SAZAN GOLIKU
Rekuiem për minatorët e Bulqizës
Ai që nuk ka provuar të ftohtit e
Bulqizës,
nuk e di ç’do të thotë të vdesësh
nga të ftohtit.
Ai që nuk është futur në galeritë
e kalbura të Bulqizës
nuk e di ç’do të thotë vdekje në
errësirë,
ç’do të thotë të lësh në shtëpi
fëmijët zorrëtharë
(që nuk dinë t’i luten as
perëndisë)
dhe të fluturosh në purgator për
të pastruar
mëkatet e krimet
e pushtetarëve dhe të biznesmenëve
kusarë legalë
që akuzojnë njëri-tjetrin për
hajni.
Minatori si alkimist i mjerë nuk
arrin
ta shndërrojë kromin në bukë.
Çdo javë TV-të njoftojnë
shpërfillës
vdekjen
e minatorit të radhës
në thellësi të tokës që e lindi.
Unë nxitoj të ndërroj stacionin,
por në ekran
më shfaqet një “lider” që thotë
vetëm të vërtetën.
Pastaj një stacion tjetër: Reklama
verbuese
të qeshin paturpësisht në fytyrë,
pastaj parajsa
e zbritur në këtë mbitokë
tragjikomike...
Ata zbresin e ngjiten përditë në
ferr
dhe ferri i gëlltit një nga një.
Dhe ti as qan as qesh dot.
Pandeli Koçi (emri letrar Sazan Goliku)
ka lindur në Vlorë më 1942. Ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë
dhe ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB
“Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e
letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qënë ligjërues i këtij krahu të
letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar
në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë e
letërsi për fëmijë dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë letrare,
recensione dhe ese. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë.
Disa libra të autorit:
-Pasqyra e thyer, 1972
-Lule drite, 1977
-Grusht, 1981
-Intimitet, 1987
-Aventurat e lirisë, 1995
-Epidemi kozmike 1996
-Endërr dashurie, 1996
-Komitet e Malit të Bardhë, 1999, 2011
-Petalet e rëna, 2001
-Trekëndëshi i qiellit të zi, 2006
-Turbull, 2007
-Shpirtdehje, 2011,
-Unë jam unë, 2011
No comments:
Post a Comment