Nga Sazan GOLIKU
A është shqetësuese – për intelektualët në përgjithësi, por edhe për
publicistët, gazetarët, politikanët e të tjerë që janë figura publike dhe
flasin e shkruajnë për një publik të gjerë – përdorimi i fjalëve të huaja?
Fatkeqësisht jo. Një pjesë, për mungesë të kulturës gjuhësore, pra
janë të pavetëdijshëm për këtë fakt që nuk është thjesht problem
gjuhësor. Një pjesë tjetër tregojnë hapur se janë snobë dh i kundërvihen
atij që ia vënë në dukje kotësinë e dëmin e të përdorimit pa vend dhe pa arsye
të fjalëve të huaja.
Këtu nuk është fjala për ndërkombëtarizma e termat ose për përdorime
stilistike e shkencore. Çka është e papranueshme dhe aspak dinjitoze ka
të bëjë me përdorimin e fjalëve të huaja kur në shqip i kemi këto fjalë me të
gjitha foletë kuptimore.
Çdo ditë, në çdo emision radioje e televizioni, në çdo gazetë e revistë të
vrasin veshët fjalët: parlament (kuvend), komunitet (bashkësi), prioritet
(përparësi), prezencë (prani), aktivitet (veprimtari), personal (vetjak),
eksperiencë (përvojë), elektoral (zgjedhor), lokal (vendor), direkt
(drejtpërdrejt), ambient (mjedis) pedonale (shëtitore). Përmenda
vetëm këto fjalë, për të mos kujtuar qindra fjalë të tjera të huaja që
zëvendësohen lehtësisht sepse i kemi në shqip.
Gjuha jonë, siç dihet, madje dhe nga studiues të huaj, është gjuhë e
begatë. Aktivizimi i fjalëve shqipe i të dy kryedialekteve e të krahinave nuk
është detyrë vetëm e shkrimtarëve dhe e gjuhëtarëve, po e të gjitha figurave
publike. Ky do të ketë ndikim të dukshëm te lexuesit e dëgjuesit e thjeshtë
kudo në trevat shqiptare, aq më tepër te fëmijët dhe nxënësit e të gjitha
shkallëve.
Me të drejtë një shkrimtar e publicist ka vënë në dukje se, po të bëhej një
punë me pamje më të gjerë e me pikësynim strategjik gjuhësor, të qartë e
gjithëpërfshirës, do të kishim një fjalor të shqipes po me aq fjalë e shprehje
frazeologjike sa kemi në “Fjalorin e shqipes së sotme”, të redaktuar e të
ribotuar, por jo të pasuruar siç e kërkon koha.
Fjalori “Për pastrimin e gjuhës shqipe” i ASHSH-së ishte një nismë e
mirëpritur; pasurimi dhe ribotimi i tij nuk ka pse pengohet “nga mungesa e
fondeve”. Kur shohim të sponsorizohen me dhjetëra e dhjetëra libra me vlera të
dyshimta ose të diskutueshme, për të mos thënë të dobëta e madje të dëmshme,
sponsorizimi i kujtdo qoftë i fjalorëve të tillë do të ishte më tepër se
një ndihmesë kulturore, do të ishte një veprim sa atdhetar aq dhe shkencor.
Pastrimi nga fjalët e huaja dhe pasurimi me fjalë të shqipes dhe me
brumin e shqipes do t’i hapte udhën edhe përpjekjeve për t’u mbrojtur nga
shtrembërimet morfologjike e sintaksore, të cilat janë të rrezikshme dhe fatale
për autencitetin e origjinalitetin e shqipes.
Gazeta DITA 20 korrik 2015
No comments:
Post a Comment