Gjysmëdielli - libër i ri me poezi nga Sazan Goliku

GJYSMËDIELLI Libër i ri me poezi nga SAZAN GOLIKU

Sazan Goliku, autor i njohur për larminë krijuese në shumë gjini letrare dhe veprimtari të gjatë krijuese,  sapo ka dalë para lexuesve me librin e tij më ri me poezi “Gjysmëdielli” botuar nga “Emal”.  Ky është libri i njëmbëdhjetë me poezi i autorit. Në 134 faqet e librit paraqiten 107 poezi nga krijimtaria e viteve të fundit, ndarë këto në 7 kapituj: Përsiatje symbyllur, Ironi heroike, Perëndia e mjegullës, Ky numër nuk ekziston, Pas gjakut të derdhur, Fundjeta,Frymëzime. 

Karakteristike e poezive të Sazan Golikut është se ai motivet e veta poetike i qëmton brenda realitetit që e rrethon autorin, mjedisin shoqërore, në hapësirat ku lëviz dhe në shqetësimet qytetare. Padyshim është e vështirë që me pak fjalë të tregohet hapësira ku ai kërkon e mediton, gjen subjekte, situata apo karaktere e megjithatë përafërsisht mund të jepet një pamje e se tërës, poeti gërsheton realitetin qe e prek me dorë me nocione filozofike. Poezitë e tij kanë një taban të fortë jetësor ku ai kërkon e mediton, shpreh dëshira reale dhe utopike, nder këto vihen re edhe poezitë kushtuese për miqtë artistë që janë apo nuk janë më në këtë botë.  Kapur fort pas trungut mëmëdhetar, poezia e Sazan Golikut, krejt natyrshëm, bëhet pjesë e shpirtit njerëzor të kohës kur jetojmë.