Rrëfimet e djalit nga Hoti /refleksione nga Sazan Goliku



RRËFIMET E DJALIT NGA HOTI
-Refleksione për librin “Djali nga Hoti” të Kolec Traboinit –

Nga Sazan GOLIKU

Një fletore hartimesh në frëngjisht e një nxënësi (më saktësisht të babait të vet) të vitit 1905,  i kanë shërbyer Kolec Traboinit për të krijuar një libër me 29 rrëfime për fëmijë, çfarë shënon prurje të re, anipse rrëfimet janë të hershme të një kohe mbi një shekullore, por për shkak të veçorive të moshës nuk duket dhe aq larg. Bota e fëmijëve në të gjitha kohërat ka edhe të përbashkëta, si ëndërrimet, miqësinë, dashurinë, respektin, dëshirën për zbavitje dhe etjen për dije, siç shkruan autori Traboini në rrëfimin e parë në hyrje “Rrëfim i vogël për atin tim”.
Letërsia për fëmijë e shekujve të kaluar  lexohet aq mrekullisht edhe sot. Teknika dhe teknologjia e ka lehtësuar jetën, por nuk e ka ndryshuar shumë njeriun, i cili shpesh i lodhur nga jeta moderne, ku gjithçka vrapon pa të lënë kohë as të soditësh hënën e yjtë, zogjtë në fluturim, kaprojtë në pyll, lëndinat me lule, krahët e fluturave, xixëllonjat e buzëmbrëmjes, lulëkuqet e manushaqet. Pra, në këtë lodhje ai shpesh i kthehet natyrës plot dëshirë. Dhe natyra nuk ndryshon dhe aq në kufijtë e një shekulli. Ajo është shlodhëse dhe frymëzuese. Në natyrë njeriu gjen prehje e gëzim dhe në rrëfimet e një kohe të largët vihet re më shumë prania e natyrës se sa e teknikës dhe makinave që herë herë nëpër qytete të zënë frymën. Rrëfimet janë të gjitha të ilustruara dhe i takojnë asaj moshe kur fëmijët kanë mësuar të lexojnë dhe dëshirojnë edhe ata të kenë bibliotekën e tyre me libra të formatuar si ato të rriturve.
Libri “Djali nga Hoti”, nga kjo malësi shqiptare e ndarë në mes të dy shteteve Shqipërisë e Malit të Zi, e dënuar të jetë dy gjysma, shpalos rrëfenjë pas rrëfenje ndodhi që e mbushin jetën e fëmijëve me mbresa të pashlyeshme nga koha kur kjo ndarje ende nuk kishte ndodhur. Ky libër plotëson një zbrazëti, atë të periudhës së jetës së fëmijëve shqiptarë para pavarësisë, me ngjarjet, mendimet, botën dhe ëndërrimet e tyre.
Titulli i librit është mjaft domethënës, sepse personazhi që rrëfen ndodhitë është një djalë nga Hoti që ka zbritur në Shkodër për të mësuar në Shkollën Teknike Tregtare Italiane, ku mësohej gjuha shqipe krahas gjuhëve të tjera. Rrëfimet janë të shkurtra, subjektet janë të thjeshta duke përfshirë ato që ndërtohen si fabula, të cilat kanë për bazë cilësitë morale që duhet të fitojë një fëmijë, e mira dhe e keqja, jeta në Malësi me vështirësitë e saj, por edhe ngjarje nga qyteti i Shkodrës, gjithnjë të lidhura me botën e fëmijëve.
Veç djalit nga Hoti, që është rrëfimtari, libri ka personazhe, të mirë por edhe ndonjë me vese,  njerëz me shpirt të madh, por edhe kurnacë e gënjeshtarë. Bie në sy edhe ndjenja e miqësisë mes nxënëseve, të cilët e ndihmojnë njëri-tjetrin, si dhe dashuria dhe respekti për mësuesit e shkollës. Një rrëfim tregon për ditën e karnavaleve të qytetit, një tjetër se si pa pritur ra zjarr në shkollë. Ka dhe ndonjë aventurë të rrezikshme kur nxënësi Mateo me babanë e vet mbetën të bllokuar nga ariu në pyll ose në rrëfimin “Ujku në mal” që tregon çfarë ndodhi kur Pali u gjend i sulmuar nga ujku, fabulat për fluturën dhe mizën etj. Në mendje të mbesin Toma, vogëlushi bujar që dhuratën e ditëlindjes së vet ia fal një të varfëri, shëtitja e Luizës me babanë në pranverë, Gjergji dhe bërthama e pjeshkës, Gjoni, fëmija i pabindur,  ndarja me mësuesin, festa në Malësi, marangozi i ndershëm që riparon dollapin e vjetër, një tregim për Gjergj Uashingtonin kur ishte fëmijë etj.
Ky libër ka dhe magjinë e vet; me thjeshtësinë në të shkruar, me ato ngjarje të pabujë që e rrethojnë jetën e nxënësve, të mbushur me mbresa, do t’i nxisë lexuesit e vegjël të tregojnë e shkruajnë edhe vetë, sepse kësisoj ata do të mësojnë të rrëfejnë e  kjo është shkolla e parë në krijimtari për ata, të cilët ëndërrojnë që kur të rriten të bëhen pse jo edhe shkrimtarë.

Për novelën “Zjarr dhe zjarr” të Sazan Golikut- nga Skënder Buçpapaj



Shënime për novelën “Zjarr dhe zjarr” të  SAZAN GOLIKUT

“Autori Sazan Goliku (emër arti i Pandeli Koçit) meriton përgëzime për këtë novelë ilire të shpalosur kaq bukur e kaq magjishëm me verbin e modernitetit të shqipes. Kjo novelë më shtyn të mendoj se letërsia mund të bëjë mrekullinë e madhe – të restaurojë kujtesën ilire të shqiptarëve. Duke qenë e çliruar nga censura si dhe nga komplekset e diktuara nga mjedisi ballkanik, mendoj se letërsia jonë e ka mundësinë dhe duhet ta ketë edhe vetëdijën përkatëse për ta restauruar nëpërmjet gjurmëve që kanë lënë të parët tanë tek fqinjtë e tyre të atëhershëm.”

SKËNDER BUÇPAPAJ

Mund ta kishte krijuar një filozof ilir, bashkëkohës i Aristotelëve, Sokratëve, Platonëve, t’ia kishte lënë amanet pergamenës së eterit qiellor, dhe ajo ta kishte ruajtur deri në ditët tona. Mund ta kishte zbuluar nga ajo lëndë aq fluide e kujtesës një bashkëkohësi ynë dhe ta kishte riprodhuar për ne fjalë për fjalë. Por novelën ilire, me fjalor të sotëm dhe përftime të hershme, e sjell për ta pasuruar letërsinë tonë, posaçërisht novelistikën tonë, poeti dhe prozatori i njohur e me përvojë Sazan Goliku. Dhe s’ka si të mos ruante tek vepra e tij fillin e një traktati filozofik, cili herë të na shfaqet e herë të na fshihet këndej e përtej shtresave të tekstit, këndej e përtej mbresave,emocioneve, mendimeve që lindin nga leximet dhe rileximet tona. Ato rrinë bashkë aq natyrshëm, siç rrinë mes tyre shtresat e atmosferës. Ato ndërthuren, shndërrohen në njëra-tjetrën, trubullohen e kthjellen para syve tanë ashtu si rrymat në det. Ashtu si rrymat në detet e ilirëve të dikurshme, në detet e grekëve të dikurshëm, që bashkonin dhe përzienin fatet e të parëve tanë të hershëm, mbretër jo vetëm të Adriatikut, Jonit apo të Egjeut.
Ashtu si shtresat më shumë të dendura apo më pak të dendura, më shumë të ngarkuara apo më pak të ngarkuara të atmosferës, ashtu si rrymat më të ftohta apo më të ngarkuara, më të vrullshme apo më të qeta të detit, edhe në prozën e Sazan Golikut pranëvihen, ndërthuren dhe shndërrohen mes tyre narracioni i prâjtë, lirizmi i butë, tonet e nuancat nga më të qetat deri tek më të vrullshmet, racionaliteti i kthjellët me humorin, ironinë deri cinizmin, meditacionet e brendshme me shpërthimet e fuqishme.
Nën qiejt e gastartë dhe mbi ujërat e qelibarta të Mesdheut, teksa hidhnin themelet e qytetërimit evropian, të parët tanë ilirë dhe fqinjët e tyre grekë ndanin mes tyre zjarrin që ua kishte dhuruar tokësorëve Prometeu dhe frymonin për zjarrin tjetër, atë që e mbanin dhe e mbajnë për vete Perënditë.
Falë kësaj logjike të ngjizjes së krjimit, nuk ka sesi novela të mos ngërthejë në vete plot simetri të dukshme, plot asimetri të padukshme. Falë kësaj, autorit i mundësohet të na çojë tek embrioni i qenies sonë dhe ta projektojë atë nga këndshikime dhe këndlexime nga më komodet dhe nga më intrigueset, me prologë dhe epilogë, filli i sprales së të cilëve mund të kapet njëlloj si në fundin e fillimin e novelës, ashtu edhe në fillimet dhe fundet e secilës prej pjesëve të saj, të cilave në terrenin konkret të historisë sonë iu përgjigjen etapa dhe faza, krejt të zhytura në errësirë apo sadopak të prekura nga drita e së vërtetës.

Rrëfimtari i saj është ilir. Ai rrëfen në veten e parë. Dhe këtë e bën nga koha e sotme. Për më tepër, duke u kthyer në kohën e tij. Kjo i jep shumë dorë prozatorit. Njëherësh e ndihmon lexuesin që të ndihet bashkëkohës me Rukipeun e Kaonias, madje ta shkrijë veten me Rukipeun, autorin e trilluar të rrëfimit, atë që sfidon emrin e Sazan Golikut mbi ballinën e librit.
Fatkeqësia është ajo që e vë njeriun në kërkim të fatit. Ky ligj vlen edhe për njeriun e thjeshtë, edhe për dijetarin.
Lexuesi, nga fillimi deri në fund, është i intriguar nga situatat e shumta, zgjidhja e të cilave është gjithnjë krejt tjetër nga ajo për të cilën ai është përgatitur. Kjo befasi e leximit të parë ruhet edhe në rilexime.
Pjesë organike e këtyre situatave është dialogu. I kursyer si të gjithë përbërësit e kësaj proze, dialogu është gjithnjë funksional. Ai është mjet i suksesshëm sa në realizimin e situatave sa dhe në karakterizimin e personazheve.
“Zjarr dhe zjarr” arrin të portretizojë personazhin qendror, Rukipeun. Ndonëse nuk zhvillohet gjatë subjektit, sepse është i dhënë që në fillim, ai vetëshpaloset nga njëra situatë në tjetrën. Rukipeu braktis që fëmijë talentin e babait matematikan dhe të nënës fallxhore, për të qenë diku në mes të të dyve – filozof, pra interpretues dhe parathënës i fatit – tashmë jo të individëve, por të njerëzimit. Si i tillë, ai është i paracaktuar si personazh qysh në embrionin e tij. Dhe cilësitë e tij vetëm sa i zgjeron, i thellon e i përkryen në jetë.
Krahas portretizimit të personazhit qendror, autori arrin të skicojë, disa më pak e disa më shumë, vartësisht vendit që zënë tek personazhi qendror, edhe personazhe të dyta që nga babai, nëna, motra Dalmana, Blerta, (të cilët shërbejnë edhe si pika lidhëse me personazhe, situata, zhvillime të tjera gjatë shtjellimit të prozës), deri tek Sostrata dhe Kiprina, dy dashuritë e tij, por edhe personazhe të tjerë që shërbejnë në aspektin e organizimit kompozicional si peshkatari Amantin, babai i Vendonit, studentja Era, studentët Laketi e Mirtia, Eufemidi e tjerë.
Nga pikëpamja ime, “Zjarr dhe zjarr” është një novelë e shtjelluar në një shtrat romani. Ajo i përmban mundësitë për krijuar linja të reja, për t’i thelluar personazhet e skicuar, për ta pasuruar me personazhe të reja dhe situata të reja të cilat do t’i sillnin me vete. Lexuesin e intrigon edhe fjalori bashkëkohor i rrëfimtarit, i ngjyruar me tone dhe nota arkaike – një ndërthurje e bukur mes kohës kur ai rrëfen dhe kohës për të cilën ai rrëfen.
 Kjo novelë më shtyn të mendoj se letërsia mund të bëjë mrekullinë e madhe – të restaurojë kujtesën ilire të shqiptarëve. Duke qenë e çliruar nga censura si dhe nga komplekset e diktuara nga mjedisi ballkanik, mendoj se letërsia jonë e ka mundësinë dhe duhet ta ketë edhe vetëdijën përkatëse për ta restauruar nëpërmjet gjurmëve që kanë lënë të parët tanë tek fqinjtë e tyre të atëhershëm.
Po kaq të emancipuara janë edhe mesazhet që novela iu jep fqinjëve tanë të sotëm, pasardhës të fqinjëve të moçëm të ilirëve, si dhe të tjerëve: Së bashku mund të mbajmë gjallë zjarrin tokësor prometeik, së bashku mund t’i shndërrojmë në dritë njollat dhe muzgjet që i shkakton zjarri që mbajnë në duar Perënditë, pra, faktorët që kanë luajtur dhe luajnë me fatet e të vegjëlve. Dhe na e kujton se jemi ‘vegjël’ me prejardhje gjigante, me prejardhje të fisme. Mund të rinjihemi si të tillë jo duke e zvogëluar njëri tjetrin, jo duke u gënjyer se mund të madhërohemi duke e zvogëluar njëri tjetrin. Mund të rinjihemi si të tillë duke e zbardhur dhe nxjerrë në dritë të vërtetën e përbashkët, e cila është e vërtetë e secilit.
Ndërgjegjësimi i letërsisë, si në rastin e novelës “Zjarr dhe zjarr” për të ngjallur dhe sjellë kujtesën iliriane dhe shpirtin ilirian, meriton të përshëndetet.
Në këtë kontekst, i gjej me vend dhe të rëndësishme në mesazhet e novelës hipotezat që ngre autori për përkatësinë ilire të filozofive antike dhe të përfaqësuesve të saj.
E gjej me shumë vend konkluzionin e novelës për fatin tonë kolektiv se Roma na gëlltiti ne si boa qengjin, ngaqë ne ishim dobësuar përballë stuhive aziatike dhe grindjeve të brendshme. Pikërisht kjo përcakton edhe periudhën e gjatë të errësirës së plotë në historinë tonë menjëherë pas shpartallimit të Ilirisë nga Roma. Dhe pajtohem plotësisht se kjo e përcaktoi fatin tonë të derisotëm.
E gjithë novela përshkohet nga ai fill artistik dhe filozofik të cilit ia vë pikën fjalia përmbyllëse e novelës – ku fati i individit, si në kohën e rrëfimit, ashtu në kohën për të cilën është rrëfyer mban të njëjtën vulë me fatin e kolektivitetit të vet.
Autori Sazan Goliku (emër arti i Pandeli Koçit) meriton përgëzime për këtë novelë ilire të shpalosur kaq bukur e kaq magjishëm me verbin e modernitetit të shqipes. Meriton përgëzime edhe ajo letërsi e cila, me këtë novelë shënon një shkallë të re të vetëdijës së saj, një horizont të ri të vizioneve të saj.

NACIONAL 31 maj 2015

Profili letrar i Sazan Golikut



Profili letrar i Sazan Golikut
Kur në çdo varg e rresht rreh pulsi i gjallë i botës shqiptare
Pandeli Koçi

Nga Hyqmet Hasko

Kur i qasesh një profili krijues, për të ndërtuar ato ura që e lidhin atë me kohën dhe bashkëkohësin, vështirësia e parë qëndron në faktin se sa më shumë kërkon të gjesh gjurmë dhe të sjellësh përvoja njerëzore e letrare, që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi me këtë individualitet, aq më shumë qasja dhe kërkimi shkojnë drejt të pamundurës. Kjo ndodh pasi jeta krijuese, ashtu si jeta njerëzore, janë komplekse dhe sapo tenton të rrokësh një vektor të tyre, të dalin e të parakalojnë vrullshëm vektorë të tjerë, grimca kohe e kujtese që enden në një soj mjegulle e misteri.
Ky imazh po më shoqëronte në formën e një ideje të shumëfishuar, teksa sillja ndërmend gjurmët e Sazan Golikut, (Pandeli Koçit) në analet e letrave tona kombëtare, në një shtrirje të gjatë kohore, prej rreth pesëdhjetë vitesh.
Sazan Goliku (emri letrar i Pandeli Koçit) njihet gjerësisht nga lexuesi shqiptar, që në fillim të viteve ’70, kur nis karriera e tij letrare e në vijim, deri në ditët tona, kur temporitmi i krijimtarisë së tij, në prozë, poezi, publicistikë, studime e kritika letrare, në letrat për të rritur dhe fëmijë, ka ardhur gjithnjë në rritje, qoftë si prurje sasiore, qoftë si cilësi estetike.
Në prozën dhe poezinë e tij gjallon dhe rreh pulsi i jetës shqiptare, e ndodhura, historia dhe fiksioni shkrihen në një realitet estetik, kurbat e të cilit kanë ardhur gjithnjë në ngritje, duke bërë që ky autor të merret shumë seriozisht nga lexuesi shqiptar, i të gjitha moshave dhe niveleve kulturologjike.
Sazan Goliku, (emri letrar i Pandeli Koçit) ka lindur në Vlorë më 1942 dhe ka kryer Fakultetin Histori – Filologji në Tiranë, pas të cilit ka punuar mësues, punonjës kulture, gazetar, si dhe redaktor letrar në SHB “Naim Frashëri” e gjetkë. Që nga viti 1970 është marrë aktivisht me botimin e letërsisë shqiptare të botuar në Kosovë dhe ka qenë ligjërues i këtij krahu të letërsisë shqiptare në Universitetin e Tiranës. Nga viti 1981 – 2002 ka punuar si drejtues në sektorin e shtypit të Kuvendit të Republikës. Ka shkruar poezi, prozë dhe letërsi për fëmijë, si dhe tekste këngësh. Është marrë me kritikë e studime letrare, recensione dhe ese. Ka botuar 12 libra për të rritur dhe 31 libra për fëmijë. Është fitues i disa çmimeve kombëtarë dhe vendorë dhe kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj që nga viti 2008.
-Nga viti 1960 dhe në vazhdim ka botuar studime, kritika e recensione letrare në organe të shtypit, letrar e shkencor si Zëri i Rinisë, Drita, Zëri i Popullit, Nëntori, Studime Filologjike, Dardania Sacra, Fjala, Jeta e Re, Jehona, Mehr Licht, Poeteka, Zëri, Albania, Shqip, Shekulli, Telegraf, Obelisk, Nacional, Sot etj. etj. në Tiranë, Prishtinë e Shkup.
-Ka pasur veprimtari të dendur me emisione, biseda e intervista në radio e televizione të ndryshëm, si dhe ka ligjëruar në konferenca letrare e shkencore që nga viti 1960. Ai Ka fituar disa çmime letrare kombëtare e vendore, ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë që nga viti 1969, ka qenë bashkëredaktor (me Prof. Dr. Emil Lafen) i Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë (1998), ka qenë zëvendëskryeredaktor i revistës shkencore juridike-sociologjike “Pajtimi”, redaktor i revistës “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore” dhe i revistës “Lente sociologjike”.\
-Që nga viti 2008 është Kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj dhe ka zë në “Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë” të Hasan Hasanit, në “Leksikonin e shkrimtarëve për fëmijë” të Odise Grillos, në “Leksikonin e gazetarëve shqiptarë” të Hamit Boriçit dhe trajtohet gjerë në “Histori e letërsisë shqipe për fëmijë” të Astrit Bishqemit etj.
Ndër botimet e tij për të rritur mund të përmendim: Pasqyra e thyer (1972), Lule drite (1977), Grusht (1981), Intimitet, (1987), Aventurat e lirisë (1995), Epidemi kozmike (1996), Ëndërr dashurie (1996), Petalet e rëna (2001), Trekëndëshi i qiellit të zi (2006), Turbull (2007) Shpirtdehje (2011), Unë jam unë (2012), nga titujt e librave të tij për fëmijë mund të përmendim: Unë pionieri (1971), Rreze mbi valë (1973), Dritaret e shkollës (1974), Ata ishin partizanë (1976), Trimëritë e Ujkan Gjonit (1977), Shigjetat e zjarrta (1978, 2001), Dhembët e çeliktë (1980), Ti më je si lulëkuqe (1980), Komitët e Malit të Bardhë (1999, 2011), Mjalti i hidhur (2001, 2006, 2007), Aventurat e një mëngjesi (2003), Arap maçoku dhe Verdha, bukuroshe (2004), Trimi i rrallë dhe mbreti burracak (2004), Pasqyra që flet (2005), Djemtë e detit (2006), Gabimi i Markut (2006), Bariu i vogël, ujku e bora (2006), Grenzat dhe mjalti (2006), Mos harro se je Njeri (2009), Ujku pa dhëmb (2010), Kemi parë e s’keni parë (2011), Faleminderit, Abetare (2012), 10 përralla (2013), Kupa me kapak – kupa pa kapak (2014), Përbindëshi i fshatit kobzi (2014).
Poezia është një nga lëvrimet e tij më të suksesshme, pasi në vargun e tij gjejmë mishërimin e traditës më të mirë të poezisë shqipe, por të pasuruar në elementë modernë e modernistë, gjithmonë në përputhje me dhuntitë vetjake të poetit, i cili në poezinë e tij ka si mishërim kryesor sendërtimin e një nacionalizmi poetik, jo si produkt shtampë, siç ndodh rëndom me artin deklamativ e retorik, por si një risi e përdorimit të një teknologjie modern të procedimit estetik.
Nëse iu hedhim një sy poezive të tij, do të vërejmë se poezia është për poetin një akt shenjtërimi, pasi me të ai lidh jo vetëm kujtesën, historinë, çastin, përditshmërinë, flirtin, ndjeshmërinë e hollë, uninin e tij shëtitës dhe kredot që e motivojnë, por tenton të zbulojë dimensione të reja të minibotës që bën objekt shqyrtimi poetik.
Thelbi substancial i poezisë së Golikut është moderniteti lirik, rrekja për të thënë sa më shumë gjëra me sa më pak fjalë e vargje, duke e kondensuar mendimin dhe emocionin në ngarkesa të forta estetike. Poezia si ndjesi e epërme e qenies dhe shpirtit, që vjen nga e panjohura dhe ëndrra e kulluar, si një kumt fatbardhë, për të përndezur majat e pasionit dhe për të dëshmuar një ekzistencë tjetër, përtej asaj të zakonshmes, dëshmohet në aktin krijues të Golikut si një etni tjetër, etnia e dashurisë dhe filozofisë së mbijetesës kombëtare, nëpërmjet unit poetik të grimcuar në mesazhe.
Poeti vjen në rrugën e poezisë me një akt të plotë poetik, pasi sipas mënyrës së saj, iu shkon deri në fund të vërtetave të unit dhe të jashtësisë, në një tentativë për të rrokur dimensione eterike të realitetit që e rrethon në përditshmërinë e tij dhe të bashkëkohësve. Ai rrok tema të ditës, por dhe raporte mitike e trandenshente, vozitet në tokën e lirë të ëndrrave të kulluara dhe sjell me vete aromën e një jete të ngarkuar me mbresa e përjetime të forta, të cilat na i përcjell me një kamer poetike të fuqishme dhe pa ekuivoke e keqkuptime. Gjeografia e tij poetike është një gjeografi e thyer dhe e pasur me territore nga më ta larmishmet, me fusha, male, lumenj, pyje, ndjenja fisnike, mall, idil, dhimbje, ankth, kërkim në botën e dashurisë, zhgënjim dhe trazim, një botë komplekse në lëvizje, që të joshë e të befason me larminë dhe freskinë e gjendjes dhe të imazhit poetik. Udhëtimi përgjatë poezisë së Golikut është një udhëtim shqyrtues, ballafaques, kërkues e krahasues, pasi në vargjet e tij të ndjera, me figura të pastërta e të gjalla, plot ndjeshmëri dhe emocion, na jepet një botë e thyer, lufta mes midis unit dhe jashtësisë së tij, koha dhe bashkëkohësi, me problematikat e mprehta ekzistenciale, etike, filozofike e humane. Botëvështrimi mbi njeriun modern, mbi njeriun shqiptar, që përpiqet në një luftë sizifiane për të gjetur vetveten dhe për të kapur kohën historike të humbur, është një nga mesazhet më kuptimplotë të poetit.
Në thelb jo vetëm poezia, por dhe proza, shkrimet dhe kontributet eseistike e kulturologjike të Sazan Golikut janë pjesë e vektorit kombëtar të letrave dhe kulturës sonë të ridimensionuar kombëtare, për të cilat ai ndihet i obliguar dhe i përkushtuar me artin e fjalës së bukur dhe veprimin e një atdhetari plot pasion.
Sazan Goliku ka një veprimtari të gjerë në fushën e krijimtarisë letrare, por ai spikat dhe në krijimtarinë për fëmijë, ku mund të themi me plot gojën se është një nga autorët me profilin më të plotë e më të adhuruar nga bota fëminore. Mesazhet e kësaj krijimtarie lidhen me një edukim estetik atdhetar të të vegjëlve, edukim ky mjaft i nevojshëm, në një kohë si kjo që po përjetojmë, kur globalizmi po tenton të rrënojë të gjitha urat e veçantësive kombëtare.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë Sazan Goliku (Pandeli Koçi) për njohjen e letërsisë së Kosovës në Shqipëri, në një kohë kur Kosova ishte “mollë e ndaluar” dhe të flisje për të –më e pakta që mund të themi-është se nuk shikoheshe me sy të mirë nga regjimi. Me kurajo qytetare dhe krijuese, me atdhedashurinë për çdo pëllëmbë tokë të këtij kombi, të cilën ai e ka mbartur me vete në çdo varg e rresht të krijimtarisë së tij, Pandeli Koçi ka ndikuar personalisht që kjo letërsi të mos jetë “e humbur”, por të gjejë lexuesit e saj në trungun amë.
Pas kësaj qasje vertikale, për një personalitet letrar me një zë krejt të veçantë në letrat tona kombëtare, mund të themi me dy fjalë, si përfundim, se Sazan Goliku, (emri letrar i Pandeli Koçit) është një shkrimtar, publicist dhe studiues me një individualitet të thekur, me emrin e të cilit lidhet poezia, proza, letërsia për të rritur e fëmijë, kritika letrare dhe muzikologjia (si autor tekstesh), kontributet atdhetare për afrimin e letërsisë kosovare në të gjitha trojet shqiptare, si një mundësi për një komunikim të ri shpirtëror të shqiptarëve në të gjithë hapësirën e shtrirjes së tyre, pa mure dhe dogana shpirtërore.

Tirane Observer,  9 tetor  2014