SHKRIME NGA SAZAN GOLIKU


SAZAN GOLIKU

ËNDRRA ME BISHT

Djaloshi Mark L. nga fshati Gurlan iu paskish qepur mendja te kali i bardhë i Lis Dodës. Dhe nuk kisht faj. Të kullonin sytë kur e shihje kur ecte krenar kalldrëmeve të fshatit ose kur vraponte e argalisej lëndinave teksa kulloste me kuajt e tjerë. Plaku Lis nuk e ngarkonte asnjëherë atë bukurosh, veç ai i hipte kur shkonte në qytet dhe kur bënte vizita te miqtë e të njohurit.
Dhe një mesnate të bardhë me hënë të plotë, Marku doli nga shtëpia e tij dhe gati duke vrapuar shkoi drejt e te kulla e Lis Dodës. Qentë e shtëpisë e njihnin, si çdo djalë fshati, dhe portat e shtëpive në atë krahinë nuk ishte zakon të mbylleshin me çelës. I hodhi shalën kalit, i vuri yzengjin dhe, ende pa dalë nga oborri, i hipi e kalëroi sikur po fluturonte. Askush nuk mund ta ndiej atë ngazëllim që provoi Marku, duke ngarë atë kalë nëpër fushën e dehur nga rrezet e hënës. Vetëm kur do t’i jepte të dashurës së zemrës puthjen e parë do të kishte një shpirtdehje të tillë. Ngau e ngau kalin, duke lëshuar nga gjoksi gurgurima gazmore e thirrje përkëdhelëse për atë qenie të përsosur, kalëroi buzë liqenit deri te derdhja e një lumi, u kthye mbrapsh dhe kur ndjeu të ftohtit e agut e zbardhëllimën e qiellit nga lindja, u kthye në shtëpinë e tij. I fshiu mirë e mirë djersën Mbretit, kështu e quante me vete bardhoshin, i hodhi sipër një velënxë të mos ftohej, i dha tagji dhe çoi te kulla e Lis Dodës.
Në mbrëmje, të rrapi i madh në qendër të fshatit, ishin mbledhur burrat e kuvendonin. Pasi torrën e torrën gojdhëna e thashethemet më të reja të fshatit e të krahinës e më tej, e mori fjalën Lis Doda.
-Kam parë mbrëmë një ëndërr të habitshme, -foli duke shtyrë prapa qeleshen. –M’u shfaq një djalë e më tha: “Po të më japësh kalin e bardhë t’i hipi e të kalëroj me të, do të të japë si shpërblim velënxën më të mirë që kam.” Mirë , i thashë, po kujdes kryet se kalit i ha kurrizi dhe s’di ku të vërvit kokangulthi! –Dhe ia dhshë kalin... Kur u zgjova sot në mëngjes, shkova në haur, po ç’të shoh! Kali i bardhë ishte i mbuluar me një velënxë!
Burrat e fshatit zunë të mërmërisnin dhe të shinin syshqyer njëri-tjetrin dhe s’po u besonin veshëve. Rrena e kishte bishtin kaq të gjatë, sa s’do ta bënte as rrenësi më i madh i fshatit, kurse plakun Lis e njihnin dhe mbanin si një nga urtakët dhe njerëzit më të çiltër e më të ndershëm në gjithë krahinën! Mos kishte lajthitur vallë?!
-Që nuk po më besoni, unë e kuptoj, -tha plaku, -po ç’t’i bëj velënxës që më ka mbetur në shtëpi dhe nuk është e imja dhe nuk di kujt t’ia kthej?     



Nafora

Një anëtar i kryesisë së parties ZYX u largua (apo e larguan?) për një detyrë tjetër të rëndësishme larg kyeqytetit, në vendlindjen e tij. Ndërkohë që në mbledhjen e ngutshme anëtarët e tjerë po kërkonin një emër të përshtatshëm për zëvendësimin (kuptohet nga rrethi i të afërmve, i miqve e shokëve), kryetari ngriti zërin:
- Ecce homo! Skulptori, Afrim Stoli, i mrekullueshëm!
- Po, sipas statusit të partisë sonë, - ndërhyri me nënqeshje domethënëse një anëtare, - duhet të jetë në komitet...
- E bën ai, e bën. Ai nuk flet. - Foli kryetari me bindjen e njeriut që nuk mund të gabojë kurrë. - Kush e ka numrin e celularit të tij që ta thërrasim që tash?
Të gjithëve iu duk e habitshme kjo tekë e kryetarit, megjithëse nuk i befasonte më mençuria e tij kokëforte. Asnjëri prej tyre nuk e dinte që ato ditë skulptori Afrim Stoli po gdhendte në mermer bustin e kryetarit.
- Celularin? - Të gjithë ngritën supet me keqardhje, kur në tërë rastet e miratimit të vendimeve ngrinin automatikisht dorën.
- Thirrni sekretaren, - foli kryetari. - Ajo t’ia njoftojë zotni Stolit se është zgjedhur unanimisht anëtar i kryesisë sonë.
Atë natë skulptori nuk vuri gjumë në sy. Ashtu si peshku në tigan, ai përpëlitej e përsëriste:
“... Si mund të jem i djathtë, kur shoh se i dituri e punëtori i vërtetë rropaten dhe numërojnë qindarkat dhe durojnë talljet e fëmijëve të vet pse janë të tillë, kur pasunari batakçi dhe trashëgimtari i kamur përtac gëzojnë gjithë të mirat e botës e të shkencës? Si mund të jem i majtë, kur shoh të paaftët, parazitët, dembelët dinakë, polipë që thithin e presin t’u vijnë drejt e në gojë llokumet nga shteti dhe qajnë e rënkojnë, po edhe revoltohen, për të drejtat e njeriut? E si mund të jem i djathtë a i majtë, kur shoh të majtët në fron që shndërrohen në të djathtë dhe të djathtët në opozitë që revoltohen si të majtë? Më mirë lakuriq, pa kostume partish, me përparësen e bardhë të njeriut të punës, që gjithsesi do të ndotet nga e keqja e pashmangshme - politika? Po të ulem në atë karrige që më propozuan, do të them ato që më thotë karrigia ose do të hesht... Por, kur duhet folur, nuk mund të hesht... Por, po të shpreh ato që kam këtë në kokë dhe ato të puqen me ato të partisë kundërshtare, do të më quajnë tradhtar. Këtë nofkë s’mund ta gëlltis, ashtu siç nuk kam pranuar kurrë të jem spiun...
Në të gdhirë, ashtu me sytë e buhavitur nga pagjumësia, Afrim Stoli shkoi në dhomën tjetër që e kishte përshtatur për studio.
“Ja kush më paska propozuar, - u kujtua sa pa bustin e kryetarit të Partisë së ZYX mbi stativ.
- Ti ma bëre këtë nder, për të më grabitur lirinë time. Të falemnderit, mik i dashur!
 Koka e bustit të kryetarit ishte gati e përfunduar, vetëm pak spërdredhime duheshin te mustaqet. Mori daltën dhe çekiçin dhe nisi të punojë…
Pas një ore i la mbi tryezë dhe bëri dy hapa mbrapa: koka ishte shndërruar për mrekulli në trajtën e përsosur të një topi futbolli.
Askush nuk e dëgjoi të qeshurën e madhe e të zgjatur të skulptorit atje brenda katër mureve të studios plot pirgje balte, trungje arre, etyde e skica të pafundme, pa të cilat ai nuk do të ishte më ai.
... Pas dhjetë orë udhëtimi, skulptori ishte ulur në rrëzë të arrës së lartë e të vjetër në kopshtin e shtëpisë së vet, në fshatin e largët, në Pasmalas dhe thithte i qetë një cigare të dredhur nga të babait plak.

No comments: