Pandeli Koçi: Ministria e
Kulturës nuk e dëgjon zërin e shkrimtarëve, të heqë dorë nga mbështetja
selektive
Si ka nisur ky
vit për ju kur flasim për krijimtarinë tuaj letrare?
Një vit që
kërkon shumë, pavarësisht gripit që ka rënë në gjithë vendin. Një vit, që unë
pretendoj shumë që të punoj. Unë kam bërë një premtim, ato që nuk realizova
gjatë vitit që lamë pas mendoj ti realizoj gjatë këtij viti. Por se sa do të
realizohen, kjo varet dhe nga mosha që kam unë. Unë kam gati disa libra për të
botuar. Një vëllim me poezi, një novelë për fëmijë, disa libra për letërsinë
për fëmijë që janë gati për shtyp. Një vit që e shikoj me veprimtari, por ajo
që unë dua të realizoj këtë vit janë dhe shkrimi i kujtimeve. Duke qenë 75
vjeçar, njeriu në këtë moshë fillon dhe kujton se çfarë do të thotë nga ato që
të tjerët nuk e kanë përjetuar. Kjo do ishte një nga dëshirat e mia, që të
shkruaj disa nga kujtimet e mia dhe të familjes sime.
Në 75
vjetorin tuaj u bë dhe prezantimi i librit tuaj “Aksion në shkumën e vaskës”.
Në tregimet e rrëfenjat tuaja vjen realiteti, si e përcjell te lexuesi?
Ky libër është
në vazhdën e botimeve të tjera, që unë shkruaj me tregime dhe rrëfenja,
parabola, mikrodialogje, të cilat synojnë që të pasqyrojnë këtë realitet kaos
që ne e përjetojmë me dhimbje. Por sërish brenda këtij realiteti kaotik deri
absurd që kemi, ne do ta gëzojmë jetën. Mjetet e mia artistike për ta pasqyruar
këtë realitet janë alegoria, simbolet, janë paradokset dhe mbi të gjitha është
ironia mjeti me të cilën unë e perceptoj, por dhe e shpreh këtë realitet që ne
jetojmë. Në 75 vjetorin tim që u prezantua dhe libri im më i fundit mendova që
të bënim dhe një diskutim kritik, jo një përurim libri.
Edhe më parë ju
keni pohuar se mungojnë diskutimet kritike për librin. Kjo mungesë si ndikon në
krijimtarinë letrare?
Ne zakonisht
bëjmë promovime të librave, një festë të librit. Dikur bëheshin diskutime
krijuese, por për mua janë diskutime letrare ose kritike, ku mblidhen
shkrimtarë, studiues, artistë, emra që janë të kësaj fushe, të cilët japin
mendimet e tyre, vërejtjet, sugjerimet. Kjo do të ishte shumë më produktive për
librin dhe realiste për të përcaktuar vlerat e një libri të ri. Por në Shqipëri
këto diskutime kritike mungojnë, ndaj unë librin tim e prezantova me këtë
mënyrë, pra me një diskutim kritik. Në Shqipëri duke mos pasur një institucion
siç ishte dikur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ne sot nuk kemi mundësi
për librin. Sot ish godina e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve duhet ti
kthehet sërish bashkësisë së shkrimtarëve dhe artistëve. Ajo të kthehet në atë
që unë mendoj ta quajmë Shtëpia e Artit, dhe aty të kenë zyrat e tyre shoqatat
e shkrimtarëve, artistëve, piktorëve. Nëse Shoqata e Shkrimtarëve për Fëmijë do
kishte një zyrë, apo ajo e prozatorëve të rinj, kjo do të ishte shumë e mirë,
ku ata do të bënin aktivitetet e tyre me një administrator i paguar nga
ministria. Në këto salla në këtë institucion secila nga shoqatat që rrinë lart
e poshtë për aktivitetet e tyre do ti ndihmonte shumë kjo gjë. Ajo është një
godinë që po rri bosh dhe mendoj se duhet ta ketë Ministria e Kulturës
ndërtesën e ish LSHA, dhe ajo të quhet Shtëpia e Artit. Unë këtë ia bëj si
propozim edhe Ministrisë së Kulturës edhe kryeministrit, të jetë një vend ku të
mblidhen shkrimtarët dhe artistët, të flasin dhe të diskutojnë për problemet,
të diskutojnë për vlerat.
Jeni shprehur
se dhe viti që kaloi i përballi me jo pak probleme autorët shqiptarë. Për ju si
ka ndikuar kjo në krijimtari?
Shkrimtarët
janë përballur me probleme të shumta. Një nga më shqetësueset ka qenë botimi i
letërsisë origjinale shqiptare. Shtëpitë botuese gjithmonë kanë qenë hezituese
dhe me të drejtë, duke qenë pjesë e biznesit ato shikojnë gjithmonë fitimin dhe
nuk shikojnë atë kërkesë që e ka hedhur dikur dhe Faik Konica, që ne duhet të
botojmë 50 përqind nga letërsia shqipe dhe pjesa tjetër letërsi e huaj. Krahas
përfitimit të tyre, që është normale, shtëpitë botuese duhet të kenë dhe
përparësi për letërsinë shqipe. Problem tjetër, vazhdon mungesa e kritikës
letrare. Në organet e shtypit tonë duhet të hapen dhe faqe për librin. Mbi të
gjitha autorët nuk kanë vëmendje, nuk ka ndihmë. E them këtë sepse neve na
mungon hierarkia e vlerave. Kjo do të thotë që të lançohet, të nxirren në dritë
vlerat reale të letërsisë, gjë që duhet ta bëjë një kritikë e specializuar.
Ministria e Kulturës ndihmon autorët shqiptarë aq sa e ka horizontin e dijes
dhe interesin për të lançuar vlerat.
Por sa ka qenë
sipas jush ky interes nga ministria për të promovuar dhe lançuar vlerat
letrare?
Nuk mund të
them që i ka mohuar, sepse herë pas here ministria ka dhënë çmime, ka dhënë tituj,
por këto janë gjithmonë brenda subjektivitetit të atyre që e drejtojnë
Ministrinë e Kulturës. E them këtë sepse ministria nuk po merr një mendim më të
gjerë të lexuesve apo shkrimtarëve. Ministria e Kulturës duhet të luftojë
subjektivizmin në vlerësimin dhe ndihmën, që iu jep letërsisë dhe arteve.
Për çmimet
kombëtare të letërsisë që ndan Ministria e Kulturës, zërat kritikë në
organizimin e tyre nuk kanë munguar. Në gjykimin tuaj këto çmime?
Unë nuk
diskutoj vlerësimet e jurive, që bëhen në çmimet kombëtare të letërsisë. Por
unë gjykoj se cilët janë ata njerëz, që i caktojnë emrat në juri. Mendoj se
duhet të gjenden rrugët, që njerëzit që do të bëjnë përzgjedhjen e emrave të
jurisë, të jenë më cilësorët.
Ju folët për
probleme që shoqëruan autorët në vitin që lamë pas. Çfarë prisni këtë vit?
Këtë vit
dëshiroj që të botohet një antologji e autorëve të rinj, që shkruajnë për
letërsinë, por para kësaj duhet të bëhet dhe një konkurs letrar. Mungojnë
konkurset letrare me autorët e rinj deri në moshën 25 vjeçare që shkruajnë për
fëmijë. Nëse do të kishte konkurse, në këtë mënyrë ne do të lançojmë dhe emrat
e autorëve të rinj, për ti nxituar që të ecin përpara në krijimtarinë letrare.
Ministria e Kulturës ka hapur fonde për letërsinë, por ajo që jepet nuk është e
mjaftueshme. Po ti krahasojmë këto fonde që jepen në Maqedoni apo Kosovë për
librin, në Shqipëri janë shumë të pakta. Me këto fonde Ministria e Kulturës jep
minimumin për autorët shqiptarë në krijimtarinë letrare. Unë uroj për këtë vit
që ka nisur të bëhet një përmbysje e mendësisë së Ministrisë së Kulturës për
autorët shqiptarë, që të ketë më shumë kujdes dhe vëmendje në vlerat e
letërsisë. Por dhe që të arrijmë 50 përqind botim të letërsisë shqiptare me atë
të huaj. Të ndryshojë mendësia e ministrisë, sepse këto vite autorët janë
ndihmuar, por në mënyrë selektive. Problemi qëndron se kush e bën këtë
seleksionim të autorëve nga Ministria e Kulturës? Sa të hapur janë ata në
ministri, sa transparentë janë, apo mbahen vetëm tek disa emra, kur ne presim
që të lançohen sidomos autorët e rinj. Kjo është kryesorja, dhe që të ndihmohen
duhet të njihen. Por si? Duke u botuar veprat e tyre. Ekzekutivi thotë
gjithmonë gjëra pozitive për veten, por ministria nëse ka dëshirën duhet të
reflektojë ndaj problemeve aktuale dhe zërit të shkrimtarëve. Më vjen keq që e
pohoj, por nga Ministria e Kulturës nuk është dëgjuar sa duhet zëri i
shkrimtarëve të njohur, pak të njohur dhe sidomos të autorëve të rinj.
Intervistoi: Julia Vrapi
Agjensia e Lajmeve Sot News
7 janar 2017