Rekuiem për minatorët e Bulqizës



SAZAN GOLIKU

Rekuiem për minatorët e Bulqizës    

Ai që nuk ka provuar të ftohtit e Bulqizës,
nuk e di ç’do të thotë të vdesësh nga të ftohtit.
Ai që nuk është futur në galeritë e kalbura të Bulqizës
nuk e di ç’do të thotë vdekje në errësirë,
ç’do të thotë të lësh në shtëpi fëmijët zorrëtharë
(që nuk dinë t’i luten as perëndisë)
dhe të fluturosh në purgator për të pastruar
                                                    mëkatet e krimet
e pushtetarëve dhe të biznesmenëve kusarë legalë
që akuzojnë njëri-tjetrin për hajni.

Minatori si alkimist i mjerë nuk arrin
ta shndërrojë kromin në bukë.

Çdo javë TV-të njoftojnë shpërfillës
vdekjen
e minatorit të radhës
në thellësi të tokës që e lindi.
Unë nxitoj të ndërroj stacionin, por në ekran
më shfaqet një “lider” që thotë vetëm të vërtetën.
Pastaj një stacion tjetër: Reklama verbuese
të qeshin paturpësisht në fytyrë, pastaj parajsa
e zbritur në këtë mbitokë tragjikomike...
Ata zbresin e ngjiten përditë në ferr
dhe ferri i gëlltit një nga një.

Dhe ti as qan as qesh dot.

Pandeli Koçi (emri letrar Sazan Goliku) ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qënë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë e letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë letrare, recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë.

Disa libra të autorit:

-Pasqyra e thyer, 1972
-Lule drite, 1977
-Grusht, 1981
-Intimitet, 1987
-Aventurat e lirisë, 1995
-Epidemi kozmike 1996
-Endërr dashurie, 1996
-Komitet e Malit të Bardhë, 1999, 2011
-Petalet e rëna, 2001
-Trekëndëshi i qiellit të zi, 2006
-Turbull, 2007 
-Shpirtdehje, 2011,
-Unë jam unë, 2011