gurakuqi, Hilë
Mosi, Risto Siliqi, Mihal Grameno, Haki Stërmilli etj. kanë qenë njëherësh edhe
luftëtarë të drejtpërdrejtë në beteja, edhe autorë shkrimesh letrare,
publicistike e kronikash që e kanë ngjyer penën në gjakun e derdhur për liri.
Këtë e spikat edhe Fishta te “Lahuta e Malcis” për Hilë Mosin: “...N’Deçiq rra
ka ’i djalë i ri,/ Ai Hilë Mosi, pushkën n’dorë,/ N’parzme flamurin kuq e zi/ Se ky Hila, djalë
shkodran,/ Për liri të kësaj Shqipnie;/ Mbathë e zbathë, ngranë e pa ngranë;/
T’rijtë e jetën ba kish flije.” 8)
I tillë ka qenë edhe mësuesi Palok Traboini,
bashkëluftëtar i Dedë Gjon Lulit. Vetëm vitet e fundit u rizbulua poema e tij
“Lufta e Maleve”, e shkruar në Prizren më 1911. Në librin “Flamuri në Deçiq,
1911” të Palok Traboinit, në shënimin në fund të poemës thuhet: “Poema “Lufta e
Maleve”, që nuk e pa botimin në të gjallë të autorit, mësuesit Palok Traboini
(Gojçaj), është daktilografuar nga regjisori e dramaturgu Andrea Skanjeti.
Sipas fjalëve të tij, nuk ka bërë kurrfarë ndryshimi në poemë.”8) Kjo poemë, shkruar në frymën
tradicionale të poezisë popullore, me vargje tetërrokëshe e rima të puthura,
mund të quhet edhe poemë kronikale që paraqet ditë pas dite kryengritjen e
Malësisë së Madhe të vitit 1911, e cila u kurorëzua me ngritjen së pari të
flamurit kuqezi në majë të Deçiqit. Mes vargjeve me karakter narrativ ka
shpërthime patetike, të frymëzuara nga vetë ngjarjet që autori ka përjetuar si
pjesëmarrës në atë ngjarje historike. Me pyetjet retorike: “Zot, çka bajnë sot
Grud’ e Hot?” ose “Zot, çka ba ky Ded Gjo Luli?” shprehet habia përpara guximit
e shpirtit luftarak të bashkëluftëtarëve që përmenden emër për emër. Poema nis
me pohimin për bashkëjetesën e shqiptarëve myslimanë e të krishterë si vlerë të
madhe historike e aktuale: “...në çdo punë e në çdo rasë/ nji kanu s’bashku tue
pasë/... shoqi shojnë e kemi grishë/ kurrë ndër veti nuk jem’ prishë...”9)
Studiuesi e shkrimtari Fatmir Terziu
në shkrimin e tij për këtë poemë
thekson: “ Përsa ai (autori-shën.
autorit) etërohet në plasticitetin e tij artistik, ngjizet te poema e veçantë
“Lufta e maleve”, që në aspektin letrar kumton një risk të tharmtë, për bagazhin
tonë kombëtar në aspektin vlerësues. Në tërësinë e saj poema epike e Traboinit
është shtojcë empirike në fushën krijuese të trashëguar shqiptare.”10) Në shkrimin për këtë poemë, Fran
Camaj vëren: “Poema “Lufta e maleve” është
një sprovë e autorit që nga krijimtaria gojore të krijojë një vepër letrare, më
mirë të them një poemë mjaft tërheqëse për lexuesin...“11) Ndërsa profesor
Gjovalin Shkurtaj në shkrimin e tij shprehet se kjo poemë “meriton jo vetëm të
lexohet nga brezi i ri, por edhe të studiohet, të komentohet t’i bëhet vendi që
i takojnë historinë e letërsisë shqipe.12)
Poeti, publicisti e luftëtari i lirisë Risto
Siliqi (1882-1936) është autori i librit “Pasqyra e ditëve të përgjakshme”,
botuar në Trieste më 1912, ku përshkruhen në formë kronike ngjarjet e
kryengritjeve të viteve 1910-1911, në të cilat
ai kishte qenë vetë pjesëmarrës aktiv, pra edhe në betejat e zhvilluara
në krahinën e Hotit dhe nga hotjanët. Poezia e tij e titulluar “Ded Gjo Luli i
Traboinit të Hotit”, botuar në Shkodër, në korrik të vitit 1913 në gazetën
“Shqypnija e re”, është frymëzuar nga qëndresa e krahinës së Hotit dhe ka një
subjekt të nxjerrë nga një ndodhi reale: “Kur Kongresi i Berlinës/ Hot e Grudë,
dy male n’nam,/ Ia dhuroi Knjazit Cetinës/ Të shtin brendë turi e kambë,/ Iu
përgjak një burrit syni,/ Ded Gjo Luli
vojëvodë!/ Me krenë malesh n’Shkodër hyni/ Fill tu Pasha mbrendë në odë.” Deda,
pasi tallet me indiferencën e Pashait turk të Shkodrës, deklaron para tij se
“Për pa rrjedhë der n’sulah (brez) gjaku/ Knjazi vendin tim s’e shklet!” Dhe
“Aty doli, mori udhën/ Tuj kuvendë me kryeparinë,/ Mu në Hot kur mbrriti
kullën/ Çoi kushtrimin, mblodh djelmninë.” Shqetësimi poetit për fatin e kombit
është i madh, por po aq i madh është edhe besimi i tij te heroi legjendar: “Ah!
Qe prep donë t’na dajnë copa!/ Prep mendimi i parë asht njallë!/ Po ta marrë
vesh gjith Evropa:/ Ded Gjo-Luli prep asht gjallë!” 13) Në poemën “Shkëndijat e zemrës shqyptarit”, shkruar me
dhjetërrokësh trokaik dhe me rima të puthura, Risto Siliqi ngre lart atdhedashurinë e shpirtin liridashës të
popullit tonë. Një fragment i kësaj poeme u kushtohet hotjanëve: “Ç’janë kta
djem, rrokë pushkët në dorë,/ Mbushin, shprazin me ças e me orë,/ Kushtrimojnë,
vigmojnë, hallakasin,/ Janë kuq tirqit nëpër gjak kah shkasin./ Ata janë, po,
si lum q’i ka në nanat,/ Djelmt e Hotit, trima porsi zanat!/ Të rrëmbyeshëm
porsi val’t e Drinit,/ Janë prej Rrapshet, janë prej Traboinit./ Të parë
gjithëherë në të gjitha kende,/ Në besëlidhje e n’tamur kuvende,/ Të parë gjithherë
vërshëllejnë plumbet,/ N’sa e diellit fama kurr’ s’iu humbet!”14)
Vlera të veçanta kanë poezitë e publicistit,
poetit e luftëtarit të lirisë, Hilë Mosit (1885-1933). Optimizmi e vendosmëria
e atdhetarëve e luftëtarëve shqiptarë, edhe përkundër terrorit të ushtrisë osmane, gjen shprehjen lapidare
te soneti “Kryengritjes së 1911-ës”: “E n’qoft se gja nuk qe për sivjet,/ Mos
t’ket dyshim ndokush se vdiq Shqypnia:/ Vjen prap prendvera, prap në mal na
qet!”15) Te poezia “Rreth kullës së Dinoshës”, shkruar me strofa
gjashtëvargëshe, në shtatërrokësh jambik e rima ABCACB, autori përshkruan një
çast intim të pesë luftëtarëve në një peizazh idilik. Në një çast “kllapie” ai
dëgjon një zë, që nuk është tjetër veç zërit të shpresës nga thellësi e
shpirtit të tij: “Do të dalë n’drit’ Shqypnia!”16)
Pas pushtimit të huaj, ëndrrat për liri nuk u
jetësuan. Shovinistët sllavë hodhën kthetrat në pjesën më të madhe të tokave shqiptare. Në këto
kushte, edhe situata në Hot solli drama
e tragjedi te popullsia e sidomos te familjet
e luftëtarëve të vrarë. Te balada “Grueja hotjane” Hilë Mosi fokuson me
realizëm e dramacitet fatin e një vejusheje hotjane, i shoqi së cilës kishte
rënë dëshmor në luftimet për mbrojtjen e kufijve të atdheut.: “...Me djepin pas
shpine,/ Me shkopin në dorë,/ Tek ulet
prej malit,/ Q’asht veshun me borë./ Prej ksollës së dashun/ I duhet me
dalë,/ Prej tmerit me e pshtuemun/ Të dashunin djalë./ Derdh lot prej mallimit/
Katundin tue pa,/ Se burri për kombin/ Atje i qe vra!” Strofa e fundit e
baladës thekson fundin tragjik të kësaj nëne: “N’vegim tek i duket/ I shoqi
ndër re;/ Ksaj shpirti i kputet/ E rrxohet për dhe.”17) Në vitin 1976 poeti i shquar lirik Lazgush Poradeci (1899-1987)
shkroi poemën “Mbi ta”, me kushtimin “Baladë për poetin dhe pushkatarin rilindas
Risto Siliqi”. Strofat katërshe të kësaj poeme janë me vargje shtatë e
nëntërrokëshe, me rima të alternuara. Ky konceptim metrik u ka dhënë vargjeve
një kadencë marciale, çka përputhet me përmbajtjen luftarake të poemës, duke
krijuar një retorikë të parapëlqyer nga ky autor në poezitë e tij me temë
historike. Që në vargun e parë poeti i drejtohet luftëtarit Risto Siliqi dhe i
bën thirrje të bashkohet me prijësit
popullorë: “Në Hot e Grudë e Trapojin/ Puth Ded Gjo’ Lil viganin,/ Mirditë e
Shalë e Dukagjin/ Puth Mehmet Shpend luanin.” Po në trup të poemës, poeti do
t’i kthehet disa herë figurës së Dedë
Gjon Lulit: “Kur sabritëm në shtegtim jugor,/ Nga Dri’i Zi matanë,/ Këndonin me
zë burrëror/ Hotjanë e Shaljanë:/ “Nuk lidhet Ded Gjo’ Luli i math,/ Dragua fis
prej fisi,/ Të kap si berr, të fut në vath,/
Të mvar në degë lisi.” 18). Vargje të
tilla, si të gdhendur në gur, e pasurojnë buqetën poetike të këtij poeti
finosh.
Në ditët tona vijon të shkruhet për lavdinë,
vlerat e problemet aktuale të Hotit. Edhe shkrimtari e studiuesi Nikolla
Spathari e ka trajtuar temën historike të ngritjes së flamurit shqiptar në
prill të vitit 1911 në Deçiq. Kjo poemë me titull “Flamurtarët e Deçiqit 19), shkruar kryesisht me dymbëdhjetërrokësh të dyzuar, karakterizohet
nga tipare epike e lirike, me ritëm të gjallë. Funksionalizimi i figuracionit
të freskët dhe herë-herë të befasishëm e mban në ngjitje patetikën e luftës.
Poema nis me një peizazh të malësisë së Hotit: “Përmbi katarakte/ Dielli ngre
ylbere,/ Mbi secilën lule -/ Një lule pranvere.” Të duket sikur këto lule mbin
nga gjaku i derdhur i atyre shtatë djemve flamurtarë që, duke u vrarë njëri pas
tjetrit, e rrëzuan flamurin gjysmëhënë dhe pas 500 qind vjetësh valëvitën
flamurin kuqezi. “Zjarr, thërret Pashai,/ Tundet egër toka,/ Thua se do çahet/
Horizonti copa./ Por ngjitet flamuri,/ Ngjitet nëpër diell,/ Sikur rreh
shqiponja/ Krahët lart në qiell.” Me domethënien e asaj lufte dhe atij akti
heroik e mbyll autori poemën: “Duhej gjithë ky gjak/ Nën kreshtat me borë/ Që
të vejë Shqipëria / Madhërisht në Vlorë.”
Poetë e prozatorë si Kolec Traboini, Anton
Gojçaj, Fran Camaj, P.Pashko Gojçaj, P.Viçenc Malaj, Gjergj Gjokaj, Rrok Gjolaj
etj. në librat e tyre përherë do të kenë krijime letrare për vendlindjen ose
origjinën e tyre, për mallin e nostalgjinë e të larguarve dhe sidomos shprehin
krenarinë që janë bijtë dhe pasardhësit e atij trualli heroik, por që ende s’e
fitoi lirinë e vërtetë.
Poeti e publicisti i njohur Kolec Traboini
është bir i Hotit dhe bir i një figure
të shquar historike si Palok Traboini. Poezitë e Kolecit frymojnë
natyrshëm ndjenjat e krenarisë, po dhe të kujtimeve të birit jetim për të atin.
Te triptiku “Im atë” ai ka krijuar një metaforë sa domethënëse aq dhe të
goditur: “...Kur iku, im atë
qëlloi me pushkë/ pjeshkët e qershitë drithruan gjethet/ veç gurët e varreve
s'u trandën,/ aq të sigurt ishin tek gjaku i tyre/ që rridhte në damaret e tim
eti.” 20) “Poema për Traboinin” e këtij
autori tingëllon si një britmë dëshpërimi kundër fatit që e ndau nga katundi i
tij i origjinës, që i preu tokat shqiptare me thikën e padrejtësisë: “Traboini është
fshati i Atit tim në mjegull/ përtej kufinjëve ballkanikë, mizor/ …Traboini është
buzëqeshja ime e humbur/ shumë vite para se të lindja, larg tij/ nëpër pelenat
e kuqërremta të kohës/ me makthe brezash nëpër ëndrra humbëse/ prej të cilave
kurrë nuk do të shpëtojmë/ prej Zotit a Djallit si një mallkim.” 21) Pra, plaga
historike mbetet plagë që dhëmb edhe pas një qind vjetësh. Fataliteti në këto
vargje të çon në kufijtë e një pesimizmi të diskutueshëm që ngre padiktueshëm
problemin ontologjikë të ekzistencës si shqiptar.
Në përmbledhjen poetike të Patër Pashko Gojçajt
“Takimi i kohëve”, me motive me theks filozofik e religjoz, poezia “Deçiqit” na
flet me gjuhën e simbolit të zbërthyer në një semantikë të re: “Ty, që nuk
zhdukesh për jetë!/ Vetëm liqeni i Shkodrës e Cemi ,/ e dijnë sa thellë e ke
rrajën/ Ty, që je shkambi gjallë!/ Vetëm dielli e din sa i fortë je./ Ti, që je krenar/ me
gjakun tonë të derdhun!/ Vetëm Deda ta mati naltsinë…!/ Liria që e pruni
fitorja e kryqit,/ le të rrnojnë përgjithmonë,/ me ty – me ne,/ në ty – në ne!”22) Lumi i Cemit, që buron nga thellësitë
e bjeshkëve, duke rrjedhur nëpër Hot e Grudë bashkëjeton me historinë e
aktualitetin si një forcë jetësore e bukuri e rrallë natyrore. Ja me ç’krahasime
origjinale na emocionon poeti në poezinë “Cemi”: “N’verë deri në përsosmëni,/ e
i pastër si lota e fmijut n’djep,/ i bukur deri në frymëzim,/ e i kthjellët si
qiella mbi Tokën shejte.”23)
Edhe
P. Vinçenc Malaj i këndon Cemit në poemthin omonim me mall e nostalgji, duke
përshkruar çdo detaj të jetës baritore. Krahasimi i nënkuptuar i lumit me jetën
si mister mbyll këtë poezi që do ta quaja “poezi dashurie”. 24)
Drama e madhe e mërgimit është motiv i mjaft
poezive. Një lirizëm i trishtë përshkon poezinë “Nana eme shqype kryebardhë e
molisun por gjallë se gjallë” të shkrimtarit e kritikut letrar Anton Gojçajt.
Atje në strehën e fëminisë nëna plakë “Me shkambun ndërron fjalë për durimin/
Për ‘i vorr t’hapun çi e pret me çlodhë/ Për cops t’zemrës tret’ rruzullimit/
N’fund të ark’s e ruan ‘i mollë.” Dhe heroi lirik kthehet së fundi në shtëpi:
“Ka me ardh’ nanën me e pa/ Me g’juhë t’fëmijnis’ dheut ka me i folë/ N’derë të oborrit ku vetëm e
la/ Ka me gjet ‘i kokërr mollë...” Simbolika e mollës është metafora e
fëminisë, e dashurisë prindërore, e dhëmbshurisë dhe e kujdesit të nënës që
edhe në çastet e fundit të jetës e ka ruajtur për të birin e mërguar “’i mollë
mbështjellë mjedis shamije.” 25) Ndërsa te poezia ”Traboinçe”, poeti, edhe pse
i larguar prej katundit të vet, me mallëngjim e ndien se është pjesë e
pashkëputshme e origjinës nga ka rrjedhur: “kur me grushta marr të pi ujë/ ujë
trapoini/ kthjellët shoh nuk jam i huaj/ në këtë tempull gurrë lulëzimi/... të
lutem në gjunj kur i penduar / te kroni i Traboinit ta lag ballin me ujë/
ngjitu ti valltare e virgjër qiejve/ ende jeton malësori botëve u thuaj.” 26) Rrok
Gjolaj te libri poetik “Ylli i mëngjesit” (1993), veç tematikës atdhetare,
zhvillon edhe problematikën e largimit nga trojet e veta në poezitë “Mërgimi i
zemrës” dhe “Mërgimi i shpirtit”. “Populli thotë “Larg sysh, larg zemrës!”.
Kësaj i druhet Rrok Gjolaj, harresës. Po
qe se shpërngulja vazhdon me këtë dinamik, kërcënohet rreziku që kullat të
mbeten shkretë, si absurd tragjik, si kundërthënie me historinë e vet, me
ekzistencën...” 27
Krahas
krijimeve në poezi për Hotin, janë shkruar edhe proza artistike, por më
të pakta në numër. Në hulumtimet tona, veç kronikave, kujtimeve shkrimeve
publicistike e historike, kemi gjetur
edhe krijime letrare nga shkrimtarë me emër si Sterjo Spasse e Shefqet
Tigani, po dhe nga shkrimtarë të ditëve tona që jetojnë në tokat e tyre përtej
kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, si Fran Camaj me trilogjinë
romanore: “Mëshira e pamëshirshme”, “Rruga e pamëshirshme” dhe “Dashuri e
dhunuar” dhe Anton Gjuravçaj me romanin “Vdekja e valëve”.
Në romanin e tij historik “Ja vdekje, ja liri”
Sterjo Spasse 28), i ka kushtuar disa fragmente kryengritjes së vitit 1911 dhe
figurave të shquara të saj nga Hoti. Me stil realist, po dhe me nota patetike
shkrimtari krijon tablo të luftimeve të njohura dhe nuk harron të japë edhe
situata emocionale të personazheve të ndryshëm. Përfshirja e këtyre ngjarjeve
në kuadrin kompozicional të këtij roman thekson idenë e unitetit të lëvizjes
sonë kombëtare në të gjitha trojet shqiptare.
Me një frymë të theksuar poetike-romantike
është shkruar tregimi i Shefqet Tiganit
“6 prill 1911”. I konceptuar si poemë në
prozë, retorizmi të jepë emocione të
forta. Ndjenjat e atdhedashurisë të vlojnë përbrenda, duke të ngjallur nderim e
krenari për flamurtarët e parë hotjanë, të cilët e bën edhe më të kuq flamurin kuqezi. “Kishte kaluar nëpër vite
dhe shekuj errësire, midis tymrash e zjarresh, ngujuar në zemra, por ja,
shqiptarët e nxorën nga zemrat dhe e ngjitën në atë majë. Që andeje shihte e
gjithë Shqipëria.29)
Në parathënien e librit me tregime të zgjedhura
“Ndërmjet kapakëve” të Anton Gojçajt, kritiku Ramadan Musliu e karakterizon
kështu prozën e këtij autori: “Tregimet e Gojçajt nuk mund të thuhet se ofrojnë
model invariant, një histori dhe një formë narative kostante dhe të
përsëritshme.” 30) Në këtë përmbledhje
të bie në sy tregimi “Pushoftë në paqe”31) Personazhi i vetëm,
Kol’ Peri nga një katund i Hotit, është një figurë tipike e atij brezi të moshuarve,
të cilët mbijetuan në tallazete jetës së gjatë e të vështirë. Fati i tij
tragjik – me katër fëmijë të vdekur, me dy djem të vrarë nga hasmi sipas
kanunit dhe një vajzë të humbur tej kufirit, diku nëpër Shqipëri, e la atë të
vetmuar. Ironia e dhimbëshme e këngës së tij dhe gjuajtja e Kanunit janë akte
që flasin në mënyrë eksplicite për vetëdijësimin e plakut në çastet e mbrame.
Tregimi tjetër i këtij autori “Qengj i
harruar natën në mal” 32) trajton me vërtetësi temën e lidhjeve
shpirtërore të hotjanëve me Hotin.
Kolec Traboin, ndër krijimet e tij të para ka
shkruar tregimin “Kreshniku i Hotit”, botuar në librin e tij të parë me tregime
“Petalet e bajames së hidhur”.33) Ky tregim është si
nje aureolë drite për fundin sa tragjik e aq heroik të trimit të shquar Dedë Gjon Luli, i cili e shkriu jetën e vet e
të farë e fisit për idealin kombëtar. Po
citojmë finalen e tregimit: “- Erdhi
ora e burrit!- i tha vetes plaku i bardhë i Hotit. Nuk i vinte keq se vdiste.
Jo! Shumë zjarr kishte parë në jetën e tij, sa shtatë herë trojet i ishin
përzhitur. Dëgjoi për herë të fundit fëshfërimën e fletëve të rrapit ku kishte
nisur të pikëllonte vjeshta. Pastaj hodhi sytë tutje në horizontin e përflakur,
ku i bahej se dëgjonte përmes jehonave të largëta, një kangë e jo nji gjamë Hoti:
"Dedë Gjo Luli, trim me fletë,/
për Shqipni ka da me dekë/
s' len ma Turk n' Male me prekë/
mbrapa i shkon Malsija krejtë!».
Tej e përtej male. Përsëri male.
Thua brengat e kësaj toke të jenë ngurosur si revoltë ndaj padrejtësisë së shekujve?
Male të bardhë, male të thinjur në halle, male me kokën në re…” 34)
Si përfundim, duhet thënë se në këtë kumtesë
jemi rrekur të përimtojmë disa nga krijimet letrare për krahinën e Hotit, por
jemi të vetëdijshëm se krijimtaria me
këtë temë është shumë më e gjerë dhe më e larmishme, sidomos kjo e ditëve tona
në trojet shqiptare përtej kufirit, në Shqipëri dhe në ngulimet e shqiptarëve
nëpër botë.
Shënime
1. Gjergj
Fishta, Vepra 4, botimet “Fishta”, Lezhë 2012, faqe 160-161
2. idem,
faqe 173
3. Historia
e Shqipërisë II, USHT, Tiranë 1965, faqe 159
4.idem,
faqe 183).
5.idem,
faqe 543)
6.Ndre
Mjeda, Poezia shqipe 7, SHB “Naim Frashëri”,Tiranë 1966, faqe 24-25).
7.idem,
faqe 54
8.idem,
faqe 554).
9.idem,
faqe 59).
10. idem,
faqe 143).
11.idem,
faqe 134)
12.idem,
faqe 139
13.Risto
Siliqi, Rreze agimi, Botimet Enciklopedike, Tiranë 1998, faqe 53
14.idem,
faqe 174
15.Hilë
Mosi, Zani i Atdheut, SHB”Naim Frashëri”, Tiranë 1960, faqe 103
16.Poetët
e Rilindjes, SHB “Naim Frashëri”, Tiranë 1973, faqe 275).
17.Hilë
Mosi, Zani i Atdheut, SHB “Naim Frashëri”, Tiranë 1960, faqe 219).
18.Risto
Siliqi, Rreze agimi, Botimet Enciklopedike, Tiranë 1998, faqe 305-313
19.Nikolla
Spathari, Përtej shiut, SHB ”Shtjefni”, Shkodër 2002, faqe 72
20.
Kolec Traboini, Mos vdis dashuri, SHB “GlobusR”, Tiranë 2002, faqe 50
21. idem, faqe 46
22.P.Pashko
Gojçaj, Takimi i kohërave, Botim i MF, Tuz 2009, faqe 27
23.idem, faqe 40
24.
P. Viçenc Malaj, Papërdhokë e gurë faqokë, Botim i MF, Tuz 2010, faqe
7-12).
25. Anton
Gojçaj, Dëgjohet një vjolinë në suferinë, Enti botues”Gjegj Fishta”, Lezhë, 2011, faqe 89
26. idem, faqe 21
27. Anton
Gojçaj, Letërsia shqipe në Mal të Zi, Art Clup, Ulqin 2011, faqe107).
28. SHB
“Naim Frashëri”, Tiranë 1978
29. Sh.
Tigani, Tregime të zgjedhura, SHB “Naim Frashëri”, Tiranë 1990, faqe 59-67
30. Anton
Gjojçaj, Ndërmjet kapakëve, Botimet Art Club, Ulqin 2012, faqe 8
31. idem,
faqe 49-55
32 .idem,
faqe 65-72
33. SHB “Naim Frashëri”, Tiranë 1973
34. idem, faqe 13-18
Sazan Goliku