Mbi krijimtarinë e Sazan Golikut- nga Prof. dr. Klara Kodra

KONCIZITETI DHE URTËSIA FILOZOFIKE E NJË AUTORI
 


Nga Prof. dr. KLARA KODRA

Pandeli Koçi, me emrin letrar Sazan Goliku, është nga ata autorë shqiptarë që patën fatin e mirë a të keq të rrokin me krijimtarinë e vet dy periudha letrare, periudhën e realizmit socialist, një drejtim letrar ky me program estetik të imponuar nga lart dhe periudhën që mund të quhet si e pluralizmit të drejtimeve, që koincidon me periudhën e pasdiktaturës ku kryqëzohen modernizmi, pasmodernizmi dhe një lloj i veçantë realizmi, pra dy periudha antitetike, një periudhë rregullash strikte gati mbytëse dhe një periudhë lirie të skajshme.
Ky autor i përket brezit letrar të pasluftës që nuk njohu drejtim tjetër veç realizmit socialist, po më të  talentuarit e të cilit u përpoqën me ngulm për të gjetur të çara në koracën e hekurt të rregullave të një drejtimi estetik, realist vetëm nga emri, në  realitet një  lloj i ri i neoklasicizmit asfiksues që  ishte në kundërshtim si me realizmin kritik tradicional ashtu edhe me romantizmin dhe  modernizmin. Ky drejtim, realizmi socialist, pretendonte të ishte një lloj më i lartë realizmi i shkrirë me romantikën e së ardhmes, po degjeneroi nëpërmjet ideologjizimit të skajshëm.
Avangarda e viteve 60-të e formuar nga treshja e njohur Kadare-Agolli-Arapi kishte arritur ta sfidonte këtë drejtim duke futur në të në mënyrë të fshehtë elemente të realizmit dhe të modernizmit. Brezi i mëvonshëm e vazhdoi këtë luftë me censurën dhe vetëcensurën, duke fituar disa herë dhe herë të tjera duke u mposhtur.
Ky brez e luftoi  në mënyrë tjetër retorikën pompoze të letërsisë zyrtare, nëpërmjet një lloj  neoromantizmi me prirje lirike duke u kënduar temave të përjetshme të dashurisë dhe të natyrës, duke krijuar një lloj kulti të fëmijërisë, pafajësia e së cilës himnizohej pikërisht se ishte në vetvete antiteza e butaforizmit zyrtar dhe duke luftuar ashpërsisht me redaktorët konformistë.
Në fillimet e veta Pandeli Koçi, përfaqësues i këtij brezi, shkruante proza poetike të përshkuara  nga një lirizëm fin.
E veçantë në rrugën e tij krijuese është dukuria e kalimit nga proza në poezi në kundërshtim me rrugën e shumicës së autorëve nga poezia në prozë. Që nga koha e sprovave të para Pandeli Koçi ka ecur gjatë duke u shtrirë edhe në krijimtarinë për fëmijë. Ka botuar vëllime me skica dhe proza poetike për të rritur, vëllime me lirika dhe krijime në prozë dhe në poezi për fëmijë që rrokin dy periudhat karakteristike e përmendura më lart dhe dëshmojnë për një evolucion drejt pjekurisë  kur lirizmi bëhet më i përmbajtur dhe konciz.
Pandeliu është nga ata autorë që këndojnë me zërin e vet si porosit liriku i ëmbël Esenin, të atyre  autorëve që, edhe nëse nuk arrijnë të bëhen bilbila, pranojnë  të këndojnë si mëllenja, si  gushëkuqë, madje edhe si bretkosë, po të parafrazojmë prapë Eseninin, që këndojnë “natyrshëm”, si porosit poeti tjetër lirik, latini Horac.
Fakti që Pandeli Koçi shkëlqen në mënyrë të veçantë në llojin e shkurtër, si në prozë ashtu edhe në poezi, lidhet me vetvetishmërinë dhe çiltërsinë e këtij autori dhe me vlerën që ai i jep fjalës. Pandeliu është nga ato autorë që kanë pasur nga natyra shkëndijën e talentit dhe ka ditur ta shndërrojë në flakë, pavarësisht sa lart është ngritur kjo flakë dhe në ç’hapësirë është shtrirë.
Është një nga autorët që shkruajnë vetëm kur kanë diçka për të thënë dhe kjo e ka ruajtur nga inflacioni i fjalës.
Në vëllimet e tij poetike të viteve të fundit të bëjnë veçanërisht për vete përmbledhjet me poezi “Petale të rëna” dhe “Turbull”. Në këtë vëllim të fundit, Pandeliu ka zbuluar një lloj të veçantë  strofe treshe që s’është as tercinë, as haiku, s’ka emër të përcaktuar, po mbetet origjinale.
Në këto vjersha ndeshim aforizma dhe paradokse, konçizitet dhe urtësi filozofike. Lirizmi, ky tipar i përhershëm i poezisë së autorit, rrjedh si rrymë e nëndheshme në thellësi.
Poeti vizaton edhe vija, edhe vizatime gjeometrike që çuditërisht ngjyrosen erotikisht: “Harkut të hollë të hënës/ harkut të buzës sate/ rri varur rrëzimi dhe ngritja ime”. “Kryet e ftohtë të zgjatushit/ kujtojnë me ofshamë/ pyjet e dendur të Afërditës”. Në këto vëllime individualiteti  krijues i Pandeliut njeh një shpalosje më të qartë e të thellë, një pasurim, po tek ai vazhdon të ziejë vera e entuziazmit poetik që, duke u vjetëruar, është bërë më e shijshme. Autori ka ruajtur rininë e shpirtit, thesarin e çmuar të frymëzimit. Pa dashur të idealizojmë si romantikët poetët dhe shkrimtarët, jemi të bindur që një shkrimtar ka moshën e frymëzimit të tij. Prandaj ky autor  shtatëdhjetëvjeçar ka zjarrin e pasioneve të një  njëzetvjeçari në poezinë e tij dhe shpresojmë që ai  të ecë më tej në rrugën e vet krijuese me pjekurinë e viteve dhe flakën rinore të frymëzimit.
 

No comments: