KRITIKA E HESHTJES
Kritika e heshtjes është e qëllimtë, me
pikësynime të caktuara dhe kushtëzohet nga disa faktorë pengues subjektivë e
objektivë
Nga SAZAN GOLIKU
Ka vite që në hapësirat shqiptare, në kritikat
për kritikën letrare e artistike jepen konsiderata, shprehen opinione nga më të
skajshmet, analizohen probleme reale ose ireale, po vetë këta specialistët nuk
angazhohen, nuk ulen të japin ndihmesën e tyre konkrete për veprat letrare ose
artistike me bukë, pra me vlera të mirëfillta ose për “sëmundje” të ndryshme të
mjeshtërisë.
Të flasësh e të shkruash “ex catedra” është
pozicioni më komod për një të shkolluar ose të titulluar, ose të graduar, edhe
pse ky lloji angazhim mund të quhet ndihmesë. Pse një pjesë e konsiderueshme e
këtyre të diturve nuk japin ndihmesën e tyre konkrete në gjallërimin, pasurimin
e institucionalizimin e kritikës si e tillë, por fshihen pas diplomave,
monografive të sirtarëve me objekt vetëm historinë e letërsisë e të arteve, kur
dihet që letërsia e artet janë procese të gjalla dinamike, me vijueshmëri, me
rënie e ngritje të kushtëzuara e të pakushtëzuara nga zhvillimet shoqërore,
politike dhe ekonomike, aq më tepër pas përmbysjeve të shekullit të kaluar te
ne. Është e shpjegueshme heshtja e kritikës dhe përligjet për mosmarrjen në
konsideratë të krijimeve mediokre, komerciale e banale. Por të heshtet për
vepra të reja, për autorë me emër dhe të rinj të talentuar, që duhen zbuluar e
nxitur, do të thotë të mbashë qëndrim injorues e nihilist.
Janë botuar libra me vlera nga Mehmet Kraja,
Agim Gjakova, Koço Kosta, Zejnulla Rrahmani, Zija Çela, Kim Mehmeti, Nasi Lera,
Ibrahim Kadriu, Anton Papleka, Skënder Buçpapaj, Abdulla Tafa, Agim Mato, Viron
Graçe, Moikom Zeqo, Vasil Premçi, Petraq Risto, Kolec Traboini, Faruk Myrto,
Zimo Krutaj, Krenar Zejno, Musa Ramadani, Riza Braholli, Faslli Haliti, Sadik
Bejko, Luljeta Lleshanaku, Arif Demolli, Piro Loli, Azem Qazimi etj. etj., po
pak ose aspak është shkruar për ta, për ecurinë e krijimtarisë së tyre, për
veçoritë e tyre stilistike, për profilet e individualitetet e tyre artistike.
Janë botuar libra me përmbledhje artikujsh
kritikë dhe monografi për autorë të veçantë që kanë spikatur nga kritikë të
mirënjohur si Ramadan Musliu, Mexhit Prençi, Nehas Sopaj, Luan Topçiu, Behar
Gjoka, Anton Berisha, Agim Vinca, Astrit Bishqemi, Preng Buzhala, Faik Shkodra,
Anton Gojçaj, Ahmet Selmani, Zejnepe Alili Rexhepi, Remzi Salihu etj., por
heshtja ndaj librave të tyre ka qenë e dukshme edhe pse kemi kaq pak libra me
kritika. Pse ndodh kjo dukuri negative që mund ta quajmë kritika e heshtjes?
Duke përjashtuar subjektivizmin e natyrshëm e
të pashmangshëm që buron nga shijet vetjake estetike dhe shkalla e njohjes
teorike dhe e aftësive profesionale, mund të flasim hapur për egocentrizëm,
prirje zilare, interesa të ngushtë profesionalë e materialë. Është e kuptueshme
që një kritik letrar ose studiues nuk mund të lexojë gjithçka që botohet, por
mund të informohet dhe të reagojë ndaj veprave me nivele të konsiderueshme e
novatore, si dhe ndaj atyre që ngrihen lart nga recensionet e shtëpive botuese,
ose nga artikuj me superlativa të miqve e klaneve të organizuara e të saturuara
paq.
Kritika e heshtjes është e qëllimtë, me
pikësynime të caktuara dhe nuk ka të bëjë me heshtjen e kritikës që, në
shumicën e rasteve, kushtëzohet nga disa faktorë pengues subjektivë e
objektivë. Nga ky rreth vicioz mund të dalim vetëm duke freskuar e
sensibilizuar institucionet e fushave përkatëse, duke thyer klanizmin, duke
përgatitur brenda dhe jashtë vendit breza të rinj kritikësh e studiuesish me
koncepte, teori e mendësi perëndimore e bashkëkohore.
Gazeta "Telegraf"
Gazeta "Telegraf"
No comments:
Post a Comment