Pandeli Koçi: Nuk kemi kritikë për të seleksionuar prurjen e madhe në letërsinë shqipe sot...



Pandeli Koçi: Nuk kemi kritikë për të seleksionuar prurjen e madhe në letërsinë shqipe sot...


Letërsia sot përballet me jo pak probleme, mes tyre mungon dhe ndihma për financimin e botimeve me vlera letrare. Ky është një problem që ka vite në fushën e letërsisë dhe autorët shqiptarë gjithmonë kanë kërkuar ndihmë nga institucionet, ministritë për botimin e veprave letrare. Së fundmi në letërsinë për fëmijë, erdhi Antologjia e Letërsisë “Lule për lulet”, e hartuar nga një grup autorësh. Shkrimtari Pandeli Koçi, ndërsa flet për rëndësinë e këtij botimi që prej vitesh ka munguar, thekson se nga Ministria e Kulturës duhet të jetë më shumë vëmendje me projekte të ndryshme për të ndihmuar autorët. Në intervistën dhënë për gazetën, shkrimtari Koçi flet jo vetëm për projektet në ndihmë të autorëve shqiptarë, por thekson se në fushën e letërsisë ndihet jo pak dhe mungesa e konkurseve letrare, që sipas tij duhet të jenë pjesë e politikave të institucioneve.

Pak ditë ka që ka dalë në qarkullim Antologjia e Letërsisë për Fëmijë (2000-2014) me titull “Lule për lulet”. Si shkrimtar dhe kryetar i grupit të punës që hartoi këtë antologji, çfarë mund të na thoni mbi punën që është bërë për këtë botim?

Prej shumë kohësh është ndjerë nevoja për një antologji të letërsisë për fëmijë, kur dihet që nuk ka pasur një të tillë. Me përpjekjet e shumta për të na përkrahur dhe botuar këtë antologji, edhe pse prej 4 vitesh MTKRS këtë nuk e bëri, vetëm tani nga Ministria e Kulturës na u dha mbështetje për ta botuar këtë vepër. Antologjia përfshin krijime të periudhës 2000-2014, që dëshmon prurjet e reja e cilësore në këtë degë të rëndësishme të letërsisë shqipe. Në grupin e punës kemi emra të njohur letërsisë për fëmijë si Gaip Bushati, Astrit Bishqemi, Riza Braholli, Vasil Premçi, Fatmir Gjestila dhe Xhevat Syla nga Kosova. Synimi ynë ishte çfarë të rejash ka letërsia në këtë periudhë, 2000-2014, çfarë të cilësish, hapat që ka bërë, në cilat drejtime shkrimtarët e kësaj letërsie për fëmijë priren në këtë periudhë që po kalojmë, dhe se sa ata i përgjigjen kërkesave të ditës në kushtet e reja që po kalon shoqëria shqiptare dhe botërore. Në këtë botim janë përfshirë shkrimet e 87 autorëve, që shkruajnë për fëmijë dhe të rinj. Autorët e kësaj antologjie janë nga të gjitha trevat shqiptare, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, si dhe nga diaspora.

Si do të shpërndahet ky botim?

Libri duhet të shpërndahet në shkolla, por me ndihmën e një qendre në Shqipëri duhet të shkojë deri në bibliotekat e fshatrave më të largëta të vendit, për ata që nuk kanë mundësi ta blejnë librin. Të jemi realist, problemi i librit për fëmijë ka të bëjë dhe me mundësitë ekonomike, sa kanë mundësi ta blejnë librin. Duke mos pasur mundësi ta blejnë, duke e pasur në bibliotekën e shkollës, do të ishte ndihmë që libri të lexohej dhe nga nxënësit e zonave më të thella.

Ju pohuat mbështetjen që bëri MK për librin, a ka të tjera bashkëpunime për këtë letërsi?

Ne kemi bërë një letër këto ditë dhe kemi kërkuar mbështetjen e MK dhe për të bërë shpërndarjen e antologjisë në rrethe, por ministria duhet të bëjë një bashkëpunim me shkrimtarët e letërsisë për fëmijë dhe të rinj, për atë që quhet nxitje përmes konkurseve letrare. Kjo është detyrë e ministrisë. Një konkurs letrar do ta nxiste shumë letërsinë, do ishte përkrahje për të dalë në dritë vlerat më të mira të vitit, por do nxiste dhe autorët. Kjo nuk është bërë dhe ndaj ne kemi këmbëngulur që të ketë një konkurs të tillë. Por ne kemi bërë dhe një tjetër përpjekje, që të kemi dhe një konkurs letrar me autorë të rinj që shkruajnë letërsi për fëmijë. Pse ka dalë ky problem? Gjithmonë pyetet, sa është mosha mesatare që shkruajnë letërsinë për fëmijë, është rreth 70 vjeç. Bëhet pyetja, a ka autorë të rinj të letërsisë për fëmijë? Natyrisht që ka, por nuk kanë mundësi që të botojnë libra, sepse dhe shtëpitë botuese kanë interesat e tyre. Nuk kanë përkrahjen e duhur për t’u redaktuar që të pasqyrohen me shkrimet e tyre më të mira. Pra për këto probleme, një konkurs letrar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Kulturës, do të ishte ndihmë që autorët e rinj të njihen dhe lançohen.  

Po flisni për konkurset letrare, çfarë mund të na thoni mbi çmimet letrare që ndau këtë vit Ministria e Kulturës, ishin dy të tillë?

Çmim për letërsinë për fëmijë nuk u dha në Panairin e Librit me pretendimin absurd se nuk kishte prurje. Edhe Ministria e Kulturës këtë vit dha vetëm dy çmime për letërsinë, një çmim për veprën letrare dhe një për përkthimin. Duket se MK s’e ka pasur mundësi, por duhet që gjithmonë në Ministrinë e Kulturës të jetë një çmim për letërsinë për fëmijë dhe të rinj. Më herët ka pasur dhe zëra nga juri, që nuk ka pasur letërsi për fëmijë, një pretendim idiot, është gabim i madh, është një shpërfillje, injorim që i bëhet një pjese të rëndësishme të letërsisë shqipe, duke rënë në një “koncept tregtar”, që vetëm letërsi e huaj është me vlera. Por botuesit duke pasur interesat e tyre, duke zgjedhur ilustrimet e bukura, duke zgjedhur nga bota shkrimet më të mira, ata injorojnë botimet e letërsisë shqipe. Kjo është fyese për letërsinë shqipe dhe mendoj se kjo vjen dhe nga mosnjohja. 

I njohur në botën e letërsisë për fëmijë, ju keni botuar dhe vepra në letërsinë për të rritur. Çmimet Kombëtare të Letërsisë kanë për qëllim të vlerësojnë titujt më të mirë të hapësirës mbarëkombëtare letrare, këtë vit ishin dy çmime, më herët ishin disa vlerësime Penda e argjendtë, etj. Ju si e shikoni këtë ndarje çmimesh, më mirë dy apo të jetë praktika si më herët? 

Juritë janë juri, kanë dhe ato elementët e tyre, por ne nuk mund të vlerësojmë sot, që ky libër ka vlerë apo jo, pasi kjo i takon kritikës letrare dhe studimeve. Rëndësi ka që duhet të vazhdojë praktika që të jepen çmimet letrare, qoftë si jepeshin çmimi i parë, i dytë, i tretë, etj, apo dhe çmime me emrat e autorëve të njohur shqiptarë si çmimi Mitrush Kuteli, Lasgush Poradeci, etj. Pavarësisht emërtimeve që ato kanë, për letërsinë shqipe është mirë që tradita e çmimeve të vazhdojë. Gjithmonë ka pasur debate për çmimet letrare. Është dhe subjektivizmi, që rrjedh nga vetë autorët, por dhe nga një frymë klanore që mendohet se ekziston qoftë në krijimin e jurisë dhe me subjektivizmin e pashmangshëm, që mund të ketë juria sado e specializuar të jetë. Subjektivizma do ketë, por ama nuk mund të mohojë kush që përkthimi “Orlandi i çmendun” i Ariostos që erdhi në shqip nga Guljem Deda nuk ishte shumë lart. Të gjithë u kënaqën që mori çmimin një përkthyes i tillë për një kryevepër botërore. Ju thashë që subjektivizmat do jenë gjithmonë, mund të ketë dhe frymë klanore, por këto nuk është mirë të gjykohen pa lexuar veprat. Që të gjykosh një juri, duhet të ketë juri tjetër që të gjykojë atë.

Më herët keni pohuar se Ministria e Kulturës duhet të nxisë dhe botimin e veprave të autorëve të traditës në letërsinë shqipe. Çfarë kërkoni për këtë nga projektet e ministrisë?

Ministria e Kulturës mund të inkurajojë dhe të nxisë autorët e letërsisë përmes projekteve të ndryshme. Në Kosovë një shkrimtar me vlera nëse bën një projekt dhe nuk ka para për botime, atij i jep një mundësi për botim ministria. Edhe tek ne ajo, që duhet të bëjë jo vetëm Ministria e Kulturës por ndoshta dhe Ministria e Arsimit, është që për kryeveprat e letërsisë shqipe të traditës sonë të financojë. Ministria mund të ndihmojë botimin e Naim Frashërit për fëmijë, të Ndre Mjedës, Fishtës, etj. Këto vepra të traditës po nuk u financuan për botime nuk vijnë tek lexuesit. MAS mund të jetë ndihmesë për veprat nëpër shkollat në orët letrare, dhe MK të nxisë botimin e tyre.  Këta janë autorë të traditës që nuk jetojnë më, atëherë duhet që ministritë të kenë projekte që ta ringjallin këtë letërsi, duke nxjerrë vlerat që i qëndrojnë kohës, duke nxitur ribotimin e veprave.  

Letërsia shqipe ka zhvillimet e saj, por sipas jush ku janë prirjet e saj sot?

Të flasësh për prirjet e letërsisë sot, tematike, ideore, artistike, është e vështirë. Në kushtet tona të mungesës së studimeve të mirëfillta letrare për letërsinë bashkëkohore ose të një mungese të një kritike letrare që ta ndjekë me seriozitet zhvillimin e letërsisë, nuk mund të flitet. Unë mund të jap një mendim por do jetë subjektiv, sepse kushtëzohet nga prirjet e mia, shijet e mia, dhe nuk mund të flas për zhvillimet. Ne kemi prirjet tradicionale në letërsi, në prozë, poezi, por kemi dhe prirjen të tjera që i kapërcyem moderne dhe postmoderniste. Kjo liri që kanë autorët jep një larmi në letërsinë shqipe. Problemi qëndron sa këto vepra lançohen nga kritika letrare, sa jepen këto reale tek lexuesit. Shpeshherë njerëz që nuk kanë aftësi letrare por kanë aftësi për të bërë reklamë të veprave të tyre lançohen dhe serviren si gjërat më të bukura të shkruara. Nuk jam i pari që them se nuk kemi një kritikë të mirëfilltë. Mungon ajo që quhet kritikë konstruktive e vazhdueshme nga njerëz të specializuar për këtë fushë, nuk kemi kritikë për të bërë seleksionimin e kësaj prurje të madhe në letërsinë shqipe sot. Nuk ekziston kritika dhe e kam pohuar dhe më herët për arsye financiare, nuk paguhet.

Intervistoi: Julia Vrapi
Gazeta “Sot” 23 dhjetor 2014

Dy libra të rinj për fëmijë të Sazan Golikut





 DY LIBRA TË RINJ  PËR FËMIJË TË SAZAN GOLIKUT

Shkrimtari Sazan Goliku, krahas krijimeve letrare për të rritur, kultivon edhe letërsinë për fëmijë. Nga viti 1972 deri më sot në opusin e tij për fëmijë ka mbi njëzet libra, të vlerësuara edhe me çmime letrare, si dhe është bashkautorë në tekste shkollore leximi.
Librat e tij të rinjë me vjersha “Keni parë e s’keni parë” dhe “Kupa me kapak, kupa pa kapak”, botuar nga shtëpia botuese”Erik”,u adresohen fëmijëve  të moshave 8-10  vjeç.
Temat e motivet nga jeta e shkollës dhe asaj në familje, të natyrës të marrëdhënieve të fëmijëve shpalosen nëpërmjet vargjesh të rrjedhshëm, të thjeshtë, me figura e detaje jetësore  dhe gjetje origjinale të motiveve.. Shoqërues  i këtyre vjershave është humori i shëndetshëm në përputhje me psikikën e kësaj moshe. Gjithashtu, këto libra i pasuron elementi lojë, një risi që shfaqet në disa nga vjershat e këtyre dy librave të këndshëm.

Trafikim (i) legal i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe



SAZAN GOLIKU
 
Sazan Goliku
Theksim
Trafikim (i) legal i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe

Deri kur do të përdoret fjala “parlament” në vend të fjalës shqipe kushtetuese Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ose Kuvendi i Republikës së Kosovës?
Në Kuvendin e Republikës deputetët flasin vetëm për “parlament”. Pra, po ta përkthenim nga italishtja (se në kohën e pushtimit fashist organi më i lartë ligjvënës (sic!) në Tiranë quhej parlament), do ta quajmë: vendi ku flasin ose llapin.
Është normale kur përdorim në përgjithësi termat ndërkombëtarë parlament – parlamentar – parlamentarizëm, por kur flasim ose shkruajmë konkretisht për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës duhet të kemi parasysh kushtetutat e dy shteteve shqiptare.
Drejtues shteti, partish, institucionesh, deputetë (me shkollë ose pa shkollë) në ligjëratat e tyre brenda në Kuvend, para turmave, në mediat elektronike e të shkruara përdorin fjalën “lider” për drejtues ose kreu, ose udhëheqës.
Në gjuhën shqipe, pas krijimit të shtetit modern shqiptar, në terminologjinë administrative, juridike, shkencore, ushtarake etj. kanë hyrë terma të shumtë si rrjedhimi i krijimit e funksionimit të institucionevetë reja politike, ekonomike, shoqërore etj., po dhe të objekteve te reja të teknikave e teknologjive bashkëkohore. Për shembull, fjala projekt tashmë ka zënë vend prej vitesh në shumë fusha të shtetit e të shoqërisë sonë. Por befas, dikush futi në tekstet e legjislacionit fjalën “draft”, e cila është e barasvlershme, në të gjithë foletë e saj, me fjalën projekt. Sa i padobishëm aq dhe i pakuptimtë është përdorimi i fjalëve të njëjta, kur ngatërohemi me këmbët tona, kur flasim e shkruajmë për draft projektligji, pra projekti i projektligjit.
Në shtyp, duke diskutuar  për ndarjen e re administrative të Republikës së Shqipërisë po përdoret rëndom fjala “rajon”. Më parë kemi pasur  fjalët rreth e qark dhe tash qark, bashki e komunë. Përse duhet të futet në përdorim e të miratohet qorazi nga Kuvendi në ligj fjala rajon? Dihet se dhe më parë, kur po diskutohej projekti i Kushtetutës së sotme, ishte synuar të futej kjo fjalë, por së fundi u miratua fjala shqipe qark.
Tash po shkojmë drejt pastrimit logjik e pasurimit të shqipes, apo po ecim si gaforrja, të nxitur nga snobizmi e padija?
A ka redaktor gjuhësor në administratën e Presidentit të Republikës, të Kryeministrisë, pa përmendur ministritë, të cilat hartojnë projektligjet dhe akte të tjera nënligjore? Kjo pyetje e ka përgjigjen brenda, për derisa në aktet depërtojnë legalisht fjalë të huaja edhe kur ato i kemi në shqip, pa harruar këtu gabimet drejtshkrimore e gjuhësore.
Në faqet e shtypit e të mediave elektronike po lexojmë e po dëgjojmë se po përurohen “pedonale” në Tiranë, Shkodër, Durrës, Berat...Ai që e shkroi së pari këtë fjalë (dhe gazetarët e shumëfishuan), me siguri nuk e di se në shqip i thonë këmbësore ose shëtitore, ashtu si “lungomare” mund të thuhet shqip buzëdetëse ose anëdetëse, ose me një emër më të përshtatshëm të krijuar nga gjuhëtarët e fushës përkatëse, leksikografët. Ka disa vite  që fjalët “implementoj” e “implementim” pa asnjë arsye u kanë zënë karriget fjalëve realizoj e realizim, tashmë të ngulitura në gjuhën tonë, për të mos përmendur fjalët shqip: jetësoj e jetësim me të njëjtin kuptim.
Mund të përligjen deridiku shtetarët, pushtetarët, juristët, inxhinierët, mjekët etj. ngaqë nuk e kanë studiuar lëndën e gjuhës shqipe në shkollat e mesme. Por gjuhëtarët, redaktorët e gazetarët profesionistë (të cilët, kur kanë kryer fakultetin  e gazetarisë, kanë marrë leksione dhe e kanë studiuar gjuhën e drejtshkrimin e shqipes), pse nuk reagojnë, me të gjitha format, ndaj këtyre ndërhyrjeve të papërgjegjshme në gjuhën tonë të shkruar e të folur?

SHKRIME NGA SAZAN GOLIKU


SAZAN GOLIKU

ËNDRRA ME BISHT

Djaloshi Mark L. nga fshati Gurlan iu paskish qepur mendja te kali i bardhë i Lis Dodës. Dhe nuk kisht faj. Të kullonin sytë kur e shihje kur ecte krenar kalldrëmeve të fshatit ose kur vraponte e argalisej lëndinave teksa kulloste me kuajt e tjerë. Plaku Lis nuk e ngarkonte asnjëherë atë bukurosh, veç ai i hipte kur shkonte në qytet dhe kur bënte vizita te miqtë e të njohurit.
Dhe një mesnate të bardhë me hënë të plotë, Marku doli nga shtëpia e tij dhe gati duke vrapuar shkoi drejt e te kulla e Lis Dodës. Qentë e shtëpisë e njihnin, si çdo djalë fshati, dhe portat e shtëpive në atë krahinë nuk ishte zakon të mbylleshin me çelës. I hodhi shalën kalit, i vuri yzengjin dhe, ende pa dalë nga oborri, i hipi e kalëroi sikur po fluturonte. Askush nuk mund ta ndiej atë ngazëllim që provoi Marku, duke ngarë atë kalë nëpër fushën e dehur nga rrezet e hënës. Vetëm kur do t’i jepte të dashurës së zemrës puthjen e parë do të kishte një shpirtdehje të tillë. Ngau e ngau kalin, duke lëshuar nga gjoksi gurgurima gazmore e thirrje përkëdhelëse për atë qenie të përsosur, kalëroi buzë liqenit deri te derdhja e një lumi, u kthye mbrapsh dhe kur ndjeu të ftohtit e agut e zbardhëllimën e qiellit nga lindja, u kthye në shtëpinë e tij. I fshiu mirë e mirë djersën Mbretit, kështu e quante me vete bardhoshin, i hodhi sipër një velënxë të mos ftohej, i dha tagji dhe çoi te kulla e Lis Dodës.
Në mbrëmje, të rrapi i madh në qendër të fshatit, ishin mbledhur burrat e kuvendonin. Pasi torrën e torrën gojdhëna e thashethemet më të reja të fshatit e të krahinës e më tej, e mori fjalën Lis Doda.
-Kam parë mbrëmë një ëndërr të habitshme, -foli duke shtyrë prapa qeleshen. –M’u shfaq një djalë e më tha: “Po të më japësh kalin e bardhë t’i hipi e të kalëroj me të, do të të japë si shpërblim velënxën më të mirë që kam.” Mirë , i thashë, po kujdes kryet se kalit i ha kurrizi dhe s’di ku të vërvit kokangulthi! –Dhe ia dhshë kalin... Kur u zgjova sot në mëngjes, shkova në haur, po ç’të shoh! Kali i bardhë ishte i mbuluar me një velënxë!
Burrat e fshatit zunë të mërmërisnin dhe të shinin syshqyer njëri-tjetrin dhe s’po u besonin veshëve. Rrena e kishte bishtin kaq të gjatë, sa s’do ta bënte as rrenësi më i madh i fshatit, kurse plakun Lis e njihnin dhe mbanin si një nga urtakët dhe njerëzit më të çiltër e më të ndershëm në gjithë krahinën! Mos kishte lajthitur vallë?!
-Që nuk po më besoni, unë e kuptoj, -tha plaku, -po ç’t’i bëj velënxës që më ka mbetur në shtëpi dhe nuk është e imja dhe nuk di kujt t’ia kthej?     



Nafora

Një anëtar i kryesisë së parties ZYX u largua (apo e larguan?) për një detyrë tjetër të rëndësishme larg kyeqytetit, në vendlindjen e tij. Ndërkohë që në mbledhjen e ngutshme anëtarët e tjerë po kërkonin një emër të përshtatshëm për zëvendësimin (kuptohet nga rrethi i të afërmve, i miqve e shokëve), kryetari ngriti zërin:
- Ecce homo! Skulptori, Afrim Stoli, i mrekullueshëm!
- Po, sipas statusit të partisë sonë, - ndërhyri me nënqeshje domethënëse një anëtare, - duhet të jetë në komitet...
- E bën ai, e bën. Ai nuk flet. - Foli kryetari me bindjen e njeriut që nuk mund të gabojë kurrë. - Kush e ka numrin e celularit të tij që ta thërrasim që tash?
Të gjithëve iu duk e habitshme kjo tekë e kryetarit, megjithëse nuk i befasonte më mençuria e tij kokëforte. Asnjëri prej tyre nuk e dinte që ato ditë skulptori Afrim Stoli po gdhendte në mermer bustin e kryetarit.
- Celularin? - Të gjithë ngritën supet me keqardhje, kur në tërë rastet e miratimit të vendimeve ngrinin automatikisht dorën.
- Thirrni sekretaren, - foli kryetari. - Ajo t’ia njoftojë zotni Stolit se është zgjedhur unanimisht anëtar i kryesisë sonë.
Atë natë skulptori nuk vuri gjumë në sy. Ashtu si peshku në tigan, ai përpëlitej e përsëriste:
“... Si mund të jem i djathtë, kur shoh se i dituri e punëtori i vërtetë rropaten dhe numërojnë qindarkat dhe durojnë talljet e fëmijëve të vet pse janë të tillë, kur pasunari batakçi dhe trashëgimtari i kamur përtac gëzojnë gjithë të mirat e botës e të shkencës? Si mund të jem i majtë, kur shoh të paaftët, parazitët, dembelët dinakë, polipë që thithin e presin t’u vijnë drejt e në gojë llokumet nga shteti dhe qajnë e rënkojnë, po edhe revoltohen, për të drejtat e njeriut? E si mund të jem i djathtë a i majtë, kur shoh të majtët në fron që shndërrohen në të djathtë dhe të djathtët në opozitë që revoltohen si të majtë? Më mirë lakuriq, pa kostume partish, me përparësen e bardhë të njeriut të punës, që gjithsesi do të ndotet nga e keqja e pashmangshme - politika? Po të ulem në atë karrige që më propozuan, do të them ato që më thotë karrigia ose do të hesht... Por, kur duhet folur, nuk mund të hesht... Por, po të shpreh ato që kam këtë në kokë dhe ato të puqen me ato të partisë kundërshtare, do të më quajnë tradhtar. Këtë nofkë s’mund ta gëlltis, ashtu siç nuk kam pranuar kurrë të jem spiun...
Në të gdhirë, ashtu me sytë e buhavitur nga pagjumësia, Afrim Stoli shkoi në dhomën tjetër që e kishte përshtatur për studio.
“Ja kush më paska propozuar, - u kujtua sa pa bustin e kryetarit të Partisë së ZYX mbi stativ.
- Ti ma bëre këtë nder, për të më grabitur lirinë time. Të falemnderit, mik i dashur!
 Koka e bustit të kryetarit ishte gati e përfunduar, vetëm pak spërdredhime duheshin te mustaqet. Mori daltën dhe çekiçin dhe nisi të punojë…
Pas një ore i la mbi tryezë dhe bëri dy hapa mbrapa: koka ishte shndërruar për mrekulli në trajtën e përsosur të një topi futbolli.
Askush nuk e dëgjoi të qeshurën e madhe e të zgjatur të skulptorit atje brenda katër mureve të studios plot pirgje balte, trungje arre, etyde e skica të pafundme, pa të cilat ai nuk do të ishte më ai.
... Pas dhjetë orë udhëtimi, skulptori ishte ulur në rrëzë të arrës së lartë e të vjetër në kopshtin e shtëpisë së vet, në fshatin e largët, në Pasmalas dhe thithte i qetë një cigare të dredhur nga të babait plak.