Sfidë - poezi nga Sazan Goliku



 S F I D Ë
 
Nga Sazan Goliku


Mes një trafiku të çmendur
një plak i paplakur pedalon mbi biçikletë,
por më besoni, nuk është i lajthitur.

Përbuz vdekjen dhe ka frikë nga jeta e fjetur.
Një aksident vdekjeprurës është për të
një dhuratë nga një rrotë mbi rrota.
Një aksident uloklënës është për të – një mallkim.

Një plak i krisur pedalon mbi biçikletë,
Po nuk guxon ta kthej kokën as majtas as djathtas
me u kënaq duke parë trotuarëve
bukurinë e njomështinë e vajzave të reja.

Një plak sportiv pedalon mbi biçikletë dhe
as do t’ia dijë që zonja vdekje qëndron pas tij në zgarë
buzagaz.

Një plak skelet fluturon me biçikletë,
por askush nuk e vëren mespërmes brumbujve të makinave.
Është fantazma e së ardhmes.

9.12.2019

"Në kryqin e udhëkryqit"- një libër i ri poetik i Zyhdi Dervishit



 





















“NË KRYQIN E UDHËKRYQIT” - NJË LIBËR I RI POETIK I ZYHDI DERVISHIT


Pas botimit të përmbledhjeve poetike: “Qiej të përthyer” (1999), “Jehonëlebetia” (20050, “Vetëklonimi i maskave” (2009), “Mokra e hijeve” (2014) Zyhdi Dervishi doli me librin e ri poetik “Në kryqin e udhëkryqit”.
Edhe në këtë përmbledhje poezia e tij karakterizohet nga fryma e theksuar sa qytetare aq dhe humane në çdo qelizë të saj.
Temat e motivet e poezive kapin një gamë të gjerë të problemeve të mprehta të realitetit të sotëm shqiptar dhe të përbotshëm, nëpërmjet perceptimit e konceptimit poetik, me figuracion të pasur  dhe emocionalitet të lartë. Shpirti kritik Dervishit prek me dhembje plagë të hapura të botës shqiptare.
Korrupsioni në të gjitha hallkat e shtetit, mosndëshkushmëria e shkelësve të ligjit, lufta e paskrupullt për pushtet, polarizimi i shoqërisë etj. pasqyrohen me vërtetësi e dramcitet të theksuar. Vargjet e këtij poeti kanë ngarkesa të shumta semantike dhe me rrezatime polivalente, ku figurat stilistike dhe mesazhet janë shkrirë organikisht.

Nga Sazan Goliku